Incidentet e ditëve të fundit në palestrat sportive ku janë zhvilluar ndeshjet e basketbollit, e të cilat kulmuan me përleshjen fizike ndërmjet tifozëve të Sigal Prishtinës dhe atyre të Trepçës kanë ngritur alarmin në institucionet përgjegjëse si Federatën e Basketbollit dhe Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport.
Sot është takuar urgjent edhe Këshilli për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive negative në Sport që doli me rekomandimin për ndalimin e tifogrupeve nëpër palestrat sportive.
Menjëherë pas kësaj mbledhje, Federata e Basketbollit të Kosovës ka ftuar në takim urgjent kryetarët e klubeve dhe këtë për KosovaPress e ka konfirmuar kryetari i kësaj federate, Arben Fetahu.
“Federata e Basketbollit të Kosovës ka raportuar sot para Këshillit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive për incidentet e shënuara gjatë ndeshjeve të Superkupës së Kosovës javën që e lëmë pas e që kulmuan me përleshjen mes disa tifozëve të papërgjegjshëm nga Prishtina e Mitrovica gjatë ndeshjes finale të zhvilluar mbrëmë.”, ka thënë Fetahu.
Ai më tutje ka thënë se nga Këshilli i Sportit kanë pranuar rekomandime që kanë për qëllim çrrënjosjen e dhunës nëpër palestrat sportive.
“Më tej, FBK ka pranuar nga Këshilli Kombëtar rekomandimet të cilat kanë për qëllim shmangien dhe çrrënjosjen e dhunës nga terrenet e basketbollit dhe me të pranuar ato ka ftuar takim urgjent me të gjithë kryetarët e të gjitha klubeve të Superligës dhe ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme të Bordit Ekzekutiv të FBK, me qëllim të rishikimit të rrjedhjes së ngjarjeve dhe pajtimit për hapat e mëtejmë me qëllim të sigurimit të pajtueshmërisë me rekomandimet e Këshillit Kombëtar. “, shtoi i pari i FBK-së.
Fetahu shtoi gjithashtu se është objektiv parësor i FBK-së që të sigurojë mbarëvajtje të garave dhe të garantojë që terrenet basketbollistike t’u shërbejnë basketbollistëve dhe basketbolldashësve.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.