Policia e Kosovës njoftoi të premten se ka ndërmarrë masa të shtuara për mbarëvajtjen dhe kontrollin e trafikut me qëllim të ofrimit të sigurisë, parandalimit të aksidenteve dhe reduktimin e kolonave në rrugë.
Përmes një njoftimi, policia deklaroi se këtë po e bën në kuadër të planit operativ “Sezoni veror 2023”, i cili po realizohet për shkak të fluksit të shtuar të automjeteve në trafik këto ditë.
Sipas komunikatës për media, si rrjedhojë e kësaj po krijohen kolona të gjata sidomos në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë.
“Duke marrë parasysh fluksin e shtuar të automjeteve në trafik ditëve të fundit, ku rrjedha e trafikut po zhvillohet më e ngadalësuar dhe si rrjedhojë po krijohen kolona të gjata sidomos në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë, referuar kësaj gjendje në kuadër të planit operativ ‘Sezoni veror 2023’, Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Jugut po vazhdon me masa të shtuara për mbarëvajtjen dhe kontrollin e trafikut me qëllim të ofrimit të sigurisë, parandalimit të aksidenteve dhe reduktimin e kolonave në rrugë”, thuhet në njoftim.
Policia tutje bëri të ditur se në këto rrethana, me qëllim të rrjedhjes normale të trafikut në ditët në vijim, prezenca policore do të ketë njësi shtesë të angazhuara të cilat do të jenë të pranishme në udhëkryqe, rreth-rrotullime si dhe segmente të caktuara rrugore për kontrolle dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.
“Në kuadër të këtyre angazhimeve të shtuara njësitë policore po ndërmarrin veprimet e parapara ligjore duke mos përjashtuar gjobat ndaj kundërvajtësve të cilët nuk iu përmbahen rregullave dhe rrezikojnë pjesëmarrësit në trafik”.
Në 24 orët e fundit thuhet se janë shqiptuar 147 gjoba të ndryshme, përfshirë kundërvajtje pa patentë shofer, pa regjistrim te automjetit, ngasje nën ndikim alkooli, përdorim i telefonit gjatë ngasjes etj. /Telegrafi/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.