Pak ditë para përfundimit të vitit shkollor, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ende nuk ua ka dorëzuar Drejtorive Komunale të Arsimit katalogun e teksteve mësimore që do të përdoren nga shtatori.
Kjo vonesë po ngre shqetësime në nivel komunal, pasi procesi i përzgjedhjes së librave nga mësimdhënësit dhe furnizimi i librarive me tekstet përkatëse rrezikon të mos realizohet brenda afateve të nevojshme.
Drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani, vlerëson se zvarritja e publikimit të katalogut mund të krijojë vështirësi në organizimin e procesit për vitin e ardhshëm shkollor.
“Vonesa mund të shkaktojë telashe në përzgjedhjen e teksteve shkollore nga mësimdhënësit, në mënyrë që ato të procesohen më tutje dhe të sigurohen në librari para fillimit të vitit të ri shkollor”, tha ai.
Nga MAShTI nuk kanë dhënë sqarime lidhur me arsyet e vonesës dhe as afatin se kur katalogu do të jetë i disponueshëm për drejtoritë komunale.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

