Deklarata e presidentes pas takimit me partitë politike

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kosova

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar pas takimit konsultativ që e pati me partitë politike.

Osmani njoftoi se kanë rënë dakord të shtyhen zgjedhjet në katër komunat veriore Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan, derisa nuk e dha një datë të caktuar.

Ajo tha se ka pranuar raport nga institucionet e sigurisë dhe KQZ-ja në lidhje me vlerësimin e situatës për mbajtjen e zgjedhjeve në këtë pjesë të vendit.

“Pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave në përputhje me detyrat e mia kushtetuese dhe në konsultim me partitë politike kemi caktuar 18 dhjetorin si datë për zgjedhje për kryetarë të komunave në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok. Ashtu siç edhe i kam njoftuar partitë politike në ato takime paraprake jemi dakorduar që të përcillet situata e sigurisë dhe të takohemi sërish në varësi prej situatës të vlerësojmë se a do të mbahen zgjedhjet. Kam kërkuar raport nga KQZ-ja për vlerësim të nivelit të rrezikshmërisë”, ka thënë Osmani në konferencën për medie, njofton Klankosova.tv.

“Propozimi im në këtë takim ishte që të shtyhen zgjedhjet për kryetarë komunash, diskuam për datën më të përshtatshme dhe erdhëm në konkluzion që të shtyhen për në prill 2023, e data e saktë kumtohet më vonë sonte, ose eventualisht nesër”.

Ajo njoftoi se në zgjedhjet e 18 dhjetorit, nuk do të mund të merrnin pjesë vëzhgues ndërkombëtarë.

“Kam pasur kontakt edhe me BE-në, ata kanë thënë që s’mund të marrin pjesë për shkak të kohës së kufizuar. Këto zgjedhje do të ishin pa vëzhgim ndërkombëtar”, ka shtuar Osmani.

Ajo foli edhe për situatën e sotme në veri, ku tha se grupet kriminale atje kanë për qëllim destabilizimin e vendit, por, sipas saj, në fund institucionet vendore do të dalin fitimtarë.

“Si gjithnjë në veri bandat kriminale të udhëhequra nga lideri i tyre politik Vuçuiq, nga i cili marrin urdhra, kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës, mirëpo në këtë sfidë si në çdo tjetër deri sot, do të dalim fitimtarë”, ka përfunduar ajo.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-