Filiz Mustafa betohet si deputet i Legjislaturës XI të Kuvendit të Kosovës

Opoja.net Opoja.net Opoja

Prishtinë – Filiz Mustafa ka dhënë sot betimin si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke nisur zyrtarisht mandatin e tij në Legjislaturën XI.

Në fjalën e tij pas betimit, Mustafa është zotuar se detyrën e deputetit do ta ushtrojë me nder, përkushtim dhe dinjitet, duke theksuar se do të punojë në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

“Betohem se detyrën do ta kryej me nder, përkushtim dhe dinjitet, duke përfaqësuar popullin dhe punuar në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka deklaruar Mustafa.

Ai ka theksuar gjithashtu angazhimin e tij për respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, mbrojtjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale, si dhe garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, shkruan Opoja.net.

Në këtë legjislaturë, Mustafa do të jetë pjesë e Komisionit për Mjedis, Planifikim Hapësinor, Ushqim, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Transport. Ai ka bërë të ditur se këtë përgjegjësi e merr me besimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe të kolegëve të tij nga grupi parlamentar.

Po ashtu, në seancën e parë të tij si deputet, Kuvendi miratoi Deklaratën e Përbashkët për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Sipas Mustafës, përmes kësaj deklarate është riafirmuar qëndrimi institucional për mbrojtjen e së vërtetës dhe pastërtisë së luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.

“Na presin shumë punë përpara. Bashkë!”, ka përfunduar Mustafa.

Me betimin e tij, Filiz Mustafa i është bashkuar përbërjes së re të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndërsa në vazhdim pritet të angazhohet edhe në punën e komisionit parlamentar ku është caktuar, shkruan Opoja.net.

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-