Opoja.net

Emërtimi Sharr për qytezën e Dragashit duhet të zyrtarizohet

Emërtimet e lashta Ilire – shqiptare që janë dëshmi për identitetin autokton shqiptar, ishin ferrë në sy për serbet dhe historinë e tyre, që ishte hartuar nga mite e gënjeshtra. Kur serbët bënë okupimin dhe kolonizimin e Kosovës përnjëherë filluan t’i realizojnë në vepër “Projektet” e posaçme të hartuara me programe të karakterit shovinist, për asgjësimin dhe ndryshimin e përkatësisë etnike shqiptare. Njëra prej detyrave parësore të serbëve ishte edhe zëvendësimi i toponimeve autoktone shqiptare me ato surrogate sllave.

Kështu ata duke u mbështetur tek toponimet e sllavizuara pohonin rrejshëm se tokat e Kosovës, janë toka sllave. Mirëpo gjatë okupimit të Kosovës, këto toponime sorrugate të imponuar me dhunë nga serbo –sllavët , edhe pse ishin të diskutueshme , për hir të rrethanave politike ato edhe nuk diskutoheshin, sepse dimensionet politike ishin drakonike. Atyre pak studiueseve iu vihej prapashtesa e njohur – izëm! Dhe për këtë arsye ata futeshin në një dosje të posaçme si njerëz të rrezikshëm për sistemin që s’kishte asgjë të përbashkët me popullin shqiptar.

130

Sa i lexoni lajmët në Portalin Opoja.net ?

Faleminderit për përgjigjen tuaj!

Me ardhjen e lirisë ka qenë e pritur që në Kosovën e lirë njohësit e mirëfilltë të onomastikës do ta fillonin procedurën institucionale të ndërrimit të emërtimeve surrogate sllave me ato autoktone shqiptare. Me iniciativën e disa individë me qëllime patriotike por jo edhe profesionale, pas përfundimit të luftës, kishin formuar komisionin për emërtime dhe standardizimin e toponimeve, gjegjësisht ndërrimin e toponimeve të imponuara sllave të vendbanimeve, shesheve dhe rrugëve, me emërtime autoktone.

Por të këto emërtime të reja, opojarët përnjëherë vërejtën se propozimet e disa emrave të vendbanimeve të Komunës së Dragashit janë bërë ose sipas dëshirës, ose janë përkthyer pjesërisht, ose është bërë ndërrimi i ndonjë shkronje ose pa ndonjë logjikë. Kështu për qytezën e Dragashit është dhënë propozimi “Sharr”, sipas malit Sharr. Pra, përpos emërtimeve të shumta që lidhen me emrin e sharrit si: “Mali i Sharrit”, “Bjeshkët e Sharrit”, “Qentë e Sharrit”, “Djathi i Sharrit”, revista “ Sharri”, “Radio Sharri”, Ndërmarrja “Sharrprodhimi”, “Sharriplast”, “Sharribeton”, etj., madje atëherë ishte dhënë propozimi edhe për emërtimin e qytezës së Dragashit me të njëjtin emër Sharr. Nga gjeografia dimë për malet Alpike, Dinarike, për malin Tomorrit, Korabit etj, por jo , edhe për ndonjë qytet apo qytezë me të njëjtin emër! Për Dragashin është dashur që të jepet propozimi për emrin Krahkosh, sepse qysh vonë kjo qytezë është quajtur me emrin Krahkosh, për arsye të konfiguracionit gjeografik të kësaj treve kodrinore – malore, banorët e kësaj ane çdo punë e bënin me krah e kosh, si: bartjen e plehut për në ara, bartjen e të lashtave, bartjen e druve nga mali ,etj., kështu lindi edhe toponimi Krahkosh, që përbëhet nga dy fjalë shqipe: nga krah dhe kosh.

Pastaj për të qenë më bindës për këtë fakt, disa fshatra malore të Gorës edhe sot e kësaj dite punët e fushës i bëjnë me krah e kosh. Edhe banorët e kësaj treve, Dragashin e quajnë ndryshe Krahkosh. Por, po të emërtohet qyteza Dragashit me toponimin Krahkosh, për popullatën ishte i pa dëshirueshëm , sepse keq tingëllonte, qyteza e Krahkishit, komuna e Krahkoshtit, etj. Emri i lashtë i Sharrit, sipas autorit antik Polibit, në veprën “Historitë” është “Skard” kurse tek autori tjetër antik Tit Livi, në veprën “Nga themeli i Romës” është “Skord”.

Kurse për etimologjinë e toponimit Sharr, kur konsultohemi me fjalorin e Gjuhës së sotme shqipe, lidhet me fjalën Sharra/ë ( f ), që është një mjet për prerjen e drurëve, por më këtë emër janë emërtuar edhe vargmalet e thepisura që dukën dhëmbë – dhëmbë. Për shkak të konfiguracionit gjeografik të dhëmbëzuar të këtyre vargmaleve , emrin e lashtë latin Skard apo Skord e kishte zënë toponimi i ri Sharr. Zvarritja edhe mos tubimi i komisionit, të caktuar nga kuvendi komunal, për emërtimin dhe standardizimin e emërtimeve të vendbanimeve , shesheve dhe rrugëve, kanë bërë që emërtimet e përcaktuara edhe keq, në popull të gjejë përdorim të gjerë, edhe gazetarët e disa gazetave të përditshme e përdorin emërtimin e ri “Sharr”, edhe presidenti i Kosovës dr. Ibrahim Rugova me rastin e inagurimit të Shtëpisë së Kulturës në Dragash, e përdori emërtimin e ri “Sharr”, gjitha ashtu gjatë fushatës zgjedhore po përdoret emërtimin “Sharr”.

Keshtu kjo krijoj një situatë konfuze, mes atyre që e përdornin emërtimin zyrtar Dragash, të cilët akuzohen si prosllav dhe atyre që e përdorin emërtimin e ri të pa-zyrtarizuar Sharr dhe që vetën e quajnë patriot e atdhetar, si do qoftë emërtimi i ri Sharr është pranuar nga populli dhe sa më parë duhet të zyrtarizohet nga organet legjitime komunale.

Shkruar nga Muharrem Qafleshi

Image may contain: one or more people, sky, tree, house and outdoor

Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net
Fokusi
Shiko
Zgjedhjet
Abonohu
Raporto