Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Komuna e Dragashit në vitin 2022 ka angazhuar 11 zyrtarë për shërbime të veçanta, pa kryer procedurat adekuate ligjore, konkretisht pa procedurë të prokurimit.
Kjo është bërë e ditur në Raportin e Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të komunës së Dragashit për vitin 2022.
Auditori ka shpjeguar ndikimin që sjell kjo gjë duke theksuar se anashkalimi i procedurave të prokurimit në lidhje me mbulimin e pozitave për shërbime të veçanta, përveç mosrespektimit të procedurave ligjore, po ashtu e rrit edhe rrezikun e angazhimit të personave jo adekuat për pozita dhe detyrat e caktuara, gjë që mund të reflektoj edhe në performancën e tyre në pune.
Me këtë rast, auditori ka dhënë edhe rekomandime duke thënë se kryetari duhet të sigurojë se janë ndjekur të gjitha procedurat dhe hapat e prokurimit në angazhimin e kontraktorëve individual për shërbime të veçanta duke u kujdesur që personeli i angazhuar do të jetë në gjendje të përmbush detyrat e kërkuara.
“Po ashtu, menaxhmenti duhet të përkujdeset që angazhimet për pozitat e rregullta të zhvillohen përmes procesit të rregullt të rekrutimit” – është thënë në rekomandimet e auditorit.
Në raportin e auditimit për vitin 2022, menaxhmenti i Komunës së Dragashit është pajtuar me këtë gjetje.
Sipas këtij raporti, buxheti final për mallra dhe shërbime në vitin 2022 ishte 1 milion e 123 mijë e 602 euro, prej tyre ishin shpenzuar 1 milion e 75 mijë e 646 euro.
Në raport është theksuar se ato kanë të bëjnë kryesisht me shërbime kontraktuese tjera, furnizim për zyre, naftë për ngrohje qendrore, dru, mirëmbajtja e shkollave etj.
Raporti i auditimit për PFV-të e vitit 2021 të Komunës së Dragashit ka rezultuar në 6 rekomandime kryesore.
Komuna e Dragashit kishte përgatitur një Plan Veprimi ku paraqitet mënyra se si do t’i zbatoj rekomandimet e dhëna.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.