OPOJANI FIKRET RAMADANI – DOKTORI MË I RI I SHKENCAVE FILOLOGJIKE
Fikret Mexhit Ramadani është doktori më i ri i shkencës nga Opoja. Fikreti të martën, më 19.11.2024, mbrojti me sukses disertacionin e doktoratës me titull: “Analizë kritike mbi veprat letrare, përkthimet dhe shkrimet publicistike të Hafiz Ali Korçës”.
Titullin doktor shkence Fikreti e ka fituar në Fakultetin e Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë. Mentor i tezës së doktoratës ka qenë prof. dr. Vebi Bexheti, ndërsa bashkëmentore, prof. asoc. dr. Vjollca Dibra. Përveç mentorit dhe bashkëmentorës, pjesë e Komisionit për vlerësimin e tezës së doktoratës ishin: prof. dr. Demush Bajrami, prof. dr. Arafat Shabani dhe prof. dr. Meral Veseli.
Dr. Fikret Ramadani është i lindur në fshatin Blaç të Opojës. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje ndërsa të mesmen në medresenë e Prizrenit.
Studimet themelore i ka përfunduar në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universiteti “Ukshin Hoti” – Prizren.
Menjëherë pas përfundimit të studimeve themelore, Fikreti ka vazhduar Masterin Shkencor në Departamentin e Letërsisë, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës ku ka diplomuar me notën maksimale10. Duke qenë studenti më i mirë i brezit të tij në këtë Universitet (për vitet akademike 2017-2019), Fikreti u dekorua me certifikatën “STUDENT I DALLUAR” me rezultate të larta mësimore në ciklin e dytë Master i Shkencave.
Përveç çmimit “Student i dalluar” nga Rektorati i Universitetit të Tiranës u dekorua me MEDALJEN E ARTË me motivacionin: Për përfundimin me rezultate shumë të larta të programit të studimi “Master i shkencave në Letërsi (Letërsi e Përgjithshme dhe e Krahasuar).
Rezultatet kulmore të Fikretit të arritura gjatë studimeve në Universitetin e Tiranës tërhoqën vëmendjen e disa mediumeve të Tiranes nga të cilat u ftua për të diskutuar lidhur me kurrikulat mësimore në mes të dy shteteve shqiptare dhe për problemet dhe pengesat e studentëve që vijnë nga Kosova në Shqipëri etj.
Nga viti 2020 është angazhuar në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit “Ukshin Hoti” – Prizren ku aktualisht mban pozitën e shefit për mësim në këtë Departament.
Duhet theksuar se dr. Fikret Ramadani ka marrë pjesë në dhjetra konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare ndërsa rezultatet e hulumtimeve i ka publikuar në revista të ndryshme shkencore.
Në njoftimin që ka bërë në kohështrirjen e profilit të tij në facebook me rastin e mbrojtjes së disertacionit të doktoraturës, Fikreti ka shkruar se këtë sukses ua dedikon prindërve Sanijes dhe Mexhitit, duke shtuar se “pa mbështetjen e tyre të pashembullt nuk do të kisha arritur këtë sukses”! (D. Reshiti)
Ta urojmë të gjithë,
Urime dr. Fikret,
Shëndet e suksese!
/OPOJAnet/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.