Dëmtuesit e Specit

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Uncategorized

Tripsat e ndryshëm (Thrips spp.)

Tripsat kanë madhësi rreth 1.5 mm dhe posedojnë dy palë krahë.

Janë dëmtues të cilët sulmojnë specin, domaten, qepën, dhe kulturat tjera. Dëmet primare konsistojnë në transmetimin e virozave bimore.

Ushqehen duke thithur lëngjet bimore dhe shkaktojnë deformime të ndryshme në bimë si dhe në fund uljen e rendimentit.

Sidomos janë të rrezikshëm në serra ku kushtet të cilat janë të volitshme për specin, domaten etj. plotësisht i përgjigjen edhe këtij dëmtuesi.

Masat e luftimit

Monitorimi i tyre përmes trapeve ngjitëse me ngjyrë të kaltër dhe të verdhë.

Pragu kritik është 1 imago/ trap.

Masat kimike- Kofumin 50 EC, Actellic 50, Basudin 40, EC, Karate 2,5 EC, etj.

Krahëbardha (Trialeuroides vaporariorum)

Insekte me trup të vegjël dhe të mbuluar me një masë pluhurore dyllore me ngjyrë të bardhë.

Aparatin gojor për shpuarje dhe thithje me të cilin thithin lëngjet bimore nga bimët e ndryshme.

Larva fiksohet për bimë pas moshës së parë dhe bëhet e palëvizshme.

Vezët femrat i vendosë në kundërfaqe të gjethit dhe brenda vitit zhvillon shumë gjenerata. Dimëron insekti i rritur në vende të ngrohta.

Me rastin e thithjes së lëngjeve bimore tek bimët shkaktohen deformime të ndryshme, zverdhja dhe vyshkja e bimëve. Poashtu vesa e mjaltit që ato e tajojnë paraqet substrat të mirë për kërpudhat të cilat zhvillohen dhe zvogëlojnë sipërfaqen asimiluese të gjethit.

Masat e luftimit

Masat agroteknike- mbledhja dhe zhdukja e mbeturinave bimore, mbjellja e fidanëve të painfektuara me këtë dëmtues, mbajtja e higjienës në ambiente të mbyllura dhe rreth tyre, monitorimi i rregullt i dëmtuesit përmes metodave adekuate etj
Masat kimike- sikurse për Tripsat
Krimbi i misrit (Ostrinia nubilalis)

Është dëmtues polifagë i cili sulmon me të madhe edhe kulturat perimore, specin, domaten, bizelen, etj.

Dëmet i shkakton vemja e cila futet në brendi të kërcellit dhe aty ushqehet duke grimcuar brendinë e tyre. Në vendin e sulmit krijohen kushte për zhvillimin e sëmundjeve të ndryshme.

Brenda viti krijon dy gjenerata dhe dimëron në fazën e vemjes në mbeturinat e misrit pas korrjes.

Insektet e rritura paraqiten në pranverë dhe fillojnë me depozitimin e vezëve në bimët amvise.

Pas 5-7 ditëve qelin vemjet të cilat fillojnë me dëmet e tyre në spec dhe domate.

Masat e luftimit

Masat agroteknike- shkatërrimi i mbeturinave pas korrjes së misrit, kultivarët rezistent të perimeve etj.
Masat biologjike– Trichogramma evanescens.
Masat kimike- preparatet kimike nuk rekomandohen të përdoren në perime për shkak të karencës së tyre të shkurtër.

Dëmtuesit të cilët prekin specin por me intensitet më të vogël

Dosëza e dheut (Gryllotalpa gryllotalpa),
Krimbat tel (Elateridae),
Krimbat e murrmë (Noctuidae),
Krimbat e bardhë (Scarabeideae), etj.

Sëmundjet e specit

Vrugu i specit (Phytophthora capsici)

Sëmundjen e shkakton kërpudha Ph. capsici e cila është mjaft e përhapur në vendin tonë duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme specit. Prek edhe kulturat tjera nga familja Solanaceae (domaten, pataten, patëllxhanin etj.). Shenjat e sëmundjes së pari paraqiten në fidanë në qafën e kërcellit në formë të njollave nekrotike me madhësi të ndryshme. Bimët e infektuara rrëzohen dhe shkatërrohen. Simptomat e sëmundjes paraqiten edhe në pjesët tjera sikurse janë gjethet, degëza, fryte etj. Frutat e infektuar në kushte me lagështi mbulohen me një shtresë të bardhë të organeve të riprodhimit të kërpudhës.

Patogjeni dimëron në tokë kurse infeksionet e para shkaktohen herët në pranverë dhe vazhdojnë gjatë tërë vegjetacionit.

Masat e luftimit

Trajtimi i farës me fungicide dhe dezinfektimi i dheut i cili përdoret për shtretër ku prodhohet fidani janë parakushte të cilat zvogëlojnë paraqitjen e infeksioneve nga patogjeni. Gjatë vegjetacionit përdoren preparatet sikurse janë: Difolatan WP-80 në përqendrim 0.15 %, Previcur N, Mycodifol 0.2 %, Orthodifolatan 0.1 %, ku për çdo bimë shpenzohet 100-150 ml lëng të gatshëm.

Vyshkja verticillioze (Verticillium spp.)

Sëmundjen e vyshkjes verticilium të specit e shkakton patogjeni Verticillium dahliae.

Sëmundja paraqitet vonë gjatë vegjetacionit në bimët e maturuara ku për pasojë bimët e prekura vyshken dhe thahen. Për dallim nga Phytophthora e cila shkakton kalbjen e rrënjës tek kjo sëmundje nuk preken rrënjët. V. dahliae është patogjen tokësorë i cili invadon bimën përmes rrënjëve dhe rritet në indet përçuese duke penguar qarkullimin normal të lëngjeve bimore në bimë.

Ka një spektër të gjerë amvisësh dhe mundë të jetoj për një kohë të gjatë në tokë në formë të mikrosklerotëve. Mikrosklerotët formohen në indin bimorë dhe mundë të dimërojnë dhe të përhapen në mbeturinat bimore.

Rrathë ngjyrë të mbylltë apo njolla të kafta shpesh mundë të vërehen në prerjen tërthore të kërcellit që janë si rezultat i mbylljes së enëve përçuese nga patogjeni.

Masat e luftimit

Nuk ekzistojnë masa kontrolli për Verticilliumin dhe deri më tani nuk janë të njohur kultivarët imun.

Evitimi nga tokat e infektuara dhe qarkullimi bimorë shumë vjeçar rekomandohen edhe pse mikrosklerotët e kërpudhës dihet se mundë të jetojnë për shumë vite.

Qarkullimi bimorë i cili përfshinë drithërat dhe jonxhën të cilët nuk janë amvis të patogjenit ndikojnë në zvogëlimin e sëmundjes.

Nga preparatet kimike rekomandohet benomili i cili ka veprim biostatik diku deri tre muaj.

Hiri i specit (Leveilulla taurica)

Hiri i specit është sëmundje e përhapur tek ne gati se çdo vit në bimë të ndryshme.

Kur kushtet e ambientit janë të favorshme specit mundë ti shkaktohen dëme të mëdha nga ky patogjen. Kërpudha e cila shkakton këtë sëmundje është Leveillula taurica.

Sëmundja favorizohet nga temperatura e lartë kurse lagështia nuk luan ndonjë rol të rëndësishëm. Është patogjen sipërfaqësorë i cili futet në indin bimorë the thith lëngjet bimore. Pjesët e prekura zverdhen dhe janë të mbuluara me një shtresë të hiri ku ndodhen organet e riprodhimit.

Kërpudha shumohet shumë shpejtë në kushte të favorshme. Përmes erës sporet shkaktojnë infeksionet sekondare dhe në këtë mënyrë sëmundja përhapet.

Patogjeni kryesisht prek gjethet mirëpo mundë të haset edhe në fruta.. Sëmundja është e ashpër sidomos në gjethet e vjetra para lidhjes së frytit por mundë të paraqitet në cilëndo kohë nëse kushtet janë të favorshme duke shkaktuar ulje të madhe të rendimentit.

Dimëron në formë miceli por edhe si kleistotecie prej nga në pranverë përhapet dhe shkakton infeksionet.

Masat e luftimit

Masat agroteknike- kultivarët imun, luftimi i barojave të këqija sepse shërbejnë si burim infeksioni.

Masat kimike- Preparatet e sulfurit, Bayleton (Triademefon), Rubigan (Fenarimol) etj.

Sëmundjet tjera të cilat prekin specin por me intensitet më të vogël janë:

Kalbëzimi i bardhë i specit (Sclerotinia sclerotiorum),
Njollosja e zezë e gjetheve (Alternaria spp.),
Kalbëzimi i hirtë (Botritis cinerea),
Kalbëzimi i thatë i fryteve (Phomopsis capsici), etj.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-