Fermerët e Kosovës akoma larg sigurimeve bujqësore

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Uncategorized

Fermerët e Kosovës, edhe pse që nga fillimi i vitit 2014 e kanë të drejtën të sigurojnë produktet e tyre bujqësore, akoma janë larg sigurimeve në bujqësi, për shkak se akoma nuk e kanë kuptuar mirë dhe drejtë rëndësinë e sigurimeve në bujqësi. Nuk dihet saktësisht numri i fermerëve që kanë bërë sigurimet në bujqësi, megjithatë për dy vite është rritur interesimi për sigurimin e produkteve bujqësore.

Kompania e Sigurimeve “Sigal” është e vetmja nga kompanitë e sigurimeve që ka marrë licencën për sigurimin e kulturave bujqësore nga fatkeqësitë natyrore. Pikërisht para dy vitesh, konkretisht që nga fillimi i vitit 2014, fermerët e Kosovës e kanë mundësinë që t`i sigurojnë produktet e tyre. Gjatë verës së vitit 2014 në disa komuna të Kosovës breshëri ka shkaktuar miliona euro dëme në kulturat bujqësore. Nuk janë të rralla rastet kur fermerët dëmtohen në produktet e tyre bujqësore nga fatkeqësitë natyrore, ndërsa jo çdo herë bëhet edhe kompensimi në tërësi i dëmeve nga komunat. Bujku nga Pestova, Nexhmi Ademi, ka thënë se nuk e bën sigurimin e produkteve bujqësore, por e pranon se shumë më mirë do të ishte sikur bujqit të siguronin produktet bujqësore. Ai ka thënë se sikur në Kosovë të ekzistonte sigurimi bujqësor, do të ishte një ndihmë shumë e madhe për fermerët.

“Në disa kompani të sigurimeve më kanë thënë se nuk i bëjnë sigurimet në bujqësi, sepse dëmi mund të jetë shumë i lartë dhe kompanitë nuk kanë leverdi të paguajnë sigurimet e kulturave bujqësore”, ka thënë Ademi.

Sigurimin e produkteve bujqësore, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, e ka vënë ndër prioritetet e punës së saj. Zyrtarë të kësaj Ministrie shpjegojnë se është duke u punuar në këtë drejtim, por aktualisht më tepër është vetëm si ide se sa një realizim konkret.

“Njëherë kjo është veç ide, e cila do të trajtohet dhe do të negociohet me kompanitë e sigurimit, sepse nuk kanë linja për sigurimin e kulturave bujqësore. Megjithatë, sa herë që fermerët janë dëmtuar me kulturat e tyre bujqësore nga fatkeqësitë natyrore, Ministria e Bujqësisë çdoherë iu ka dalë në ndihmë fermerëve, duke i kompensuar për dëmet në bujqësi. Mirëpo, kjo nuk është zgjidhje, sepse zgjidhje është kur vetë fermerët bëjnë sigurimet e produkteve bujqësore dhe nëse ndodhë të pësojnë dëme në produkte bujqësore, ata nuk do të mërziteshin, sepse do të kompensoheshin. Banka Qendrore e Kosovës e ka licencuar kompaninë e sigurimeve “Sigal” që të bëj sigurime në bujqësi.”

Një gjë e tillë për bujqit është e mirëseardhur. “Sikur unë t`i kisha të siguruar produktet bujqësore, nuk do e kisha qarë kokën aspak nga rreziku që vjen nga fatkeqësitë natyrore, qoftë breshëri apo vërshimet. Unë do të jem ndër bujqit e parë që do t’i siguroj kulturat bujqësore, por edhe të tjerët duhet ta dinë se sa e rëndësishme është kur e ke të sigurt produktin tënd”, thotë bujku Ademi.

Përndryshe, rreziqet më së shumti i vijnë bujqësisë nga fatkeqësitë natyrore, si breshëri dhe vërshimet, sidomos gjatë sezonit të pranverës dhe vjeshtës, por edhe nga thatësia e madhe dhe zjarret. Ndërsa, me fillimin e sigurimeve, bujqësisë dhe fermerëve do t`u zvogëlohen dëmet që vijnë nga këto rreziqe. Natyrisht se kjo do të ketë një kosto shtesë që fermeri duhet ta paguajë, por pritet që edhe Ministria e Bujqësisë të jap kontributin e vet, në mënyrë që kjo kosto të jetë e përballueshme.

Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, akoma nuk ka ndonjë ligj të hartuar dhe as të miratuar, i cili definon dëmet në bujqësi dhe përcakton pagesat e dëmeve në bujqësi, përkatësisht dëmeve në produktet bujqësore nga fatkeqësitë elementare natyrore.

“Nuk ka ligj për kompensimin e fermerëve në raste të fatkeqësive natyrore, përfshirë edhe vërshimet”, ka thënë Isuf Cikaqi, drejtor i Politikave Bujqësore dhe Tregjeve në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Megjithatë, siç ka thënë Cikaqi për portalin Bujqesia.org, ka raste kur fermerët janë kompensuar për dëmet nga fatkeqësitë natyrore: vërshimet, thatësitë, zjarret, etj. Sipas tij, për këtë qëllim Ministria e Bujqësisë për gjashtëmujorin e parë të vitit 2016 ka ndarë 160 mijë euro.

“Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti për kompensim të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet janë ndarë 160,000.00 euro dhe gjatë kësaj jave Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e saj, ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për kompensimin e pjesshëm të dëmeve natyrore të shkaktuara në bujqësi gjatë këtij viti”, ka thënë drejtori Cikaqi. Sipas tij, duke u bazuar në vendimin e qeverisë, kompensimi parashihet deri në 25 për qind nga vlera totale e dëmeve. “Vendimi parasheh kompensim prej 25 % nga vlera totale e dëmeve, bazuar në raportet e vlerësimeve të dërguara nga komunat përkatëse, në bashkëpunim me Ministrinë”, ka thënë Cikaqi. Ai ka theksuar se për 21 komuna të Republikës së Kosovës janë ndarë 263 mijë e 701 euro. “Në total janë ndarë 263 mijë e 701 euro për kompensim të fermerëve në 21 komuna të Kosovës që kanë raportuar dëme gjatë vitit. Sipas vendimit të Qeverisë, mjetet do të transferohen nga buxheti i MBPZHR-së tek komunat, të cilat do t’ua shpërndajnë mjetet ekonomive bujqësore që kanë pësuar dëme”, ka nënvizuar Cikaqi.

Ndërkaq, sa i përket numrit të bujqve që u janë kompensuar dëmet në bujqësi në gjithë Kosovën në vitin 2016, Cikaqi ka thënë se mjetet për dëmet në bujqësi transferohen nga Ministria e Bujqësisë nëpër komuna prej nga ku u shpërndahen mjetet fermerëve. Drejtori Cikaqi ka thënë se numrin e saktë të bujqve që u janë kompensuar dëmet e dinë komunat.

“Për numrin e të kompensuarve duhet të ju drejtoheni komunave, pasi që mjetet transferohen nga buxheti i MBPZHR-së tek komunat, të cilat do ua shpërndajnë mjetet ekonomive bujqësore që kanë pësuar dëme”, ka thënë Cikaqi.

Interesimi i bujqve për të bërë sigurime në bujqësi për produktet e tyre është në rritje, por sa është kjo shkallë e rritjes, nuk ka të dhëna të sakta, pos asaj se ka shtim të rritjes së interesimit nga ana e bujqve për të siguruar produktet e tyre.

“Kemi fermerë që janë të interesuar për sigurimin e kulturave bujqësore”, ka thënë shkurt Cikaqi.

Ndërkaq, zyrtarë nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës kanë thënë se ekziston Ligji i përgjithshëm i sigurimeve nr.05/L-045, respektivisht neni 7 definon sigurimet. “Në ligjin e përgjithshëm të sigurimeve Nr. 05/L -045, respektivisht neni 7 “Veprimtaria e sigurimit të jo jetës”, paragrafi 9 (klasa e sigurimit 9)”, ka thënë Besnik Kada, drejtor i Departamentit për Marrëdhënie me Jashtë i BQK-së.

“9. Sigurimi i dëmtimeve të tjera të pasurisë mbulon të gjitha dëmtimet ose humbjet në pasuri të ndryshme nga ato që përfshihen në klasat 3, 4, 5, 6 dhe 7 të parapara në paragrafët 3, 4, 5, 6 dhe 7 të këtij neni, kur dëmi është shkaktuar nga breshëri, përmbytjet ose nga ngrica dhe çdo ngjarje e tillë, si vjedhje të ndryshme nga ato të përmendura në klasën 8 të paraparë në paragrafin 8 të këtij neni” është paraparë sigurimi për dëmet në bujqësi, çka do të thotë se sigurimi bujqësor është i rregulluar me ligj”, ka thënë Kada.

Sipas tij, sipas raporteve nga kompanitë e sigurimeve nuk ka rezultuar të ketë prime të shkruara nga ky lloj sigurimi.

“Aktualisht sipas raporteve te dorëzuara nga kompanitë e sigurimeve ,  nuk ka rezultuar të ketë prime te shkruara nga ky lloj sigurimi”, ka thënë  Besnik Kada, Drejtor i Departamentit për Marrëdhënie me Jashtë në BQK.

Sigurimi i bagëtisë: mbrojtja financiare ndaj rrezikut që bagëtia të pësojë lëndime apo ngordhje. Ky tip i sigurimit mund të paketohet bashkë me sigurimin e të korrurave dhe të quhet sigurim bujqësor. Sigurimi i të korrurave: Mbrojtja financiare ndaj rrezikut lidhur me pësimin e dëmtimit ose shkatërrimin e të korrurave bujqësore. Ky tip i sigurimit mund të bashkohet me sigurimin e bagëtisë dhe të quhet sigurimi bujqësor.

Kryetari i Federatës së Sindikatës së Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, ka thënë se nuk ka sigurime bujqësore në Kosovë. “Në Kosovë nuk ka sigurime për bujqit, gjegjësisht për prodhimtarinë bujqësore, ngase Qeveritë e Kosovës nuk kanë ofruar forma adekuate stimuluese apo obliguese për t’i siguruar kulturat bujqësore, sikur ishte dikur”, ka thënë Tahir Tahiri, kryetar i Federatës së Sindikatës së Bujqve të Kosovës.

“Nuk ka masa mbrojtëse si dikur me raketahedhës kundër breshrit, etj. “Nuk ka masa mbrojtëse si dikur me raketahedhës kundër breshrit, etj. Dëmet që vijnë nga breshëri, nga vërshimet, furtunat, zjarret, etj., kompensohen vetëm 0.5% nga Ministria e Bujqësisë dhe atë me prioritet për militantët partiakë apo atyre që dhënë mito”, ka thënë Tahiri.

Ndërkaq, Adem Selmani, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Kompanive të Sigurimeve të Kosovës, ka shkruar: “Tregu i Sigurimeve në Kosovë ka kaluar një fazë të rëndësishme të zhvillimit dhe konsolidimit të tij në dhjetëvjeçarin e fundit. Ai tanimë ka arritur në nivel shumë të kënaqshëm të zhvillimit dhe si i tillë mund të ofrojë shërbime mjaft cilësore për qytetarët e Republikës së Kosovës. Sigurimet luajnë një rol të rëndësishëm në jetën dhe ekonominë e qytetarëve, si individ dhe si shoqëri, rëndësia e tyre është e pakontestueshme për të mirën e qytetarëve, sidomos tani kur jemi duke jetuar në një botë shumë dinamike, ku puna dhe aktivitetet e përditshme jetësore kanë filluar të bartin në vete një rrezik të madh.

Shoqata e Sigurimeve të Kosovës përmes kësaj reviste dhe aktiviteteve tjera do të mundohet të argumentojë se sigurimet nuk janë një element tabu, por përkundrazi janë për të mirën e qytetarit, ekonominë e tyre familjare, jetën e tij, biznesin dhe të ardhmen e tij, e cila asnjëherë nuk është e sigurt, nëse ne nuk e sigurojmë atë.

Andaj, tregu i sigurimeve do të mundohet të jetë sa më pranë qytetarit, për t’i përmbushur nevojat dhe kërkesat e tij, si dhe për t’i ofruar një të ardhme sa më të sigurt. Mos lejoni që një rrezik i vogël të ju shkaktojë humbje të mëdha. Së bashku do të jemi më të sigurt”./bujqësia.org/

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-