Edhe gjatë fundjavës, zyrtarët e Komunës së Dragashit shëtiten me veturë zyrtare (Foto)

Merlinda Guraj Merlinda Guraj Opoja

Ndonëse e shtuna dhe e diela janë ditë pushimi për zyrtarët e Komunës së Dragashit, duket se ata nuk ndalojnë së shfrytëzuari veturat zyrtare të Komunës edhe gjatë ditëve të vikendit.

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Dragash, në faqen e saj në Facebook ka publikuar së fundmi disa fotografi, ku shihen veturat zyrtare të Komunës së Dragashit duke u endur nëpër rrugët e Opojës. Vetëvendosje në Dragash i ka cilësuar këto veprime të zyrtarëve komunalë si keqpërdorime, të cilat “në një shtet normal, ku ligji nuk do të ishte thjesht tekst në letër, keqpërdorim i detyrës zyrtare duke keqtrajtuar asetet institucionale, në këtë rast veturën zyrtare, për punë private, masat e sanksionet do të ishin të paevitueshme.”

Kjo Qendër më tutje ka theksuar se “numri i madh i keqpërdorimeve, rëndësia e vlera e të cilave është edhe më e madhe, kanë bërë që keqpërdorime si ky i sotmi, të shëndrrohen në imtësira kur krahasohen me të bëmat e katrahurat tjera të shkaktuara nga po këta autorë.”

Në fotot e publikuara nga Vetëvendosje! e Dragashit shihen vetyrat zyrtare duke u vozitur nëpër rrugët e fshatit Blaç, Bellobrad dhe Zgatar. Këto nuk janë rastet e vetme kur zyrtarët komunalë janë parë duke keqpërdorur paratë e taksapaguesve. Edhe më herët ka pasur raste të ngjashme.

Qendra e VV-së në Dragash ka thënë se këto çështje mbeten në dorën e qytetarëve për t’u vlerësuar dhe ndëshkuar, duke theksuar se “ndryshimi është i domosdoshëm. Ai vjen me Lëvizjen VETËVENDOSJE!”/Opoja.net

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-