Sot u mbajt Mbledhja e 6-të e rregullt e Kuvendit të Dragashit për vitin 2025 – këto vendime u morën

Senat Trupaj Senat Trupaj Opoja

Nën udhëheqjen e kryesueses, znj.Arijeta Skeraj, Kuvendi i Komunës së Dragashit mbajti sot Mbledhjen VI (e gjashtë) të rregullt për vitin 2025, me këto pika të rendit:

1. Miratimi i procesverbalit nga mbledhja e kaluar;

2. Miratimi i Kornizës Afatmesme Buxhetore 2026-2028;

3. Miratimi i Listës rezervë për emërtimin e rrugëve dhe shesheve në territorin e Komunës së Dragashit; dhe

4. Eventuale.

Në fillim të seancës, para miratimit të rendit të ditës, u debatua lidhur me vendimin e kryetarit të Komunës për të pezulluar përkohësisht bashkëpunimin me Radio Sharrin, për shkak të mostransmetimit online të Seancës solemne për nder të Ditës së Çlirimit të Dragashit, si dhe disa seancave dhe aktiviteteve tjera të Komunës. Asambleistët e opozitës kërkuan që, pavarësisht kësaj, Radio Sharri të jetë prezent në sallë. Kërkesa e tyre u refuzua dhe asambleistët e opozitës e lëshuan sallën, para miratimit të rendit të ditës.

Seanca u vazhdua me kuorum të mjaftueshëm nga asambleistët e pozitës. Fillimisht u miratuan rendi i ditës dhe procesverbali.

Në pikën e dytë të rendit të ditës, pas diskutimeve, me shumicë votash u miratua Korniza Afatmesme Buxhetore 2026-2028, një dokument i rëndësishëm buxhetor i cili përmban planifikimin e buxhetit për vitin 2026 dhe projeksionet për vitet 2026-2028. KAB 2026-2028 u miratua në Kuvend pas mbajtjes së dëgjimeve buxhetore me qytetarë dhe grupeve të ndryshme të interesit, të cilët, me kërkesat dhe propozimet e tyre u bënë pjesë e hartimit të përbashkët të këtij dokumenti.

Në pikën e tretë të rendit të ditës, Kuvendi miratoi Listën rezervë për emërtimin e rrugëve dhe shesheve në territorin e Komunës së Dragashit.

Ndërkaq, në pikën eventuale asambleistët parashtruan pyetje dhe kërkesa të ndryshme për ekzekutivin lokal.

Seanca u transmetua drejtpërdrejt në Televizionin Opoja, në Radio Bambus, si dhe në platformat zyrtare të Komunës së Dragashit (në Facebook dhe uebfaqe zyrtare).

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.


- Reklama-
- Reklama-