Kasapi: Kanadaja, vendndodhja e fundit e të dyshuarit për tentimatentatin ndaj Kurtit

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kosova

Jul Kasapi, gazetar i televizionit “A2News” me bazë në Tiranë që të hënën dha i pari lajmin për tentimatentatin ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, më 2021, ka dhënë informacionet që kanë siguruar për personin e dyshimtë se do të kryente atentatin. Sipas tij, Kanadaja ka qenë vendndodhja e fundit e regjistruar e Prek Kodrës, që dyshohej se si personi që planifikonte të kryente vrasjen e Kurtit dhe të Ismet Haxhës e Xhavit Halitit.

Lajmi për tentimatentatin ndaj Kurtit doli duke iu referuar dokumenteve të publikuara nga hakerët iranianë që sulmuan uebfaqet e institucioneve të Shqipërisë. Hakerët kanë thënë se dokumentet ishin vjedhur nga ish-drejtori i Policisë së Shqipërisë, Gledis Nano.

“Ai është një informacion i nxjerrë prej Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, njësisë së anti-terrorit. Specifikohej se tre persona, mes tyre kryeministri, ishin të rrezikuar nga një atentat i mundshëm në vitin 2021. U desh të verifikonim dhe bëhej fjalë për vitin 2021 sepse e gjithë korrespodenca elektronike e ish-drejtorit të Policisë datonte për kohën sa ishte drejtor i njësisë së anti-terrorit në Shqipëri”, ka thënë Kasapi në një lidhje direkte të martën për emisionin “60 Minuta” në KTV.

Sipas tij, planifikohej destabilizimi i Kosovës në një hark kohor për katër muaj.

“Ajo që bëmë pas daljes së informacionit ishte të hulumtonim për personin që dyshohej se do të bënte atentatin. Bëhej fjalë për personin me emrin Prek Kodra nga Shkodra, por s’kishim asnjë të dhënë për vendndodhjen e tij. Thuhej se ishte nga Shkodra e veprimtaria si person me rrezikshmëri të lartë shtrihej kryesisht në Kosovë. Më pas ne pas hulumtimit tonë mësuam se pas shpalljes në kërkim më 2016 si person me rrezikshmëri të lartë dhe kontrollit të banesës që iu bë e ku u gjet municion ushtarak, mendohet se ai ka dalë nga Shqipëria në mënyrë të paligjshme dhe i është drejtuar Kanadasë. Ky është informacioni i fundit që kemi disponuar për të. Nuk dihet si ka arritur t’i shpëtojë arrestimit e të largohet në Kanada, por vendndodhjen e fundit e ka atje”, ka shpjeguar Kasapi.

Kasapi ka thënë se autoritetet në Shqipëri s’kanë dhënë informata zyrtare për rastet në fjalë.

Sipas tij, dokumentet kanë nxjerrë të dhëna edhe për persona të tjerë me rrezikshmëri të larët, me kërkim ndërkombëtarë e që lëviznin të lirë në Tiranë. Prokuroria dhe Policia tashmë kanë obliguar ndalimin e publikimeve të materialeve në të ardhmen, por edhe fshirjen e atyre që janë publikuar, ka thënë Kasapi që e ka cilësuar këtë si censurë e precedent të zi. Sipas tij, në dokumente flitet edhe për të kërkuar ndërkombëtarisht për krime, e që kanë lëvizur në Tiranë të shoqëruar nga policë.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-