Dy shkrimtarë nga Opoja të përfaqësuar në Replublikën Poetike Shqiptare!

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Këndi Letrar Opoja

Shkrimtarët nga Opoja, Ibrahim Skenderi e Demir Reshiti janë në mesin e 105 shkrimtarëve të përzgjedhur shqiptarë të cilët janë përfaqësuar në librin e titulluar “105 vite Sulm e Lot” i cili këto ditë doli nga shtypi në vigjilje të 105 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Përzgjedhës i autorëve të përfaqësuar në këtë libër me biografi dhe disa krijime të tyre letrare, është shkrimtari Ekrem Ajruli, autor i disa librave.
Në mesin e shkrimtarëve të përfaqësuar në këtë REPUBLIKË POETIKE SHQIPTARE, ka emra të njohur të shkrimtarëve shqiptarë që kanë jetuar e krijuar në periudha të ndryshme kohore si: Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Andon Z. Çajupi, Asdreni, Noli, Migjeni, Agolli, Din Mehmeti, Ali Podrimja, Zef Serembe etj.

Prania në këtë mes e autorëve Ibrahim Skenderi e Demir Reshiti, padyshim se përbën një vlerësim që i bëhet krijimtarisë së tyre letrare por edhe nder që i bëhet trevës së Opojës nga e cila po dalin çdo ditë talente të reja letrare. Vlen të theksohet se pikërisht këta dy krijues janë autorët e parë nga treva e Opojës që kanë botuar libra (Ibrahim Skenderi monografinë për shkollën “Sezai Surroi” të Bellobradit, ndërsa Demir Reshiti vëllimin e parë poetik të titulluar “Trung i ndarë”).

“Vargjet e kulluara mirë, me brumë e frymëzimisht atdhetar, këtu i këngëtojnë poetët nga Shqipëria aktuale, ata nga Kosova, Maqedonia, Çamëria, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, nga kolonitë shqiptare të Italisë e nga mërgata. Është spektër kulturifikues letrar që frymon shqip, që porosit në këtë gjuhë dhe trimëron shpresëdhënshëm po kështu. Libri i ngjan një REPUBLIKE LETRARE me gjuhë të zgjedhur të shpirtit poetik shqiptar”, shkruan ndër të tjera recensenti i këtij libri Fadil Curri.
Libri “105 vite Sulm e Lot” është botuar në edicion të Shtëpisë Botuese “Arbëria Design” nga Tetova me kryeredaktor Dashmir Ademi.

© Opoja.net

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-