Opoja.net

Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për mashtrim në Dragash

Të mërkurën, në shqyrtimin fillestar të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash, është deklaruar i pafajshëm i akuzuari për mashtrim, R. S.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Milot Krasniqi, i pandehuri ka mohuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

585

Me çka po nxeheni në këto ditë të ftohta ?

Gjyqtarja e çështjes, Sabaheta Kurteshi, e ka udhëzuar të pandehurin S, që brenda afatit të paraparë ligjor, të bëjë kundërshtimin e aktakuzës dhe kërkesën për hedhjen e saj.

Seanca e shqyrtimit të dytë është caktuar më 30 tetor 2019, në ora 09:30.

Sipas aktakuzës së ngritur me 8 tetor 2018, nga Prokuroria Themelore në Prizren, i pandehuri R. S, akuzohet se më 27 gusht 2018, në orë të pacaktuar, në fshatin Mlik, me qëllim të përfitimit pasur për vete e ka mashtruar të dëmtuarën B. R.

Në aktakuzë thuhet se rasti ka ndodhur në atë mënyrë që i akuzuari shkon në shtëpinë e të dëmtuarës, ku fillimisht i kërkon 25 euro, ndërsa ditën e nesërme edhe 55 të tjera, me arsyetimin se brenda dy ditësh do t’ia sillte tetë metra dru.

Sipas aktakuzës, i pandehuri pasi i merr paratë largohet nga shtëpia e të dëmtuarës, duke i shkaktuar asaj dëme materiale.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale të mashtrimit, nga neni 335, paragrafi 1, e Kodit Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net