Sipas IKD-së, bazuar në gjetjen e analizës së raportit “Edhe Saime Domazeti u vra në duar të shtetit” bashkë me organizatën CLARD, flasin për përsëritje të rasteve të mostrajtimit adekuat të viktimave të dhunës në familje.
Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, ka thënë se nisur nga rrethanat e rastit, Prokuroria Themelore në Prizren dhe Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave e ka ditur ose është dashur të dijë se ndaj tani të ndjerës ekziston një rrezik real vdekjeprurës. Një vrasje në këto rrethana nga jurisprudenca e GjEDNj-së, sipas IKD-së, cilësohet si shkelje e të drejtës në jetë, jurisprudencë kjo detyrimisht e aplikueshme në rendin kushtetues dhe juridik të Kosovës.
“Sipas këtyre standardeve, vrasja e Saime Domazetit është rast tipik i shkeljes së të drejtës në jetë”, ka thënë Shala.
Arrita Rezniqi, hulumtuese e lartë në IKD, ka thënë se në rastin e 67-vjeçares institucionet shtetërore nuk kanë ofruar siguri dhe mbrojtje për viktimën edhe pse kanë qenë në dijeni se e njëjta është viktimë e dhunës në familje. Sipas saj, në këtë rast nga Gjykata Themelore në Prizren, dega në Dragash, nuk ka pasur kërkesë për caktimin e urdhrit mbrojtës, e as kërkesë për masë sigurie dhe se nga Qendra për Punë Sociale janë informuar se ky rast nuk është referuar në strehimore.
“Për një periudhë të gjatë kohore, nga 8 nëntori deri në momentin kur e njëjta ka vdekur, më 26 dhjetor, pra për gati dy muaj, institucionet nuk kanë arritur të gjejnë një zgjidhje adekuate për viktimën e dhunës në familje, por e kanë lënë të njëjtën nën mëshirën e atyre që veçse akuzohen për veprën penale ‘dhunë në familje’ ”, ka shtuar Rezniqi.
Ajo ka theksuar se nga ajo që shihet sipas një vlerësimi të aktakuzës së siguruar nga IKD-ja, rezulton se krahas trajtimit jo të duhur të rastit dhe mosveprimit institucional, edhe ato veprime të pamjaftueshme që janë ndërmarrë në këtë rast, evidentojnë një mosseriozitet të skajshëm.
Sipas saj, e gjithë kjo tregon një trajtim joprofesional edhe në një dimension tjetër përtej gjithë neglizhencës që është bërë përgjatë gati dy muajve, ku e ndjera është lënë në të njëjtin vend me të akuzuarit dhe kjo e dëshmon, siç thotë Rezniqi, më së miri trajtimin joadekuat të rastit.
Shala ndërkohë përmendi deklarimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, i cili në përgjigjet e tij për këtë rast ka treguar që është ngritur aktakuzë, por nuk ka folur për mosveprimet tjera të kësaj prokurorie, pasi sipas tij, aktakuza nuk është masë mbrojtëse.
Në këtë drejtim, Shala ka kërkuar nga U.D. Kryeprokurori i Shtetit që në përputhje me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve të iniciojë procedurën disiplinore ndaj të gjithë akterëve të përfshirë në këtë rast, përfshirë edhe Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren.
Përveç kësaj, ai ka thënë se për mosreferim të rastit në strehimore duhet të adresohet përgjegjësia e Qendrës për Punë Sociale. Edhe nga Avokati i Popullit u kërkua që të iniciojë hetim përkitazi me këtë rast dhe të dalë me opinion mbi mënyrën e trajtimit të këtij rasti nga institucionet kompetente.
“Po ashtu, Shala shtoi se Kuvendi i Kosovës duhet të ndajë mjete të mjaftueshme financiare për strehimin e viktimave të dhunës në familje, veçanërisht atyre me aftësi të kufizuara si dhe të trajtoj vetingun në sistemin e drejtësisë si prioritetin më të lartë”, thuhet në njoftimin e IKD-së të enjten, që kanë kërkuar hetim mbi përgjegjësinë penale të të dyshuarit tjetër, i cili kishte qenë i përfshirë në dhunë ndaj viktimës 67-vjeçare.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.