Portali i mirënjohur “Opoja.net” në një ceremoni rasti të organizuar në ambientet e hotelit “Meka” në Dragash, ka bërë ndarjen e certifikatave për më të mirët në Opojë për vitin 2015.
Në kategorinë “Poeti më i mirë në Opojë gjatë vitit 2015” më i votuari doli Demir Reshiti me 17222 vota (85.6%), i ndjekur nga Ibrahim Skenderi me 1155 vota (5,7%), dhe në kategorinë “Gazetari më i mirë në Opojë gjatë vitit 2015” më i votuari doli Demir Reshiti me 18026 vota (64.2%) i ndjekur nga Gëzim Baxhaku me 8004 vota (28.5%);
Shënime biografike për Demir Reshitin
Demir Reshiti lindi më 24 qershor 1963 në Bresanë të komunës së Sharrit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Sharr dhe Skenderaj, ndërsa Fakultetin Ekonomik, Fakultetin e Gazetarisë dhe studimet postdiplomike për gazetari në Universitetin e Prishtinës.
Shkruan poezi, prozë e publicistikë. Deri më tani ka botuar këta libra:
Trung i ndarë (1992); Ofshamë (1995); Abetaka (1995- i ribotuar nëntë herë); Reshje nën Pikëllimë (1996) – si koautor; Ngutëm ta kapërcej kohën (2000); Libri i mrekullive (2001); Libri i gjeneratës – Monografi për gjeneratën e dytë të Degës së Gazetarisë në UP (2009); Mik me diellin (2013); dhe së fundmi në bashkautorësi me Ibrahim Skenderin, Monografinë “Luleborë Sharri” kushtuar punës 25 vjeçare të Klubit Letrar “Luigj Gurakuqi”.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK), anëtar i Kryesisë së Karvanit të Shkrimtarëve për fëmijë “Agim Deva” dhe pjesëmarrës aktiv në shumë manifestime letrare që organizohen në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni etj.
Është fitues i disa çmimeve letrare, ndër të cilët edhe Çmimi i Parë për poezi për fëmijë në “Takimet e Gjeçovit” në Zym të Hasit, Çmimi i Parë për poezi në manifestimin letrar tradicional “Ora e Tahir Deskut” në Klinë dhe Çmimi i Tretë në Manifestimin poetik “Takimet tradicionale të krijuesve nga mërgata dhe diaspora”.
Ka qenë sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës në një mandat. Ka punuar si kryeredaktor, redaktor e gazetar në disa mediume. Aktualisht punon në RTK – Radio, në Prishtinë.
Viti 2015 për Demir Reshitin ishte njëri nga vitet më të suksesshëm sa i përket krijimtarisë letrare dhe gazetarisë. Në muajin gusht të këtij viti nga Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës, Demir Reshiti është shpërblyer me Çmimin për kontribut të veçantë në promovimin e diasporës dhe mërgatës. Po në këtë muaj, fitoi Çmimin e Tretë në Manifestimin poetik “Takimet tradicionale të krijuesve nga mërgata dhe diaspora” të organizuar nga Lidhja e Krijuesve shqiptarë në Mërgatë.
© Opoja.net. Të gjithë të drejtat e mbrojtura.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.