Dobësia e trupit është në sëmundjen e rëndë, kurse dobësia e zemrës është në mëkatbërje

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Transmetohet nga
Abdullah ibn Amër ibn el-Asi (r.a.), se Pejgamberi (savs), ka thënë: “Njerëzit
më të mirë janë ata me zemër të pastër dhe gjuhë të sinqert.”
Ata e pyetën:
‘O i Dërguari i Allahut, pastaj kush?’
Ai u përgjigj: “Ata që e
përçmojnë dynjanë dhe e duan ahiretin.” ‘Po kush pas tyre?’
, e
pyetën përsëri.Muhamedi (savs) u përgjigj: “Besimtari me moral të
bukur.”
(Ibn Maxhe)

Muhamedi (savs), na mëson
përmes këtij hadithi se zemra, që është e mbushur me dritën e imanit, është
masë themelore e devotshmërisë dhe fetarisë. Këtë e vërteton edhe hadithi
tjetër dhe fjalët e Pejgamberit (savs): “Devotshmëria është këtu,
devotshmëria është këtu!
, duke treguar me dorë në gjoksin e tij. (Muslimi)

Esenca e besimit nuk
është në sasinë e madhe të veprave të dukshme, formale, por në atë që forcohet
në zemër dhe pastaj pasohet me vepra të mira. Prandaj, nuk është çudi që
pastërtia e zemrës ka qenë dhe mbetet brenga kryesore i besimtarëve të
sinqertë.

Ibrahim el-Havas ka
thënë: “Ilaçi për zemrën është në pesë gjëra:
(1) në leximin e Kuranit me reflektim,
(2) në stomakun bosh,
(3) në namazin e natës,
(4) në kërkimin e faljes në agim, dhe
(5) në shoqërimin e njerëzve të ndershëm dhe të devotshëm.”

Mëkatet për zemrën
janë sikurse helmi për trupin – edhe nëse nuk e vret, sigurisht e dobëson.

Dhun-nun el-Misri
thoshte: “Dobësia e trupit është në sëmundje të rëndë, kurse dobësia e
zemrës është në mëkatbërje. Sikur trupi i sëmurë që nuk gjen kënaqësi dhe ëmbëlsi
në ushqim dhe pije, ashtu edhe zemra, për shkak të mëkatit, nuk ndjen kënaqësi
në ibadet.”

Zemra e besimtarit,
nëse është e shndritur me dritën e imanit, është e pastër nga urrejtja,
ligësia, smira dhe sëmundjet tjera të këqija. Besimtarët e sinqertë kanë zemër
të shëndoshë dhe të pastër, sepse e dinë se në Ditën e Gjykimit nuk do të
shpëtojnë, e as nuk do të vendosen xhenet, përveç se ata që shkojnë tek Allahu
me zemër të pastër.

Transmetohet nga
Enes ibn Maliku (r.a.), se në një rast, ishin duke qëndruar me Pejgamberin
(savs), dhe ai për një moment u tha: “Tani në derë do të hyjë një nga
banorët e xhenetit!”
, dhe këtë e përsëriti tri ditë me radhë. Secilën herë
në derë hynte personi i njëjtë. Abdullah ibn Amër ibn el-Asi (r.a.), e intrigoi
rastin e këtij njeriu, dhe dëshiroi ta shoqëroi, në mënyrë që ta zbulonte veprën
për të cilën ai e meritonte xhenetin. Shkoi tek ai dhe i tha: ‘Unë jam
grindur me babanë tim dhe jam betuar se nuk do të hyjë në shtëpinë tonë për tri
ditë, kështu që erdha të të pyes, a mund të qëndroj me ty për tri ditë.’

Njeriu e lejoi dhe
Abdullahu e përcillte atë se çka bënte, por nuk vërejti se ky musliman i
kushtohej ndonjë ibadeti vullnetar, përveç asaj që ishte e urdhëruar dhe asaj
që ishte e zakonshme për të gjithë sahabët. Në ditën e tretë, ai ia zbuloi të
vërtetën dhe i tha se nuk ishte grindur me babanë e tij, por nga kureshtja qëndroi
me të dhe deshi të shihte se çka po bënte, sepse Muhamedi (savs), për tri ditë
me radhë, atë e quajti banor të xhenetit. Me atë rast, Abdullahu i tha: ‘Unë
po shoh se ti nuk po bën shumë vepra të mira, atëherë, me çka e ke arritur atë për
çka na njoftoi neve Pejgamberi (savs)?’

Njeriu u përgjigj: ‘Sa
për veprat dhe ibadetet, unë nuk bëj përveç asaj që shikove, përveç se unë në
zemrën time nuk ndiej urrejtje apo zili ndaj muslimanëve për begatitë, të cilat
Allahu u ka dhuruar atyre.’

Atëherë Abdullah ibn
Amri tha: ‘Pikërisht kjo është ajo me çka e ke arritur shkallën e
xhenetliut.
(Ahmedi)

Cilësia tjetër,
sipas të cilës dallohen njerëzit më të mirë është sinqeriteti në të folur.
Duke i nxitur besimtarët në sinqeritet dhe vërtetësi, Allahu i Plotfuqishëm, në
Kuran thotë: “O besimtarë, frikësohuni Allahut dhe jini me ata që janë të
sinqertë!”
(et-Tevbe, 119)

Në biografinë e Rebia
ibn Harashit, përmendet se ai kurrë në jetën e tij nuk kishte gënjyer. Ai
kishte dy djem të cilët kishin fshehur diçka nga Haxhaxh ibn Jusufi, dhe ai po
i kërkonte për t’i vrarë, por nuk po i gjente dot. Dikush nga suita e tij i kishte
thënë se babai i tyre ishte i vërtetë dhe kurrë nuk kishte gënjyer në jetën e
tij, andaj, do të ishte ide e mirë që ta thërrisni dhe ta pyesni për djemtë e
tij – nëse ai e di se ku janë, me siguri do të tregojë! Haxhaxhi e thirri Rebia
ibn Harashin dhe e pyeti: ‘Ku janë djemtë e tu?’

Rebia u përgjigj pa
hezituar: ‘Ja, atje në shtëpinë time janë!’

Haxhaxhi u mahnit me
sinqeritetin e tij, andaj e pyeti: ‘Çka të shtyri ty që ta flasësh të vërtetën,
kur e din se unë dua t’i vras ​​ata?’

Ai u përgjigj: ‘Unë
e urrej që ta takoj Allahun, qoftë edhe me një gënjeshtër.’

Atëherë Haxhaxhi i
tha: ‘Unë po i fali ata për shkak të sinqeritetit tënd!’

Përveç këtyre,
cilësitë e njerëzve më të mirë, siç u përmenden në hadith, gjithashtu janë edhe
morali i bukur, pastaj përbuzja e dynjasë dhe dashuria për ahiretin.

Kur bëhet fjalë për moral
të bukur, mjafton të thuhet se morali i bukur dhe vlerat më të larta morale i
kanë zbukuruar njerëzit më të mirë dhe më të zgjedhur, pejgamberët e Allahut,
dhe se morali i bukur është gjysma e besimit dhe fryti i fetarisë dhe
devotshmërisë së vërtetë.

Muhamedi (savs), ka
thënë: “Më të dashur dhe më të afërt me mua në ahiret do të jenë ata që kanë
moral më të bukur, kurse më të urrejtur dhe më të largët nga unë në ahiret do të
jenë ata që kanë moral më të keq.”
(Ahmedi, Taberaniu)

Ai, gjithashtu, ka
thënë: “Ju rekomandoj moral të bukur dhe shumë heshtje. Betohem në Allahun,
nuk ka asgjë më të mirë se kjo.”
(Ebu Ja’la)

Sa i përket përbuzjes
së dynjasë, duhet të thuhet se dashuria e verbër ndaj dynjasë është baza e
të gjitha mëkateve. Modestia dhe përbuzja e dynjasë, që e ka përmendur
Muhamedi (savs), nuk do të thotë heqje dorë dhe lënie plotësisht e dynjasë dhe begative
të saj. Ky hadith na tregon, se është i shpëtuar ai, i cili i merr frenat e
dynjasë në duart e tij dhe ai, i cili dynjanë e bën mjet për realizimin e qëllimeve
të larta, dhe të cilit dynjaja nuk ia ka pushtuar dhe robëruar zemrën.

Sulejmani dhe Davudi
(a.s.), kanë qenë njerëzit më të pasur dhe kanë pasur çka kanë dëshiruar në
dynja, por edhe përkundër kësaj, ata kanë qenë njerëzit më modest. Gjithashtu,
Ebu Bekri, Osmani, Ali ibn Ebi Talibi, Abdurrahman ibn Avfi (r. anhum), ishin
njerëz jashtëzakonisht të pasur, por edhe jashtëzakonisht modest.

Ata që e duan shumë dynjanë,
ata që e kanë brengë të vetme dynjanë, dhe ata që e kanë harruar ahiretin dhe
takimin me Allahun, do të pikëllohen në dy raste:

– nëse nuk e realizojnë
në dynja atë që kanë dashur, do të pikëllohen për atë që u ka kaluar,

– dhe, nëse e
realizojnë pasurinë e dynjasë, atëherë ata do të frikësohen që mos ta humbasin
dhe të pikëllohen, sepse e dinë që një ditë do t’ia lënë atë dikujt tjetër.

Pra, robi i dynjasë,
në çdo rast është i mashtruar dhe i mbështjellë me pikëllim dhe dëshpërim.

Transmetohet se
Abdullah ibn Abasi (r.a.), ka thënë:

‘Dynjaja do të
paraqitet në Ditën e Gjykimit në formën e një gruaje të vjetër të thinjur, të
shtyrë dhe të shtrembëruar. Çdokush që do ta shohë atë, do të ndiejë neveritje.
Ajo do të dalë para njerëzimit të mbledhur në Ditën e Gjykimit, dhe njerëzit do
të pyeten: ‘A e dini kush është kjo?’ Dhe pastaj ata do ta dëgjojnë përgjigjen:

– Kjo është dynjaja
për shkak të së cilës jeni krenuar dhe keni luftuar me njëri-tjetrin.’

Pastaj ajo ‘plaka’ e
shëmtuar do të hidhet në zjarr, duke pyetur: “O Zot, ku janë ata që më kanë
ndjekur dhe më kanë dashur mua?’ Pas kësaj, edhe ata do t’i bashkohen asaj në
zjarr.”

Ibnul-Xhevzij ka
thënë: “Dynjaja është sihirbaze më e madhe se Haruti dhe Maruti, sepse
Haruti dhe Maruti me sihir i kanë divorcuar bashkëshortët, kurse dynjaja e
ndanë dhe shkëput lidhjen midis njeriut dhe Allahut të Plotfuqishëm.”

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-