‘Dhia’ është emri shqip i këtij fshati opojan, sipas albanologut që vdiq dje

Merlinda Guraj Merlinda Guraj Opoja

Skënder Gashi, studiuesi i njohur i albanologjisë, i cili ka ndërruar jetë ditën e djeshme, ka lënë pas vetes një sërë veprash të rëndësishme.

Në studimin e tij ”Kërkime onomastike-historike për minoritete të shuara e aktuale të Kosovës”, albanologu Gashi ishte fokusuar edhe në analizën dhe gjurmimin e origjinës së goranëve të sotëm, të cilët e banojnë një pjesë të territorit të Komunës së Dragashit.

Gjatë kërkimit të tij, duke bërë krahasime edhe me pjesën shqipfolëse të trevës së Opojës, albanologu Skënder Gashi përmend kalimthi në një pjesë të shkrimit të tij edhe disa fjalë dhe emra vendesh, të cilat, sipas tij, janë “me origjinë nga latiniteti ballkanik (pjesë e të cilit ishin edhe këta vetë)” dhe opojanët i ruajtën ato “në harmoni me ligjet fonetike të shqipes si në gjithë hapësirën etnolinguistike të shqiptarëve.”

Origjina e emrit të fshatit Kapre të Opojës, për shembull, sipas Gashit, vjen nga fjala latine ‘capra’ e cila në shqip do të thotë ‘dhi’.

Më poshtë e gjeni të bashkëngjitur një pjesë nga teksti i librit të Skënder Gashit “Kërkime onomastike-historike për minoritete të shuara e aktuale të Kosovës”, të publikuar në Facebook nga Agim Morina:

“Ndryshe qëndron puna, në këtë rrafsh, me popullatën shqipfolëse të krahinës së Opojës në të cilën ndeshen fjalë si kurt,-i “oborr i thurur me mur apo me gardh; 2. kopsht” nga lat. ballkanike curtis, e dalë nga cohorse kjo nga co(cum) dhe rrënjës hortus “kopsht”. Kjo fjalë e dalë nga përdorimi në latinitetin dalmat që në shek. 12, e ka ruajtur në të folmen e Opojës vlerën kuptimore të kryehershme të oborrit, pikërisht ashtu siç është ruajtur në frëngjishten, rumanishten e në greqishten e re, përkatësisht vlerën që e kishte curtisi latinitetit ballkanik si dhe fjalën burg-ue cila në këtë zonë e ka kuptimin e bartur “vath; vath rrëzë mali; rrënzë shkëmbi” dhe rrjedh nga lat. burg, burgus me kuptimin “mal, kurriz mali, gungë shkëmbore”

Ky fenomen ka ndodhur edhe tek mikrotoponimi opojar Kilikerja (nga lat. calcaria“gëlqere” me të njëjtin kalim të c/k të lat. në g si edhe tek lat. castania, shq. gështenjë) dhe tek mikrotoponimi opojar Udha pukë në katundin e sotëm Zgatar të Opojës që rrjedh nga një *Via publica e latinitetit ballkanik. Në të mirë të pranisë së një popullate shqiptare të vërshuar nga elemente romane ballkanike do të fliste edhe trajtja e ruajtur deri në ditë tonat e mikrotoponimit latin-ballkanik si Shtatuli; e emrit Blaq të katundit opojar (nga antroponimi me prejardhje latine Blasius) dhe e katundit Kapre (nga lat. capra “dhi,-a”) që tregojnë se shqiptarët autoktonë i trajtësuan e ruajtën ato fjalë e emra vendesh me origjinë nga latiniteti ballkanik (pjesë e të cilit ishin edhe këta vetë) në harmoni me ligjet fonetike të shqipes si në gjithë hapësirën etnolinguistike të shqiptarëve. Në dritën e ç’u tha më lart rezulton që as varianti goran i mikrotoponimit *Statio në trajtën Statuljtë latinitetit ballkanik, nuk do të mund të merrej për ndonjë dëshmi e kontinuitetit sllav të një emri antik, porse trajtë të cilën pararendësit vlleh të goranëve të sotëm do ta kenë adaptuar nga trajta shqipe Shtatul, që edhe dëshmohet tek mikrotoponimi homonim në katundin Blaç të shqiptarëve të Opojës. Kjo rrethanë do të tregonte që pararendësit romanë ballkanikë të goranëve të sotëm ishin bartës të një gjuhe në të cilën elementet latine ballkanike u zhvilluan ndryshe në krahasim me atë në shqipen. Dhe kjo do të jetë gjuha e trakasve të romanizuar, përkatësisht e romanëve/ vllehve ballkanikë. Në rastin tonë konkret kemi të bëjmë me fenomenin e shprehur figurativisht nga dijetari gjerman Gotfried Schramm e një vazhdimësie të lëvizshme të latinitetit ballkanik nga blegtorë romanë të Ballkanit, përkatësisht me një “Romani ballkanike të barinjve”.
/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

Fjalë kyqe: , ,
- Reklama-
- Reklama-