Dragashi përfiton mbi 883 mijë euro nga Granti i Performancës Komunale

Opoja.net Opoja.net Opoja

Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka njoftuar se ka nënshkruar Grantin e Performancës Komunale në vlerë prej 883,837.56 euro, mjete të cilat do të investohen në realizimin e projekteve infrastrukturore në komunë.

Përmes një postimi në Facebook, Xheladini bëri të ditur se marrëveshja është nënshkruar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

“Sot, në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), nënshkrova Grantin e Performancës Komunale në vlerë prej 883,837.56 euro. Këto mjete do të investohen në realizimin e shumë projekteve infrastrukturore që do të kontribuojnë në zhvillimin dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në komunën tonë”, ka shkruar Xheladini.

Kryetari i Dragashit ka vlerësuar punën e stafit komunal, duke theksuar se përkushtimi i tyre ka ndikuar që komuna të renditet ndër përfitueset e grantit.

“Shpreh mirënjohjen time të veçantë për stafin komunal, i cili me përkushtim dhe punë të palodhshme ka bërë të mundur që Komuna e Dragashit të renditet ndër pesë komunat fituese të këtij granti të rëndësishëm”, ka deklaruar ai.

Sipas Xheladinit, ky rezultat është fryt i angazhimit të përbashkët dhe një nxitje për të vazhduar punën në shërbim të qytetarëve.

“Ky sukses është rezultat i angazhimit të përbashkët dhe na motivon të vazhdojmë të punojmë me përgjegjësi dhe përkushtim në shërbim të qytetarëve tanë”, ka theksuar kryetari i Dragashit.

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-