Në komunën e Dragashit, për herë të parë do të organizohet Festivali Mbarëkombëtar Folklorik – Burimor, i titulluar “Opoja Vallëzon”. Krejt kjo, falë një bashkëpunimi mes qeverisë lokale dhe SHKA “Bresana”, e cila shënon 20-vjetorin e themelimit të saj.
Mësohet se ky organizim i dedikohet në veçanti diasporës nga kjo anë, e cila në masë të madhe ndodhet për pushime në vendlindje. Në këtë manifestim pjesëmarrjen e kanë konfirmuar shumë shoqëri kulturore nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut dhe do të nisë me një defile në rrugën kryesore të fshatit, më datën 25 korrik, ora 19:00, për të përfunduar më 27 korrik 2019, në orët e mbrëmjes.
Sipas organizatorëve, festivali do të organizohet në oborrin e shkollës së fshatit Bresanë, komuna e Dragashit dhe do të ketë karakter garues, ku vlerësimi do të bëhet nga juria profesionale. Gjithashtu, gjatë këtyre tre ditëve, sa do të zgjatë festivali, vizitorët do ta kenë në dispozicion për ta vizituar edhe Muzeun Etnologjik, i cili ndodhet në objektin e Shtëpisë së Kulturës. /Radio SHARRI – Dragash/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.