Llopushnik – Një zjarr ka rënë të martën, më 27 tetor 2026, në dhomën e ngrohjes qendrore të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Llopushnik.
Sipas raportit fillestar, dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një qark i shkurtër në brenerin e sistemit të ngrohjes qendrore.
Pas rënies së zjarrit, stafi i QMF-së ka njoftuar menjëherë ekipet e zjarrfikësve, të cilët kanë intervenuar dhe kanë arritur ta lokalizojnë dhe shuajnë zjarrin.
Si pasojë e zjarrit janë shkaktuar dëme materiale në dhomën e ngrohjes qendrore, ndërsa muret e objektit të QMF-së janë nxirë nga tymi.
Për shkak të dëmeve të shkaktuara, shërbimet shëndetësore në këtë qendër do të ndërpriten përkohësisht, deri në përfundimin e rinovimit të objektit.
Gjatë kësaj periudhe, qytetarët mund të marrin shërbime shëndetësore në QMF-në e Bellobradit ose në QKMF-në në Dragash.
Përfaqësuesit e QMF-së kanë falënderuar ekipin e zjarrfikësve për ndërhyrjen dhe angazhimin e tyre në lokalizimin e zjarrit.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

