Sipas një gazetari me inicialet M. N. (të cilin nuk e njohim se kush është), në vitin 1954 paska përgatitur një artikull për disa të dhëna të fshatit Bresanë dhe të tillat i ka publikuar në gazetën e përditshme “Rilindja”.
Sipas këtij autori, në vitin 1954, Bresana (të cilën atëherë e quanin Brodosavci, siç e kuptojmë edhe në bazë të këtij shkrimi) kishte 200 shtëpi.
Para luftës (së dytë botërore, pra para vitit 1950 – shënim i yni), mësimi për 50 nxënës zhvillohej në një shtëpi private (por nuk citohet në këtë shkrim emri i pronarit të shtëpisë).
Para luftës, siç citohet, Brodosavci nuk ka pasur shkollë fillore.
Në vitin 1954, paskan qenë 48 nxënës dhe nxënëse, të cilët janë duke kryer shkollën fillore 8 vjeçare, ndërsa të angazhuar janë 11 arsimtarë. Tani (më 1954) janë 2 objekte shkollore me nga 5 dhoma mësimi.
Në këtë katund punojnë 2 kurse për likuidimin e analfabetizmit, të cilat i ndjekin 99 gra të reja, kurse në tri kurse shëndetësore janë përfshirë 85 femra. Në kursin shtëpiak janë përfshirë 26 shoqe.
Gjithnjë sipas këtij shkrimi, thuhet: “Për kremtimin e 8 Marsit, në qendrën e fshatit kanë marrë pjesë afro 1200 gra”.
Brodosavci e ka edhe shoqërinë e vetë kulturo-artistike, e cila mban emrin e heroit të popullit “Boro Vukmiroviq”. Kjo shoqëri ka 75 anëtarë dhe shumica e tyre janë të rinj. Gjatë vitit të kaluar (1953), kjo shoqëri ka dhënë 11 shfaqje, kurse në 2 muajt e parë të këtij viti (1954) ka dhënë 4 shfaqje të suksesshme, prej të cilave 2 shfaqje janë dhënë në katundet e afërme.
Në këtë katund ka 70 hoxhallarë. Në ndërtesën e shtëpisë së kooperativës (sigurisht bëhet fjalë për shtëpinë e kulturës) ekziston edhe biblioteka me një numër të konsiderueshëm librash. Biblioteka disponon edhe një radio-aparat, rreth të cilit për çdo ditë mblidhen mesatarisht nga 70 anëtarë të Lidhjes Socialiste, sidomos të rinj.
Këtu gjinden edhe 12 ekzemplarë gazetash të përditshme dhe 11 copë “Rilindje”.
Në këtë shkrim përmenden edhe kushtet e vështira në këto objekte, si dhe shfaqet indinjata për mungesën e një banjoje, e cila do t’u shërbente mësimdhënësve dhe nxënësve të këtyre shkollave.
_____________
Në këtë kohë që jemi duke jetuar (në vitin 2021), e kemi të vështirë për t’i vërtetuar këto të dhëna që janë paraqitur në këtë shkrim nga autori M. N., pra nuk e dimë se sa kanë qenë të sakta!?
Shkrimi në këtë gazetë është huazuar nga profili i Dr. Muharrem Qafleshi në adresën e tij në Facebook, ndërsa ky citon se shkrimi është marrë nga Dr. Nuridin Ahmeti.
/OPOJAnet/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.