Disa karakteristika të Bresanës

Opoja.net Opoja.net Lajme Opoja

Bresana, emri i vjetër i të cilës ishte “Kasaba Zinova” e që përkthyer nga gjuha turke do të thotë: “Qyteza e Zinovës”, është një nga fshatrat më të lashta dhe më të mëdha të trevës së Opojës në komunën e Dragashit, me një traditë poashtu të lashtë të ruajtjes dhe kultivimit të vlerave kombëtare dhe fetare.

Është e shtrirë në pjesën jugore të Republikës së Kosovës, rrëzë kodrave e bjeshkëve të Sharrit, rreth 30 kilometra nga Prizreni. Në lindje Bresana kufizohet me Vëshallën dhe Buzofcën e Tetovës, në juglindje me Kuklibegun, në perendim me Buzezin, në veriperendim me Brrutin dhe Zgatarin, e në veri me Blaçin. I gjithë fshati numëron afro pesëmijë banorë dhe afro pesëqind shtëpi. Të gjithë janë shqiptarë dhe i përkasin fesë Islame, sikurse edhe fshatrat e tjera të trevës së Opojës.

Bresana ka një natyrë pitoreske dhe ajër të pastër, me burime të pashterrshme të ujit. Bukurinë edhe më shumë ia shton lumi Zinova, i cili kalon përmes fshatit. Pozita gjeografike i ka mundësuar këtij fshati që të jetë edhe qendër lokale e disa fshatrave të tjera të Opojës, gjë që me kuptimin e plotë të fjalës mund të themi se Bresana sot i ngjan një qyteze të vërtetë, kur kemi parasysh se i posedon të gjitha kushtet për t’i thënë qytezë.

Ka shkollën fillore që mësojnë nxënës nga: Bresana, Kuklibegu dhe Buzezi. Funksionon zyra e vendit që ju shërben shumicës së fshatrave të Opojës. Ka ambulancën, ordinanca mjekësore private, shtëpinë e kulturës, postën, zyrën për shërbime të KEK-ut, rrjetin e telefonit fiks, internetin, rrjetin kabllovik të televizionit, restorane, kafene, tregun gjatë të shtunave, lokale me veprimtari të ndryshme zejtare e zanate, dyqane të shumta dhe të llojllojshme, por ajo që është me rëndësi të thuhet: “Në ato lokale që janë ushqimore dhe nëpër kafene nuk ka fare pije alkoolike,” etj..

Edhe infrastruktura e fshatit është mjaft e rregulluar, sidomos pas vitit 2000. Pastaj rrugët Prizren-Bresanë dhe Dragash-Bresanë janë të asfaltuara.5 Bresana është fshat kodrinoro-malor me kushte të vështira jetësore dhe klimatike që përballet me dimra mjaft të ftohtë dhe të gjatë, dhe pa tokë të mjaftueshme të bukës.

Kjo ka bërë që shumë nga të parët tanë të shpërngulen krejtësisht në: Prizren, Prishtinë, Turqi, etj.. Disa nga ata ia mësyn kurbetit në vende të ndryshme të botës, por shumica prej tyre në të kaluarën me rigorozitet kujdeseshin për familjen të cilën e lënin në fshat e nuk e merrnin me vete, vetëm e vetëm që të ruhet tradita dhe morali Islam. Bile, shumë nga ata e planifikonin që kur të dalin në pension ta kryejnë edhe haxhillëkun.

Me keqardhje dhe dhembje e themi se sidomos pas luftës shumë nga të rinjtë tanë familjen e ngusht të tyre po e marrin me vete dhe kjo jep pak shpresë që të mendohet se a do të kenë mundësi që fëmijët e tyre të cilët po lindin atje, do të kthehen ndonjëherë në vendlindjen e prindërve të tyre. Për këtë mund të them se: “Kjo është një plagë e rëndë, e cila i ngjanë një shpërnguljeje dhe asimilimi modern të ditëve të sotme për këtë fshat dhe trevën e Opojës në përgjithësi”.

Këto karakteristika për fshatin Bresanë janë marrë nga libri “Zinova” monografi fetare nga autori Kasam Muhameti, në ditët në vazhdimë do të publikojmë edhe disa shkëputje tjera nga ky libër. /Opoja.net

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-