Hutbe – Mosha 60 vjeçare

Linda Guraj Linda Guraj Artikuj

Falënderimi i takon Allahut të Lartësuar, Zotit të të
gjitha botëve. Paqja dhe bekimet qofshin mbi pejgamberin Muhamed (savs), mbi
familjen e tij të nderuar, mbi sahabët dhe mbi të gjithë pasuesit e tij.

Vëllezër të respektuar!

Tema e hutbes
së sotme është: „Mosha 60 vjeçare“

Pejgamberi (savs), në hadithet e tij, e ka theksuar posaçërisht
moshën 60 vjeçare. Për këtë arsye, çdo musliman i cili i afrohet asaj moshe ose
tashmë e ka mbushur moshën 60 vjeçe, duhet të mendojë mirë për këto hadithe,
dhe atë periudhë të fundit të jetës së tij, ta kalojë maksimalisht në ibadet
dhe vepra të mira.

Imam Buhariu, madje një kapitull, në Sahihun e tij e ka
quajtur: “Ai që e arrin moshën 60 vjeçe nuk do të ketë justifikim tek Allahu,
bazuar në fjalët e Allahut të Madhërishëm:

“Ata, në të (xhehenem), do të
thërrasin (duke bërtitur): “O Zoti ynë, nxirrna (prej zjarrit), do të bëjmë
vepra të mira, e jo asosh çfarë kemi bërë”. (Atyre ju thuhet): “Vallë, a nuk u
kemi dhënë Ne jetë juve, aq sa që të mendohet për të – ai që don të
këshillohet, e juve madje, u pat ardhur paralajmëruesi.”
(Fatir, 37) Fjalët
e Allahut: –  ‘paralajmëruesi’
i referohen flokëve të thinjura. Dhe pastaj ka cituar hadithin: “Allahu
nuk do ta pranojë justifikimin e një njeriu vdekjen e të cilit e ka shtyrë deri
në moshën 60 vjeçe.”

Pse është kështu?

Sepse 60 vjet janë periudhë e gjatë dhe e mjaftueshme që njeriu
ta njohë të vërtetën, të lexojë Kuran, t’i mësojë rregullat islame dhe të bëhet
rob i nënshtruar i Allahut.

Në një hadith tjetër, Pejgamberi (savs), ka paralajmëruar:
“Vdekja është më e shpeshtë midis moshës 60 dhe 70 vjeçare.” (Hakimi)

Ai, gjithashtu ka thënë: “Afati i jetës së umetit
tim është midis 60 dhe 70 vjet. Janë të paktë ata që jetojnë më gjatë se kaq.”

(Tirimidhiu dhe Ibn Maxhe)

Prandaj njerëzit e mençur kanë thanë:

“Ekzistojnë 4 mosha të jetës:
 (1) mosha e fëmijërisë,
(2) mosha e rinisë,
(3) mosha e mesme dhe
(4) mosha e pleqërisë, si faza e fundit e jetës njerëzore, e cila është më së
shpeshti midis 60 dhe 70 vjet. Në atë moshë shfaqet dobësia, domethënë humbja e
forcës dhe pleqëria, kështu që në atë moshë njeriu do të duhej t’i kthehet
krejtësisht ahiretit, pasi që është e pamundur të kthehesh në gjendjen
fillestare të gjallërisë, aktivitetit, rinisë dhe forcës.”

Sufjan eth-Thevriu (r.h.) madje thoshte: “Çdo musliman
që mbush 60 vjet duhet ta blejë qefinin për vete.”

Ndërsa Vehb b. Munebbih thotë:
“Kam lexuar në faqet e Tevratit që Allahu çdo natë thërret dhe thotë:
‘O ju që keni mbushur 40 vjet, ju jeni drith i pjekur për korrje;
O ju që keni mbushur 50 vjet, nxitoni në (vetë)llogari, për të parë se çka keni
përgatitur dhe çka keni humbur;
O ju që keni mbushur 60 vjet – nuk keni arsyetime;
Kurse ju që keni mbushur 70 vjet, numrojeni veten me të vdekurit!”

Vëllezër të dashur!

Sado që të jetë jeta e gjatë dhe e ëmbël, me kalimin e
kohës ëmbëlsia dhe kënaqësia zhduken, kurse pasojat mbesin. Dhe, pavarësisht sa
shumë begati të kësaj bote që të ketë njeriu, kur të vijë çasti i vdekjes, në
një çast i harron të gjitha begatitë, sikur të mos kishin ekzistuar kurrë.

Këtë na e tregon ajeti vijues, në të cilin Zoti i botëve porosit:

„E, çka mendon ti, nëse Ne u japim
atyre, që të kënaqen disa vjet, – e pastaj, t’i godet ata, ajo që u është
premtuar (dënimi), – nuk do t’ju vlejë asgjë atyre, ajo, me të cilën janë
kënaqur.“
(esh-Shu’ara, 205-207)

Njerëzit e devotshëm të brezave të parë qanin kur i
lexonin këto ajete.

Prandaj, i lumi ai, të cilit Allahu i ka dhënë jetë të
gjatë, dhe ai e kalon atë në bindje ndaj Allahut dhe në bërje të veprave të
mira, kurse i mjerë ai, të cilit Allahu i ka dhënë jetë të gjatë, dhe ai e
kalon atë në mëkate dhe mosbindje ndaj Krijuesit të Lartësuar.

Në lidhje me këtë, transmetohet se sahabët e pyetën
Pejgamberin (savs): “Cili njeri është më i miri?” Dhe ai u
përgjigj: “Ai të cilit Allahu i jep jetë të gjatë, dhe ai e kalon atë
duke bërë vepra të mira.”
Pastaj ata e pyetën: “Po cili njeri është
më i keqi?”
Dhe ai u përgjigj: “Ai të cilit Allahu i jep jetë të
gjatë, dhe ai e kalon atë në mëkate.”
(Ahmedi dhe Ed-Darimi)

 I lutemi Allahut
të dashur që ta bëjë jetën tonë në shenjë të veprave të mira dhe bindjes ndaj
Tij!

O Zoti ynë, na ndihmo në rrugë të mbarë. Largoje të keqen
nga ne, dhe bëje që veprat tona më të mira, të jenë veprat e fundit në këtë
botë!

O
Zot, ndihmoju të rrezikuarve që t’i realizojnë të drejtat e tyre!

O
Zot, çliroje umetin nga pandemia, nga okupatori dhe nga sundimtarët e dhunshëm!

O
Zot, mos na sprovo neve me atë që nuk mund ta përballojmë!

O
Zot, mos lejo asnjëherë që të na poshtërojnë apo mposhtin pabesimtarët.       

O
Zot, bëje që dita jonë më e lumtur të jetë dita e takimit me Ty! Dhe, me
mëshirën Tënde na vendos në xhenetin e përjetshëm! Amin! 

Përshtati: Miftar Ajdini

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-