Fshati Kuk, që nuk u përkul ndaj pushtuesve sllavo-ortodoksë

Opoja.net Opoja.net Lajme Opoja

Fshati Kuk i Opojës është fshati që gjatë historisë arriti të frymonte shqip, përkundër presionit të madh të pushtuesit sllav. Fshati shtrihet rrëzë maleve të Sharrit, në lartësinë mbidetare 1150 m. Nëpër Kuk kalon lumi i fshatit, kurse pasuritë natyrore të Kukit janë kullosat, toka fushore dhe ujërat. Studiuesi Bedri Halimi shprehet se këtë vendbanim, ndonëse nuk e gjejmë në dokumente të shkruara, mendohet se ky fshat është mjaft i vjetër. Ndryshe, sipas shënimeve statistikore në vitin 1865 fshati kishte 45 shtëpi; rreth vitit 1879 i kishte 40 shtëpi; kurse sipas regjistrimit të vitit 1913 kishte 563 banorë; në vitin 1918 kishte 60 shtëpi me 347 banorë shqiptarë; në vitin 1912 kishte 63 shtëpi me 433 banorë; në vitin 1948 i kishte 71 shtëpi me 640 banorë; në vitin 1953 kishte 83 shtëpi me 655 banorë; në vitin 1961 i kishte 79 shtëpi me 669 banorë, të gjithë shqiptarë; në vitin 1971 kishte 97 shtëpi me 985 banorë (966 shqiptarë, 19 të tjerë); në vitin 1981 i kishte 131 shtëpi me 1334 banorë, të gjithë shqiptarë. Ndërsa, në vitin 1991 i kishte 161 shtëpi me 1625 banorë. Fshati ka lidhje të mira rrugore, shkollën e plotë fillore, ambulancën “Nënë Tereza”, disa dyqane tregtare e zejtare si për punimin e drurit, lëngjeve dhe prodhimin e kaloriferëve etj, shkruan gazeta Kosova Sot.

Toponimia shqipe

Fshati Kukit ka sipërfaqen 6,62 km2, ku jetojnë 1750 banorë në 185 shtëpi. Për nga numri i popullsisë dhe shtëpive është vendbanimi i tretë në Opojë. Mëhallët që e përbëjnë fshatin përputhen me fiset Kelaj, Durakaj, Velaj, Tafaj, Medaj, Hoxhaj dhe Pashtraj. Ndër toponimet që gjenden në këtë territor veçohen: Sefos, Ostrika, Baxhak, Ndërvorrëza, Ligata, Defalle, Livadhe, Begit, Livadhet e mëdha, Rakita, Hederza Lithiza, Ndërlugjez, Lug, Gurthi, Livadhet e Muratit, Stërga, Guri çamë, Mllakat e Danës, Guri i Hakulit, Kodra e Vashave, Rrethi i Pites, Guri i gatë, Gropshta e sipër, Verri rrahës, Vija e ahut, Norshinëz, Kroi i Hakmagjes, Kroi Kadisë, Kroi Leros, Kroi Gurit të gatë, Kroi Nusos, Përroi gurëzve, Reka Kukit, Guri qenit, Guri Limuar, Guri Stërgos, Guri Kthyet, Guri shejas etj. Halimi shpjegon se sipërfaqja e arave është 135 ha, e livadheve 87 ha, e kullosave 407 ha dhe e pyjeve 12 ha.

Opoja nën sundimin e egër bullgar

Treva Opojës shekuj me radhë ishte territor i Bizantit. Për një kohë të shkurtër, në fillim të shek. XII, Opoja ishte nën pushtetin bullgar. Faktet tregojnë se populli shqiptar përjetoi periudhën më të errët të ekzistimit të vet, gjatë kësaj kohe. Opoja, gjatë kësaj periudhe, pësoi dëme shumë të mëdha. Më pas, shumë fshatra të saj, sunduesit e Nemanjiqëve i bënë pronë të manastireve të veta, si ai i Shën Arhangjejve, Shën Premtes etj. Të gjithë banorët u ngarkuan me taksa të mëdha dhe punë të detyruar, që duhet ta bënin për interesat e okupatorit. Për shembull, gjersa Drinia ishte e ngarkuar të siguronte drithin për Manastirin e Shën Arhangjejve, sredskasit siguronin sanën, opojarët e furnizonin këtë manastir me prodhime blegtorale (mish, tëlyen, djathë e kajmak). “Në fushën e besimit, gjuhës dhe kulturës u bënë ndryshime të dhunshme dhe shumë të mëdha në ketë trevë”, rrëfen Halimi. Sipas tij, qendra kishtare shqiptare në Ulinë, e cila tubonte rreth vetes të gjitha kishat e Opojës, Gorës, të Sdretskajve dhe një pjese të fshatrave të Tetovës u la pas dore, derisa shtresa e ngritur feudale shqiptare për t’u favorizuar u përfshi në skizmën e Kishës lindore, në mënyrë që përmes kësaj të bëhet sllavizmi i kësaj treve të pastër iliroshqiptare. Halimi shpjegon se në këtë periudhë u bë ndërrimi i dhunshëm i emrave të banorëve, mikro dhe makro toponimisë.

Krahina më pak e hulumtuar

Opoja, trevë etnikisht shqiptare që për nga pikëpamja e kulturës shpirtërore e materiale ka një trashëgimi të pasur me elemente dhe me vlera të veçanta, për fat të keq, nuk është e njohur sa duhet. Për Opojën nuk janë bërë studime e hulumtime shteruese, ndaj edhe ka mbetur sot e kësaj dite një ndër trevat shqiptare më pak të njohura dhe më pak të studiuara. Pikërisht për këtë arsye dr. Sadik Mehmeti, punonjës shkencor në Arkivin e Kosovës dhe ligjërues në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë dhe në Fakultetin Filozofik në Universitetin “Hasan Prishtina”, duke qenë edhe vetë i lindur dhe i rritur në këtë trevë, i është qasur punës hulumtuese e studimore e cila ka kulmuar me botimin e librit “Kontribute për historinë e Opojës”. “Është një përpjekje për të sjellë të dhëna për disa ngjarje, personalitete e institucione të kësaj treve, kryesisht të shekullit XX dhe është padyshim një libër me vlera të pakontestueshme historike për Opojën”, tregon prof. Mehmeti. E ashtuquajtura histori e fshehur, ajo që zhvillohet në margjinat e ngjarjeve të rëndësishme shoqërore, pas analizave të hollë- sishme dhe shumështresore mund të tregohet si faktor i rëndësishëm në krijimin e disa parimeve të reja shoqërore. “Një nga njohuritë më të rëndësishme deri tek e cila mund të arrijmë në atë mënyrë, është për shembull, kush ishin prijatarë në luftën për emancipimin fetar, dhe ngritjen e vetëdijes kulturore e kombëtare në Opojë, njerëz të cilët çdo minutë të kohës së tyre e shfrytëzuan për këtë qëllim”, thotë Mehmeti.

Fshati i kurbetçinjve

Bedri Halimi duke folur për “Kosova Sot” tregon se ka shumë kurbetçinj dhe numri i tyre është i madh dhe është numër lëvizës. “Kemi të punë- suar në Gjermani, në Austri, në Itali, në Zvicër”, shprehet Halimi, duke shtuar se kjo plagë e ka goditur secilin vendbanim shqiptar. Banorët që jetojnë në fshat janë të kënaqur me kushtet e jetesës. Ata shprehen se rruga është e asfaltuar, kurse në disa pjesë është edhe tubëzimi, derisa edhe infrastruktura tjetër është e realizuar në masë të konsiderueshme. Banorët thonë se ka nevojë për renovim të rrjetit të ujësjellësit si dhe ndërtimin e rrugës së bjeshkës. Banorët kryesisht merren me blegtori. “Banorët vazhdojnë t’i ruajnë disa nga traditat e vjetra, veçanërisht dasmat e kanagjeqet”, tregon Halimi. Ndryshe, banorët e Kukit kanë ankesa ndaj KEDS-it, sepse në acarin e ditëve të fundit ata mbeten plotë një javë pa energji elektrike. Edhe dëmet ekonomike nga ndërprerja e rrymës ishin të mëdha. Ata pohojnë se KEDS-i në raste e këtilla duhet pasur kujdes se si sillet karshi një rajoni të tërë.

(Kosova Sot)

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-