Opoja.net

Facebooku e Instagrami mund të mbyllen në Evropë

Facebook dhe Instagram mund të mbyllen në të gjithë Evropën, njoftoi kompania Meta në raportin e saj vjetor, për shkak të problemeve me rregulloret evropiane që pengojnë transferimin, ruajtjen dhe përpunimin e të dhënave të përdoruesve nga Evropa në serverët amerikanë.

Sipas mediave evropiane, në raportin vjetor për Komisionin Amerikan të Letrave me Vlerë, Meta paralajmëroi të enjten e kaluar se nëse korniza e re nuk miratohet, kompania do të mbyllë Facebook dhe Instagram në Evropë.

Meta thekson se përpunimi i të dhënave të përdoruesve ndërmjet vendeve është vendimtar për shënjestrimin e biznesit dhe reklamave.

Nëse nuk miratohet një kornizë e re, “ne ndoshta nuk do të jemi në gjendje të ofrojmë produktet dhe shërbimet tona më të rëndësishme, përfshirë Facebook dhe Instagram, në Evropë”, tha Meta.

Meta dikur ishte në gjendje të përdorte një kornizë të transferimit të të dhënave të quajtur Privacy Shield si bazë ligjore për transferimet transatlantike të të dhënave. Megjithatë, në korrik 2020, Gjykata Evropiane e Drejtësisë e anuloi marrëveshjen për shkak të shkeljeve të mbrojtjes së të dhënave. Gjykata konstatoi se kuadri ekzistues nuk mbron në mënyrë adekuate privatësinë e qytetarëve evropianë.

Si rezultat, kompanitë amerikane ishin të kufizuara në dërgimin e të dhënave evropiane të përdoruesve në SHBA dhe duhej të mbështeteshin në SCC (klauzola standarde kontraktuale). BE-ja dhe SHBA-ja kanë thënë se po punojnë për një version të ri ose të përditësuar të marrëveshjes.

“Sigurimi i një marrëveshjeje të re për flukset e sigurta të të dhënave transatlantike është një prioritet për ne dhe partnerët tanë amerikanë,” tha një zëdhënës i Komisionit Evropian për Euronews.

Negociatat janë intensifikuar muajt e fundit, me diskutime në nivel teknik dhe politik. Kjo përfshin kontakte të rregullta midis komisionarit Reynders dhe koleges së tij, sekretares së Tregtisë së SHBA-së, Gina Raymondo, shtuan ata.

“Këto negociata kanë vazhduar për disa kohë, duke pasur parasysh kompleksitetin e çështjeve në diskutim dhe nevojën për të vendosur një ekuilibër midis privatësisë dhe sigurisë kombëtare,” tha zëdhënësi.

Nick Clegg, nënkryetar i Meta për çështjet globale, tha se nuk kanë absolutisht asnjë dëshirë dhe asnjë plan për t’u tërhequr nga Evropa, por Meta dhe shumë kompani organizata dhe shërbime të tjera, mbështeten në transferimin e të dhënave midis BE-së dhe SHBA-së për të punuar mbi shërbimet globale.

“Ne u bëjmë thirrje rregullatorëve të miratojnë një qasje proporcionale dhe pragmatike për të minimizuar ndërprerjen e mijëra kompanive që, si Facebook, janë mbështetur me mirëbesim në këta mekanizma të sigurt të transmetimit të të dhënave,” tha ai.

710

A mendoni se keni nevojë për të terhequr para nga trusti juaj ?

Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net