Këshillë për çdo mëkatar

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

E këshilloj së pari veten time e pastaj edhe të tjerët, sepse ne në
një farë mënyre të gjithë jemi mëkatarë. I vetmi person i cili nuk kishte mëkate,
tash qëndron i varrosur në Revden e pastër në Medinë, ndërsa të gjithë të
tjerët, kanë kryer dhe kryejnë mëkate, të mëdha apo të vogla, publikisht apo
fshehtas. Por secili prej nesh, pa marrë parasysh se sa shumë kemi gabuar, le
ta dijë se ka diçka që quhet mëshirë e Allahut dhe tevbe (pendim).
Prandaj, një mëkatar i cili e humb shpresën në mëshirën e Allahut, ai ka humbur
çdo gjë, humbja e shpresës në mëshirën e Allahut është humbja më e madhe.

Për fillim, le t’i kemi në mend gjithmonë fjalët e Allahut, fjalë të
cilat janë plot optimizëm dhe shpresë. Allahu i Madhërishëm thotë:

“Thuaj: “O robërit e mi, që i keni bërë keq vetvetes, mos e humbni
shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i falë të gjitha mëkatet.
Ai, me të vërtetë, është falës dhe mëshirues.”
(Ez-Zumer, 53).

Edhe hadithi i Pejgamberit (savs), në të cilin thotë: “Çdo biri
i Ademit (njeriu) është mëkatar, ndërsa mëkatarët më të mirë janë ata që
pendohen shumë”
(Tirmidhiu)

Ajo që dua t’i them çdo mëkatari, sidomos vetes time, para së
gjithash, është këshilla vijuese e cila është shumë e rëndësishme, dhe për të
cilën njerëzit duhet të jenë të vetëdijshëm, nëse vjen deri te kryerja e
mëkateve.

Nëse një njeri e bën një mëkat të caktuar, dhe nëse Allahu vendos që
ai mëkat të fshihet nga njerëzit tjerë, do të thotë, për të nuk di askush
tjetër përveç teje dhe Allahut, kjo është shenjë se Allahu së shpejti
do ta fisnikërojë kraharorin tënd me pendim
, përkatësisht, që ti së shpejti
– nëse do Allahu – do të bësh pendim nga ai mëkat i kryer.

Sepse, kur njeriu i bën mëkatet publikisht, atëherë ai e humb turpin
dhe fytyrën, i bëhet e njëjtë, dhe atëherë zemra e tij është larg nga pendimi. Prandaj,
rregulli i parë, duhet të bëjmë përpjekje që mos të bëjmë mëkate, sidomos mëkate
të mëdha dhe të rënda, por nëse dikush bie në sprovë nga veprimi i shejtanit,
dhe e bën mëkatin, ai për atë mëkat mos ta informojë askënd, le të mbetët
mëkati mes tij dhe Allahut. Sepse, nëse Allahu e ka caktuar që për atë mëkat të
mos dijë askush, atëherë ti mos e zbulo atë që Allahu e ka bërë sekret!

Atëherë kur Allahu ta fsheh mëkatin ose turpin tënd, pas kësaj, ti
mund të bëhesh njëri nga dy personat. Ose mund të bëhesh një njeri, i cili
është i vetëdijshëm për begatitë e Allahut ndaj tij, sepse Allahu ia ka fshehur
turpin e tij nga njerëzit, ose mund të bëhesh – larg qoftë – njeri përbuzës, i
cili i harron begatitë e Allahut, duke konsideruar se ka shpëtuar prej mëkatit të
kaluar në bazë të mendjes ose zgjuarsisë së tij, dhe atëherë ai do të shkojë më
lehtë te mëkati tjetër, derisa të godas ajo që nga Allahu është përcaktuar.

Me të vërtetë, mëkatin që e kryen, shumë shpesh nuk mund ta pranosh
para prindërve tu, mirëpo, duhet ta pranosh para Zotit tënd para se të takohesh
me Të, dhe sa herë që të nisësh për të bërë ndonjë mëkat, mos e harro takimin
me Zotin.

Kurse Zoti shumë qartë na porosit në
ajetin fisnik:

“O ti, o njeri, që përpiqesh shumë, mundin tënd do ta gjesh te Zoti
yt.”
(el-Inshikak, 6)

Nga ne varet, se sa dhe si do të
përpiqemi dhe çfarë do të gjejmë para Zotit, të mirë apo të keqe. (Saudin Cokoja; Akos.bA)

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-