Opoja.net

Komentim për suren e Kadr-it

Islame
Komentim për suren e Kadr-it

Ndonëse ajeti i parë i sures që përmend zbritjen e Kuranit në natën e kadr-it krijon përshtypjen se pika e rëndesës së kësaj sureje është zbritja e Kuranit, zhvillimi i mëtejshëm i sures shpërfaq se boshti i saj është vetë nata e kadr-it. Për shkak të vlerave të kësaj nate, Allahu e ka përzgjedhur që të zbresë Kuranin në të.

Ajeti 1: Ne e zbritëm atë në natën e kadr-it
Përemri dëftor në këtë ajet i referohet shpalljes së Kuranit si i tërë. Kjo është faza e parë e zbritjes së tij “në tërësi nga Pllaka e Ruajtur (el-Leuh el-Mahfudh) drejt qiellit më të ulët, atij të kësaj bote” (Es-Sujuti). Më saktësisht, “Kurani ka zbritur si një i tërë në Shtëpinë e Madhështisë (Bejt el-’Izzah) në qiellin e kësaj bote, për t’u shpallur më pas pjesë-pjesë sipas ngjarjeve dhe ndodhive përgjatë 23 viteve të misionit profetik” (Ibën Kethir).

Ajeti 2: Nga mund ta dish, çfarë është nata e kadr-it?

Ekzistojnë shumë mendime rreth kuptimit të fjalës kadr dhe asaj çfarë nënkuptohet me natën e kadr-it. “Disa dijetarë janë të mendimit se ajo është quajtur me këtë emër sepse Allahu i Lartësuar dekreton (jukaddir) në të çdo gjë që do të ndodhë në vitin e ardhshëm. Disa të tjerë janë të mendimit se është quajtur me këtë emër për shkak të prestigjit dhe gradës së saj të lartë. Një person konsiderohet të ketë “kadr” kur ai zotëron pozitë dhe fisnikëri. Të tjerë kanë thënë se emri ka lidhje me vlerën e shumëfishuar dhe shpërblimin e pamasë të adhurimeve dhe veprave të mira të kryera në këtë natë. Pyetja retorike e këtij ajeti është një mjet në funksion të theksimit e shenjtërisë së kësaj nate, dija e e vërtetë për të cilën i tejkalon kufinjtë e kuptimit njerëzor dhe i përket vetëm Zotit” (Esh-Sheukani). “Dija e njeriut nuk mund të arrijë atje ku shtrihet epërsia e saj mbi netët e tjera dhe ku mbaron lartësia e pozitës së saj” (Ez-Zamakhshari).

Dekretimi i çështjeve të krijesave në natën e kadr-it përmendet në mënyrë specifike në suren Dukhan: “Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar, Ne jemi paralajmërues. Në të bëhet e dallueshme çdo çështje me përpikmëri” (Ed-Dukhan 44, 3-4). Ibën Kethiri thotë se “në natën e kadr-it shkëputen prej Pllakës së Ruajtur drejt ëngjëjve shkrues” ngjarjet e vitit në vazhdim, “cili do të vdesë dhe cili do të lindë, cili do rritet në pozitë e cili do të poshtërohet, si dhe gjithë çështjet e tjera” (Et-Tabari).

Ajeti 3: Nata e kadr-it është më e vlefshme se një mijë muaj

“Shumë prej komentuesve kanë thënë se veprat e kryera gjatë natës së kadr-it janë më të vlefshme se veprat e kryera në një mijë muaj, në të cilët nuk përfshihet nata e kadr-it. Thuhet që shprehja “një mijë muaj” nuk nënkupton literalisht një mijë muaj, por gjithë vitin, sepse arabët e përmendin shifrën një mijë në shumë raste për të zmadhuar objektin që diskutohet” (Esh-Sheukani).

“Dijetarët kanë patur më shumë se dyzetë mendime për përcaktimin e natës e cila përkon me natën e kadr-it” (Esh-Sheukani). “Shumica e dijetarëve janë të mendimit se ajo është nata e 27-të e muajit Ramazan. Ebu Hurejra dhe të tjerë kanë thënë se ajo është në Ramazan, ndërsa Ebu Hanife ka qenë i mendimit se ajo mund të jetë në çdo natë të vitit. Mendimi më i saktë dhe më i njohur është se nata e kadr-it ndodhet në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit. Ky është opinioni i Malikut, Shafi’iut, Euza’it dhe Ahmedit” (El-Kurtubi).
Urtësia e fshehjes së natës së kadr-it qëndron në faktin se “Zoti i Lartësuar e ka fshehur atë njësoj siç ka fshehur pranimin e veprave të adhurimit, në mënyrë që njerëzit të kryejnë sa më shumë prej tyre. Ai e ka fshehur zemërimin e Tij ndaj mëkateve në mënyrë që njerëzit t’u shmangen të gjithave. Ai e ka fshehur pranimin e lutjeve në mënyrë që njerëzit të përpiqen të kryejnë sa më shumë. Ai e ka fshehur pranimin e pendimit, në mënyrë që njerëzit t’i kryejnë gjithë hapat për të patur një pendim të pranuar. Po ashtu Ai e ka fshehur prej robit të tij ditën se kur ai do të vdesë, në mënyrë që njeriu t’i druhet Zotit se mos fundi i tij ka mbërritur. Në mënyrë të ngjashme, Zoti ka vendosur të fshehë edhe natën e kadr-it në mënyrë që besimtarët të përpiqen me adhurime gjatë gjithë Ramazanit” (Fakhr ed-Din er-Razi).

Ajeti 4: Ëngjëjt dhe Shpirti zbresin në të, me lejen e Zotit të tyre, me çdo çështje

“Zbritja e ëngjëjve nënkupton uljen e tyre prej qiejve ku gjenden drejt tokës, ku luten për pranimin e lutjeve të njerëzve deri në momentin e agimit.

Shpirti për të cilin bëhet fjalë në ajet është ëngjëlli Xhibril. Ka një mendim se Shpirt-i i referohet një grupi ëngjëjsh që janë kujdestarë për ëngjëjt e tjerë, të cilët ëngjëjt e tjerë nuk arrijnë t’i shohin ashtu sikurse njerëzit nuk arrijnë të shohin ëngjëjt. Ashtu sikurse është thënë se Shpirt-i përfaqëson një grup prej ushtarëve të bindur të Zotit që nuk janë ëngjëj, apo që Shpirt-i nënkupton mëshirën e Allahut, me të cilën Xhibrili dhe ëngjëjt zbresin për ata që e kanë merituar” (El-Kurtubi).
“Çështjet e përmendura në ajet i referohen gjithë ngjarjeve që Allahu ka dekretuar se do të ndodhin në vitin në vazhdim” (El-Kurtubi).

Nata e kadr-it nuk është nata e përcaktimit të çështjeve dhe ngjarjeve, sepse ato janë shkruar në Pllakën e Ruajtur si rezultat i dijes paraprake të Allahut rreth asaj që do të ndodhë: “Nuk ka gjë që ju godet, në tokë apo në vetet tuaja, që të mos gjindet e shkruar në Libër përpara se ta sjellim atë në jetë. Kjo për Allahun është e lehtë. Që ju të mos dëshpëroheni për atë që ju ka ikur dhe as të mos ngazëlleheni për atë që ju ka dhënë. Allahu nuk do asnjë fodull mburravec” (El-Hadid 57, 22-23). Ashtu siç u përmend më herët, në natën e kadr-it çështjet e vitit në vazhdim vetëm se shkëputen nga Pllaka e Ruajtur, dekretohen dhe transferohen drejt ëngjëjve shkrues në qiellin e kësaj bote.

Ajeti 5: Selam është ajo, deri në shfaqjen e agimit.
Kuptimi i fjalës “selam”, e përkthyer pothuaj përherë si paqe, është më i gjerë se sa fjala paqe. Paqja është ajo që rezulton nga të paturit “selam”, sepse “selam” nuk nënkupton paqe në mënyrë të drejtpërdrejtë. “Selam do të thotë siguri, mbrojtje, ruajtje, ose çlirim prej fajeve, të metave, defekteve, ceneve, ose veseve.

Shprehja “selam ‘alejkum” është një njoftim për vazhdimësinë e mbrojtjes nga gjërat e papëlqyeshme dhe kështu mund të përkthehet si “unë nuk do të të shkaktoj dhe as nuk do të të përmend asgjë të papëlqyeshme apo të ligë”. Ajo mund të përkthehet edhe si “qoftë me ty mbrojtja prej çdo të keqeje”, si një formë lutjeje për “selam” mbi atë të cilit i drejtohet. Es-Selam është gjithashtu një prej emrave të Allahut, për shkak të të qenurit të Tij i dëlirët nga të metat, papërsosuritë dhe ndërprerja e ekzistencës” (W. E. Lane).
“Kjo natë bëhet me “selam” për shkak të lutjeve të shumta për “selam” të ëngjëjve, të cilët nuk kalojnë pranë ndonjë besimtari ose besimtareje pa e përshëndetur me lutjen për “selam” (Es-Sujuti).
“Leja e Zotit e përmendur në ajetin e mëparshëm, me anë të së cilës ëngjëjt zbresin në tokë, tregon se ata kanë kërkuar leje fillimisht, e cila ju është dhënë. Ajo aludon për dëshirën e tyre të madhe për të takuar besimtarët dhe dashurinë ndaj tyre, aq sa prisnin vetëm lejen për të ardhur. Transmetohet nga Aliu të ketë thënë: Ëngjëjt zbresin që të luten për selam dhe të ndërmjetësojnë për ne. Ai që do të përshëndetet prej tyre, atij do t’i falen mëkatet” (Fakhr ed-Din er-Razi).

Ajeti po ashtu tregon se “çdo gjë që Allahu dekreton gjatë asaj nate për vitin në vazhdim është e mveshur me selam” (El-Alusi). Drita e agimit në fund të sures është në harmoni të përsosur me dritën e Kuranit dhe përfundim logjik i ndriçimit të zemrës së besimtarit me “selam”-in që mbart “kader”-i.

Njerëzit e lumtur nuk janë skllevër të trendëve

Linda Guraj

Dy rekate që do ta ndryshojnë jetën tuaj

Linda Guraj

Letër vëllazërore hoxhallarëve

Linda Guraj
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net