Komuna e Dragashit dhe ajo e Mavrovës dhe Rostushës drejt binjakëzimit dhe bashkëpunimit ndërkufitar

Opoja.net Opoja.net Opoja

Komuna e Dragashit ka realizuar sot një vizitë zyrtare në Komunën e Mavrovës dhe Rostushës në Maqedoninë e Veriut, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit ndërkomunal dhe konkretizimit të partneritetit përmes një binjakëzimi zyrtar mes dy komunave, shkruan OPOJAnet

Delegacioni i Komunës së Dragashit, i përbërë nga kryetari z. Bexhet Xheladini, kryesuesja e Kuvendit znj. Arijeta Skeraj, nënkryetari nga radhët e komuniteteve z. Fejsal Halilović, shefi i Zyrës për Komunitete z. Uzair Hamza, dhe qytetari nga Restelica, z. Adnan Mutash, u pritën ngrohtësisht nga kryetari i Komunës së Mavrovës dhe Rostushës, z. Medat Kurtovski, dhe kryesuesja e Asamblesë Komunale, znj. Teuta Mirto.

Gjatë takimit, palët u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit institucional, që do të kurorëzohet me nënshkrimin e marrëveshjes së binjakëzimit. Ky bashkëpunim pritet të ndikojë pozitivisht në zhvillimin rajonal, veçanërisht në rihapjen e përkohshme të pikës kufitare të Strezimirit dhe në përshpejtimin e projektit për asfaltimin e rrugës që lidh Restelicën me Mavrovën përmes kësaj pike. Sipas përfaqësuesve maqedonas, projekti aktualisht është në fazën e hartimit nga Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore.

Në vazhdën e vizitës, delegacioni nga Dragashi vizitoi edhe Shkollën Fillore Komunale “Hajan Selmani” në Rostushë, ku u njohën më nga afër me historikun dhe ecurinë e procesit mësimor në këtë institucion arsimor.

Kryetari Xheladini falënderoi përzemërsisht mikpritësit për pritjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim, duke theksuar rëndësinë e ndërlidhjes ndërkufitare për të mirën e qytetarëve në të dy anët e kufirit. /OPOJAnet/

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.


- Reklama-
- Reklama-