Hovenier: Kosova dhe Serbia e kanë studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, ju mbetet të vendosin

Merlinda Guraj Merlinda Guraj Intervista

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier në një intervistë për RTV KIM ka folur edhe për çështjen e Marrëveshjes së Washingtonit, sanksioneve të SHBA-së ndaj disa kriminelëve serbë në Kosovë dhe për çështjen e Liqenit të Ujmanit midis Kosovës dhe Serbisë.

Ai është shprehur fillimisht se në Kosovë ka potencial për korrupsion, duke ditur se 40 për qind e buxhetit të përgjithshëm të Kosovës shpenzohet në prokurorim publik.

“Kam mësuar disa gjëra për këtë pasi kam ardhur këtu si ambasador. Fakti është se 40 për qind e buxhetit të përgjithshëm të Kosovës shpenzohet për prokurorim publik. Janë shumë para. Shumë prej tyre bëhen në nivel komunal sepse aty bëhen shumë prokurorime. Pra, ka edhe potencial për korrupsion, por është gjithashtu shumë e rëndësishme që procesi të jetë i drejtë dhe transparent.

Ai më tutje foli edhe për sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj kriminelëve serbë në veri të Kosovës duke thënë se vendimet për sanksione bazohen në prova bindëse ose për krimin e organizuar transnacional ose për destabilizimin e rajonit.

“Për sa i përket sanksioneve më të gjera, dua të jem i qartë për një gjë. Ne nuk e bëjmë këtë lehtë dhe nuk e bëjmë në mënyrë kapriçioze. Kur Ministria e Financave cakton dhe thotë se një person i caktuar i nënshtrohet sanksioneve në këtë rajon, do të thotë një nga dy gjërat: ose kemi një provë shumë bindëse se ky person është i lidhur me krimin e organizuar transnacional ose se ai është i përfshirë në mënyrë specifike në akte që do ta destabilizonin rajonin. Nuk është se dikush merr pjesë te letra dhe nënshkrimi i saj miraton diçka. Pra, nëse kemi sanksionuar dikë të jeni të sigurt, ne kemi prova shumë të mira dhe arsye shumë të mira për këtë. Dikush që i nënshtrohet sanskioneve përballet me pasoja, përfshirë çdo pasuri që ai mban në Shtetet e Bashkuara nuk janë më në dispozicion të tyre. Ne inkurajojmë njerëzit të mendojnë me kujdes për marrëdhëniet që kanë me ata që i kemi sanksionuar. Ne nuk do të kemi marrëdhëniet që kemi treguar”, tha Hovenier.

Hovenier tutje deklaroi gjithashtu se administrata aktuale amerikane “i hodhi një sy” detyrimeve (marrëveshjes) dhe vendosi që ato ende kanë status të vlefshëm dhe se ka një sërë detyrimesh që shpresojnë se do të zbatohen.

“Disa janë zbatuar, disa janë kapërcyer nga ngjarjet dhe disa do të vazhdojmë të punojmë së bashku. Megjithatë, në një kuptim më të gjerë, ne gjithashtu besojmë se një numër i angazhimeve ose marrëveshjeve ekzistuese që janë arritur ose brenda procesit të Brukselit ose në një tjetër rrugë janë ende të pazgjidhura dhe presim që edhe Qeveria e Serbisë edhe ajo e Kosovës t’i përmbushin obligimet që i kanë marrë”, tha ai.

Më tutje, Hovernier përkujtoi se qeveria e Kosovës dhe e Serbisë kanë një propozim dhe një studim fizibiliteti për Liqenin e Ujmanit si furnizues i besueshëm i energjisë dhe ujit.

“Pak para ardhjes sime (si ambasador), pra para disa kohësh, ne e përfunduam këtë studim të fizibilitetit dhe ia dhamë qeverisë së Serbisë dhe qeverisë së Kosovës. Është në dorën e këtyre dy qeverive që të vendosin se çfarë hapash shtesë duan për të marrë, nëse ka. Por ata kanë një studim fizibiliteti”, tha Hovenier.

Çështja e liqenit të Ujmanit ishte një nga pikat e marrëveshjes së 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë.

Të dyja palët janë pajtuar që të punojnë me Departamentin Amerikan të Energjisë dhe subjektet e tjera të Qeverisë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.

Në qershor të vitit 2021, Shtetet e Bashkuara u kanë dorëzuar Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit.

“Në propozojmë që Kosova dhe Serbia të marrin në konsideratë aranzhimet teknike nga traktati ndërmjet SHBA-së dhe Kanadasë për lumin Kolumbia, në lidhje me furnizimin me ujë, të agjencive të energjisë dhe kontrollimit të përmbytjeve, duke modeluar nevojat institucionale, për të mbështetur një komision të tillë edhe për lumin Ibër”, thuhet në dokument.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-