Opoja.net

Dëmtuesit e Kumbullës

Natyra
Dëmtuesit e Kumbullës

Krimbi i kumbullës (Grapholita funebrana)

Insekti i rritur është flutur, krahëhapur ka madhësi rreth 15 mm, me trup ngjyrë të hirtë kafeje. Dimëron në vende të ndryshme, në të qarat e degëzave dhe të trupit të kumbullës. Herët në pranverë insektet e rritura paraqiten në muajin prill dhe maj. Krimbi i kumbullës formon 2 e rrallëherë 3 gjenerata brenda vitit. Fluturat e gjeneratës së parë vezët e tyre i depozitojnë në frutat e porsaformuara apo në gjethet afër frutave ndërkaq ato të gjeneratës së dytë në frutat e kumbullës.

Dëmet i shkaktojnë vemjet të cilat menjëherë sapo të çelin futen në brendi të frutave ku ushqehen me brendinë e tyre. Si rezultat i prekjes së tyre frutat ngecin në rritje, marrin ngjyrë trëndafili dhe rrëzohen në tokë. Vemjet në frutat e rëna në tokë vazhdojnë zhvillimin e tyre dhe më pas dalin insektet e rritura. Femrat e gjeneratës së re vezët i depozitojnë në fruta dhe secila prej tyre pjell deri 40 copë vezë çka nënkupton se përafërsisht numër i tillë i frutave dëmtohet. Frutat e prekura sidomos ato të kultivarëve të vonshëm pothuajse nuk kanë vlerë tregtare nga dëmet e këtij dëmtuesi.

Masat e luftimit

Spërkatja dimërore e kumbullës është pothuajse masa më e rëndësishme për shkatërrimin e vemjeve të cilat dimërojnë. Duke patur parasysh se nuk trajtohen të gjitha kumbullat kudo që gjinden atëherë fluturat e gjeneratës së parë paraqiten në kohën e formimit (lidhjes) së frutave. Kjo nënkupton se duhet trajtuar kumbullën para se vemja të depërtoj në brendi të frutave.

Gjatë vegjetacionit përdoren këto preparate: Talstar 10 EC, Basudin 40 WP, Fenitrotion 50 EC, Karate 2,5 EC, Sumicidin EC-20, Ultracid 40 EC si dhe preparate tjera me veprim kontakti dhe digjestiv.

Grerëzat e kumbullës (Hoplocampa minuta dhe Hoplocampa flava)

Ekzistojnë shumë lloje të grerëzave të cilat dallohen në mes veti për nga ngjyra dhe madhësia trupore e tyre. Insekti i rritur i grerëzës së zezë të kumbullës ka madhësi rreth 4-5 mm me ngjyrë të zezë trupore. Grerëza e verdhë e kumbullës ka ngjyrë të verdhë në të kaftë dhe madhësi rreth 7-9 mm. Karakteristikë për dy llojet e grerëzave është se jetojnë dhe zhvillohen në brendi të frutave të kumbullës, dimërojnë në tokë dhe formojnë nga një gjeneratë brenda vitit.

Në kohën e hapjes së sythave frutorë paraqiten insektet e rritura të cilat depozitojnë vezët në kurorë të luleve. Nga vezët çelin larvat të cilat depërtojnë në fruta dhe shkojnë deri te farat e frutave me të cilat ushqehen. Kur larva të arrijë zhvillimin e saj të plotë del nga fruti dhe lëshohet në tokë ku nimfëzohet dhe dimëron si e tillë. Një numër mjaft i madh i larvave arrijnë në tokë me anë të frutave të rënë në tokë.

Grerëzat e kumbullës paraqesin dëmtuesit më të rrezikshëm të kumbullës në vendin tonë. Një larvë mund të dëmtoj 4-5 fruta që praktikisht do të thotë se nëse në 20 % të luleve të jetë depozituar nga një vezë mund të llogaritet në humbjen e të gjitha frutave në kumbull.

Masat e luftimit

Spërkatja dimërore me qëllim të eliminimit të potencialit infektues të këtij dëmtuesi rekomandohet të bëhet herët në pranverë para fillimit të vegjetacionit me këto insekticide (Galpar, Galmin, Frutapon, etj.

Edhe te këta dëmtues duhet aplikuar preparatet kimike para se të kenë depërtuar larvat në brendi të frutave përndryshe preparatet e aplikuara nuk do të japin efektet e pritura. Nga preparatet kimike rekomandohen: Talstar 10 EC, Malation, Folimat, Fastak, Lebaycid, Ultracid, Gusation, Dimekron, etj.

Breshkëza e kumbullës (Eulecanium corni)

Insekti i rritur ka trup të mbuluar me mburojë ngjyrë kafeje, dhe gjatësi trupore 2-6 mm. Larvat e reja nuk kanë mburojë dhe kanë madhësi rreth 1 mm me ngjyrë të verdhë. Larvat kalojnë nëpër shumë faza të rritjes. Dimërojnë në fazën e larvës në lëvore të trupit të kumbullës. Në pranverë femrat e rritura depozitojnë deri 2 000 vezë nga të cilat në muajin prill qelin larvat e reja. Brenda vitit formon një gjeneratë.

Aftësia për tu shumuar shpejt tregojnë se dëmet nga ky dëmtues mund të jenë shumë të mëdha për kumbullën. Insektet e rritura dhe larvat me aparatin gojorë për shpuarje dhe thithje nxjerrin lëngjet bimore nga pjesët e ndryshme të kumbullës. Me rastin e prekjes së kumbullës nga ky dëmtues thahen degëzat dhe degët e kumbullës dhe nëse sulmi vazhdon tutje kumbulla shkatërrohet në tërësi.

Masat e luftimit

Spërkatja dimërore jep rezultate të mira në luftimin e këtij dëmtuesi. Në këtë kohë përdoren këto preparate kimike: Oleometion 100 EC, Galmin, Kreozan, Galpar etj. Kurse gjatë vegjetacionit përdoren preparatet me veprim sistemi: Sistemin, Rogor, Anthio, Metasistox, Decis etj.

Dëmtuesit e tjerë të cilët prekin kumbullën por me intensitet më të vogël janë:

Morri i gjelbër i kumbullës (Hyalopterus arundinis)
Merimanga e kumbullës (Eriophyes phloeocoptes), etj.

Sëmundjet e kumbullës

Njollosja e kuqe e gjetheve te kumbullës (Polystigma rubrum)

Në gjethet e reja të kumbullës paraqitet një numër i madh i njollave të përmasave të ndryshme. Në fillim njollat janë me ngjyrë të verdhë të cilat më pas marrin ngjyrë portokalli dhe në fund ngjyrë të kuqe të mbyllët. Gjethet e infektuara rëndë bien në tokë para kohe gjatë muajit gusht dhe shtator.

Në gjethet e rëna patogjeni vazhdon edhe më tutje të zhvillohet duke formuar organet për dimërim (peritecet). Në pranverë, në kohën e lulëzimit paraqitet sëmundja e cila nën ndikimin e lagështisë shkakton infeksionet e para të gjetheve të kumbullës. Gjatë vegjetacionit nga infeksionet primare shkaktohen shumë infeksione sekondare sidomos kur temperatura dhe lagështia janë të favorshme për zhvillimin e sëmundjes. Për shkak të rënies së parakohshme të gjetheve frutat ngecin në rritje, kanë shije acidike për shkak të sasirave jo të mjaftueshme të sheqerit, bien në tokë dhe nuk mund të përdoren as për përpunim.

Masat e luftimit

Menjëherë pas lulëzimit ështëe nevojshme të spërkatet kumbulla me njërin nga këto preparate kimike: Cineb-80, Venturin S-50, Ditane 70, Mankogal-65, Folpet-50 etj. Trajtimin e kumbullës me fungicide duhet përsëritur së paku 2-3 herë me intervale prej 12-15 ditëve me njërin nga preparatet e lartcekura.

Ndryshku i kumbullës (Puccinia pruni-spinosae)

Simptomat e sëmundjes paraqiten në gjethe në formë të njollave të imëta me formë eliptike, të madhësisë rreth 1-2 mm të cilat kanë ngjyrë të verdhë. Në kundërfaqe të gjethit në kuadër të këtyre njollave paraqiten njolla të ngritura të rrumbullakëta ngjyrë ndryshku. Këto njolla paraqesin organet e riprodhimit të patogjenit të cilat barten përmes erës dhe shkaktojnë infeksionet në gjethet e shëndosha.

Patogjeni dimëron nëgjethet e infektuara të rëna në tokë. Në pranverë në mbeturinat bimore formohen uredosporet të cilat infektojnë së pari bimët drunore në afërsi të plantacioneve me kumbulla prej nga më vonë kalojnë në kumbull ku në kundërfaqe të gjethit shkaktojnë infeksionet primare. Së shpejti në gjethe formohet uredosporet tjera përmes së cilave përhapet sëmundja gjatë tërë vegjetacionit. Kjo sëmundje prek kumbullën zakonisht gjatë muajit korriku kur kumbulla është në vegjetacion të plotë.

Gjethet e infektuara kanë intensitet më të ulët të proceseve të asimilimit dhe shpesh herë bien para kohe. Frutat ngelin të pa pjekur me ngjyrë të kuqrremtë kanë përmbajtje të ulët të sheqerit dhe janë shumë të papërshtatshëm për përpunim.

Masat e luftimit

Pengimi i paraqitjes së infeksioneve primare dhe përhapja e sëmundjes gjatë vegjetacionit me sukses mundë të bëhet përmes spërkatjes së kumbullës me ndonjërin prej këtyre preparateve kimike: Ciram S-75, Cineb S-65, Folpet EP-50, Bayleton EC-125, si dhe të gjitha preparatet (fungicidet) të cilat si materie aktive kanë bakrin.

Virusi mozaik i kumbullës (Plum pox virus)

Sëmundja prek si gjethet ashtu edhe frutat e kumbullës. Në gjethe zakonisht paraqiten njolla unazore me ngjyrë të gjelbër por edhe njolla mozaiku. Madhësia e këtyre njollave sillet prej 2-3 mm e në disa raste te infeksionet e rënda edhe deri 10 mm. Gjatë vegjetacionit këto njolla më pak vërehen duke humbur në tërësi në fund të vegjetacionit. Në fruta sidomos te kultivari pozhegaqa e cila është më e ndjeshme ndaj sëmundjes simptomat janë shumë të dukshëm sidomos në kohën e pjekjes së frutave. Në këtë kohë në fruta paraqiten njolla karakteristike me ngjyrë të kaltër të mbyllët dhe në sipërfaqe të frutave formohen deformime të formave të ndryshme.

Virusi bartet nga pemët e infektuar te ato të shëndosha përmes shartimit, në mënyrë mekanike dhe përmes insekteve. Në praktikën bujqësore virusi zakonisht bartet me material fidanorë si dhe përmes insekteve. Nga insektet morrat e bimëve janë vektorët më të rrezikshëm të përhapjes së virusit dhe në këtëdrejhtim më i njohuri ështëmorri i gjelbër i pjeshkës (Myzus persicae).

Frutat e infektuar janë pa shije, me aromë të keqe, bërthama vështirë ndahet nga tuli i frutave, piqen më herët por edhe shumë prej tyre bijnë në tokë para kohe. Frutat e infektuar poashtu kanë tul me ngjyrë të verdhë të mbyllët apo të kuqërremtë dhe praktikisht janë të pa përdorshëm.

Masat e luftimit

Masa efikase për mbrojtjen efikase të kumbullës nga virusi praktikisht nuk ekzistojnë. Përkundër kësaj në praktikë për parandalimin e paraqitjes dhe përhapjes së sëmundjes virusale rekomandohet përdormi i materialit fidanor të shëndoshë, kultivimi i varieteteve imune ndaj virusit, luftimi i morrave të bimëve si vektor të sëmundjes, etj.

Sëmundje tjera të kumbullës por me intensitet më të vogël janë:

Gjethebiruesja e kumbullës (Phyllosticta prunicola),
Kalbëzimi i frutave të kumbullës (Monilia laxa), etj.

Bie çmimi i mallrave dhe shërbimeve bujqësore

Opoja.net

Rritet çmimi i grurit dhe i vezëve në Kosovë

Opoja.net

Rriten pak çmimet e prodhimeve bujqësore

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net