Ç’është dhe prej kur daton bajrami?!

Opoja.net Opoja.net Opinione

Autor: Nexhat Ibrahimi

Muslimanët kanë dy festa, dy bajrame, Bajramin e Ramazanit dhe Bajramin e Kurbanit. Këtë qartë e ka theksuar Muhammedi a.s. në një hadith të tij. Kjo festë ka edhe përmbajtjen e saj, gëzimin, harenë, në çka tregon edhe shembulli i Ebu Bekrit r.a., i cili me një ditë bajrami e vizitoi të bijën e tij, Aishen r. anha, në shtëpinë e Muhammedit a. s. Aty takoi dy shërbëtore që këndonin në shenjë feste. Ebu Bekri r. a., i prekur nga kjo gjendje, si baba, e qortoi Aishen r. anha, duke bërtitur: “Vallë, kënga në shtëpinë e Pejgamberit të Zotit?! Pejgamberi i Zotit, i kthyer me shpinë nga ana tjetër, u kthye dhe tha: “O Ebu Bekër, lëri! Çdo popull i ka festat e veta, kurse kjo është festa (bajrami) jonë.” (Buhariu dhe Muslimi, në: Muhammed Abdullah Draz, Agjërimi i Ramazanit, Prishtinë, 1987).

Në arabisht quhet ‘Îd, që do të thotë kthim, sepse gjerat kthehen në gjendjen e mëhershme, normale, siç është ngrënia gjatë ditës etj.
Festën e bajramit të ramazanit do ta shënojnë të gjithë besimtarët, e sidomos ata të cilët kanë dhënë kontributin e tyre shpirtëror e fizik.

Baza sheriatike e faljes së namazit të bajramit është në suren El-Kevther, ajeti 2: “Prandaj falu për Zotin tënd dhe pre kurban!”, dhe në suren El-A’la ajeti 14-15: “Shpëtimin do të arrijë ai që pastrohet (nga të këqijat) dhe që e përmend emrin e Zotit të vet dhe falet!” Komentuesit e Kur’anit mendojnë se fjalët falu (fe sal-li – فَصَلِّ ) dhe falet (fe sal-lâ- فَصَلَّىٰ) janë në lidhje me faljen e namazit të bajramit.

Prej kur daton bajrami?!

Bajrami i parë i Muhammedit a. s. ka qenë në vitin e dytë hixhri, në çka tregon hadithi në të cilin Enesi transmeton se “Pejgamberi i Allahut erdhi në Medinë, kurse banorët e saj kishin dy festa nga koha e injorancës, gjatë së cilave ditë ata argëtoheshin. Pejgamberi a. s. i pyeti: “Cilat janë këto dy ditë?’, kurse ata u përgjigjen: ‘Dy ditë në të cilat ditë jemi argëtuar gjatë kohës së injorancës.” Në këtë Pejgamberi i Zotit tha: “Allahu ua ka zëvendësuar ato festa me dy festa më të mira: atë të Kurbanit dhe të Ramazanit.’” (Ebu Davudi, hadithi është sahih.)

Besimtarët tanë festojnë, përkatësisht shënojnë edhe disa data të tjera, si: Bedrin, Çlirimin e Mekës, Kadrin, Mi’raxhin, Mevludin etj. Në këto ditë agjërohet, lexohet Kur’an, bëhet namaz nafile e veprime tjera të pëlqyera. Disa grupe minore, që pretendojnë se zbatojnë islamin e drejtë, e ne gjoja jo, ngrenë pluhur duke thënë se këto nuk janë festa dhe se janë haram (bid’ate) të festohen.

Përgjigjja jonë është se këto data nuk janë detyrime fetare, por data që muslimanët i kujtojnë për të mirë dhe në këtë emër këndojnë Kur’an, agjërojnë, bëjnë ibadete të ndryshme, ndajnë sadakë, jo si festa por si ditë që duhet ta mbajnë gjallë kujtesën e muslimanëve. Me këtë veprim ata nuk kryejnë asnjë shkelje të dispozitave, përkundrazi, shtojnë intensitetin e ibadeteve dhe zbusin zemrat para egoizmit.

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-