Opoja.net

Komuna e Dragashit ia ‘Huq’ tenderit për vetëm 1 Euro

Aktuale Opoja

Komuna e Dragashit e uli vlerën e një tenderi nga 10,000 në 9,999 euro, por nuk arriti të përfitonte nga lehtësimet procedurale të kësaj manovre, sepse Ligji për Prokurimet kishte ndryshuar ndërkohë.

Një tender i Komunës së Dragashit për kubëzimin e rrugëve në fshatin Leshtanë është shoqëruar me një sërë parregullsish, por edhe me detaje të pazakonta dhe komente institucionale me doza të qarta ironie.

Edhe më i veçantë është fakti se komuna duket sikur është munduar të shmangë kufirin ligjor të tenderit me vlerë të mesme duke hyrë në zonën e tenderëve me vlerë të vogël, përmes uljes së shumës me vetëm 1 euro.

Komuna e ka zbritur vlerën e tenderit nga niveli i parashikuar prej 10,000 euro në 9,999 euro, çka njihet edhe si “çmim psikologjik” në sferën e shitjeve dhe marketingut.

Komuna e ka zbritur vlerën e tenderit nga niveli i parashikuar prej 10,000 euro në 9,999 euro
Sipas ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016, Komuna e Dragashit kishte paraparë të shtrojë me kubëza rrugët në fshatin Leshtanë duke planifikuar 10 mijë euro buxhet.

Më datën 30 Mars 2016, Komuna e Dragashit nisi aktivitetin e prokurimit “Kubëzimi i Rrugëve në Fshatin Leshtanë-K.K Dragash”, duke njoftuar në thirrjen për kontratë se vlera e parashikuar është 9,999 euro.

Nga vlera e parashikuar fillimisht, në vlerën zyrtare të paraparë në kontratë, diferenca është vetëm 1 euro, dhe kontrata me vlerën 9,999 euro u dha më 21 janar 2016.

Dhe për këtë tender ishin konstatuar shkelje të procedurave të prokurimit publik nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) në publikimin e opinionit të saj më 3 maj.

AKK kishte konstatuar shkelje ligjore gjatë përgatitjes së dosjes së tenderit. Ajo thotë se autoriteti kontraktues ka paraparë kontratë ndërtimore me kuotim të çmimeve në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik.

Pjesëmarrja në tenderë të vegjël – siç njihen ndryshe ‘kuotimet’ – është kontrata vlera e parashikuar e së cilës është më e madhe se 1000 euro por më e vogël se 10 mijë euro.

Duke e ulur vlerën e tenderit për vetëm 1 euro, komunës i ka dalë problemi i ri i ndryshimit të vetë llojit të tenderit
Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), në anën tjetër, thotë se sipas Ligjit për Prokurimin Publik, autoriteti kontraktues (në këtë rast, komuna) mund të përdorë procedura të kuotimit të çmimeve (tenderëve të vegjël) vetëm kur bëhet fjalë për kontrata nën 10,000 euro.

Sipas KRPP-së, në rast të kontratave të vogla për punë, përfshihen vetëm riparime apo mirëmbajtje dhe jo punë që bëhen nga e para.

KRPP më tej sqaron se autoriteti kontraktues duhet ta qartësojë titullin e projektit se a ka të bëjë me një projekt ekzistues dhe po riparohet apo që nuk ka ekzistuar fare.

“Andaj, në këto raste ne konsiderojmë se kur përdoret kjo procedurë për punë kuotimin e çmimeve duhet të qartësohet nga AK qartë në titullin e projektit”, shpjegon KRPP, duke kërkuar që në titull të saktësohet nëse bëhet fjalë për riparim apo për punë nga e para.

Nga zyra e prokurimit të kësaj komune thanë përmes telefonit se në mungesë të mjeteve financiare për ta kryer komplet projektin, ndërhyrjet janë tenderuar pjesë-pjesë.

A mundet një vlerë prej 1 euro të përbëjë justifikim për ‘mungesë mjetesh’? – pyetje teknike
“Ky është tender i ri, pasi që nuk ka mjete të mjaftueshme për rregullimin komplet të një rruge. Atëherë tenderimi i këtyre rrugëve bëhet pjesë-pjesë deri në kompletimin e saj”, thanë nga zyra e prokurimit të Komunës së Dragashit.

AKK thotë se vlera e parashikuar e kontratës është afër limitit i cili ndan procedurën e kuotimit të çmimeve (për kontrata në vlerë të vogël) dhe procedurën e hapur.

Sipas AKK, komuna do të duhej të përdorte procedurën e hapur pasi edhe vlera e kontratës në njësi kërkuese dhe deklarata e nevojave dhe disponueshmëria e mjeteve është e mesme, në shumën 10,000 euro.

‘Nuk është 10,000 por 9,999!’

Por Komuna e Dragashit mbrohet ndaj kësaj vërejtjeje duke thënë se është përdorur procedura e duhur, duke qenë se vlera faktike në dispozicion ishte nën 10,000 euro. Në fakt, pothuajse nën këtë shumë.

“Procedura e hapur përdoret për vlerat mbi 10.000 euro, ndërsa ne kemi përdor procedurën e kuotimit të çmimeve, pasi që kemi mjete deri në 9999.00 euro – pra nuk kalon vlera mbi 10.000 euro”, është përgjigjur komuna.

Komuna vazhdon më tej justifikimin, duke thënë se përndryshe edhe KRPP nuk do ta lejonte diçka të tillë dhe nuk do ta bënte njoftimin për kontratë në faqen e KRPP-së nëse nuk lejohej sipas ligjit

Çmimet si 9,999 apo 999 apo 19,99 apo të ngjashme, konsiderohen një nga shpikjet më të mëdha të industrive të shitjeve dhe marketingut, të njohura ndryshe si “çmime psikologjike”.

Çmimet si 9,999 apo 999 apo 19,99 apo të ngjashme njihen ndryshe si “çmime psikologjike”
Edhe pse nuk dihet saktë se kur u paraqit për herë të parë – mendohet në Shekullin e 19 – “çmimi psikologjik” komentohet nga ekspertët si vlera e një malli apo shërbimi, e cila edhe pse nuk ndryshon nga vlera e rrumbullakosur (shemb: 99.99 euro = 100 euro praktikisht) është më tërheqëse.

Ndaj “çmimi psikologjik” i jep blerësit iluzionin e një çmimi më të ulët edhe pse praktikisht po paguan të njëjtën gjë me një zbritje të pamatshme dhe të papërfillshme.

Me të njëjtën manovër, Komuna e Dragashit ka paraqitur çmimin psikologjik të tenderit për kubëzimin e rrugëve të fshatit Leshtanë, duke e ulur vlerën nga 10,000 euro në 9,999 euro.

Në këtë rast, çmimi psikologjik nuk vlen për përdoruesin e shumës, kompaninë fituese, por vlen për institucione si AKK dhe KRPP, duke bërë që ky tender të mos konsiderohet tender i mesëm por i vogël.

E gjithë kjo mundësohet nga zbritja prej vetëm 1 euro
Por kjo ofertë ekskluzive dhe e limituar prej vetëm 9,999 euro nga Komuna e Dragashit, nuk e shpëton tenderin nga procedura e hapur sepse ndryshimet ligjore kërkojnë të njëjtin nivel transparence edhe për kontratat në vlerë të vogël.

Ndërsa ndryshimet përkatëse ligjore kanë hyrë në fuqi në 21 janar të këtij viti, dokumentacioni i tenderit është përpunuar gjatë periudhës mars-maj 2016, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Zyra e prokurimit e Komunës tha se me ndryshimet e Ligjit për Prokurim së fundmi edhe për vlerat e kuotimit të çmimeve zhvillohen me procedurë të hapur, dhe nuk ka kurrfarë problemi për konkurrencën pasi që ajo është e hapur dhe shumë transparente. Kjo vërejtje e AKK-së nuk qëndron.

KRPP-ja thotë se me ndryshimet Ligjit për Prokurimin Publik, edhe kuotimet (kontratat e vogla) duhet të përdoren me procedurë të hapur nga 21 janari i këtij viti.

‘Të gjithë tenderët janë të papërgjegjshëm?’

Komuna e Dragashit thotë se AKK-ja kishte konsideruar se asnjë nga operatorët ekonomikë nuk kishte dorëzuar ofertë të përgjegjshme, për arsye se asnjë prej firmave në garë nuk e kishte plotësuar vlefshmërinë e tenderit.

Madje, komuna nuk mjaftohet të kundërshtojë këto vërejtje, por bën edhe ironi me AKK-në.

“Sipas opinionit te AKK-së të gjithë tenderët janë të papërgjegjshëm”, vë në dukje komuna, duke iu referuar faqes 17, pika 3 të dosjes së tenderit për kuotim, ku shkruhet se “vlefshmëria e tenderit duhet të jetë e shkruar nga operatorët ekonomikë prej 30 ditësh”.

“Sipas opinionit te AKK-së të gjithë tenderët janë të papërgjegjshëm” – Komuna e Dragashit
Komuna thotë se edhe pse ky afat ligjor është kërkuar nga ata, ai nuk është respektuar nga asnjë prej kompanive në garë, duke shpjeguar se “kjo është arsyeja pse sipas opinionit të AKK-së janë të papërgjegjshëm të gjithë operatorët ekonomikë”.

Praktikisht, asnjë prej kompanive konkurruese për kubëzimin e rrugëve të fshatit nuk kishte ofruar afat të vlefshmërisë së tenderit.

Më tej nga zyra e prokurimit të komunës thonë se është bërë lëshim teknik nga komisioni pasi nuk e ka vërejtur këtë shpërfillje të afatit ligjor, por nga ana financiare është vlerësuar mirë.

“Dhe po qe se gjithnjë do të jemi rigorozë në këto kritere, atëherë asnjë tender nuk do të kalonte gjatë vitit pasi gjithmonë do harronin pa plotësuar diçka”, thekson komuna.

“Po qe se gjithnjë do të jemi rigorozë në këto kritere, atëherë asnjë tender nuk do të kalonte gjatë vitit” – Komuna e Dragashit
Por, pavarësisht këtyre vlerësimeve praktike të komunës, ligji detyron që kurdoherë duhet të ketë një afat vlefshmërie nga operatorët ekonomikë.

KRPP tha për Gazetën Jeta në Kosove se edhe për kuotim çmimesh (kontratë me vlerë të vogël) kërkohet vlefshmëria e ofertës për një periudhë prej minimumi 30 ditësh.

“AK [komuna në këtë rast] do të deklarojë në dosjen e tenderit periudhën e kërkuar të vlefshmërisë së tenderit të specifikuar si ditë kalendarike nga afati i fundit për dorëzimin e tenderëve”, citon KRPP-ja nga legjislacioni përkatës.

“Autoriteti kontraktues do të konsiderojë një tender si të përgjegjshëm vetëm nëse tenderi në fjalë është në përputhshmëri me të gjitha kërkesat e parashtruara në njoftimin e kontratës dhe në dosjen e tenderit”, sqaron KRPP-ja.

Përmes këtij opinioni AKK rekomandoi anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit dhe të shmangen në të ardhmen.

Pavarësisht vërejtjeve nga institucionet, tenderi nuk u anulua dhe kontrata u dha me sukses nga Komuna e Dragashit në vlerën prej 9,999 eurosh – vetëm 1 euro më pak se vlera e parashikuar fillimisht në buxhet.

Mos i humb

Nëntë kandidatë nga Opoja, prej tyre vetëm një grua! (Lista)

Opoja.net

Fillon ndryshimi i premtuar i qytezës së Dragashit!

Opoja.net

Vendet e Dragashit që do të mbeten pa rrymë

Opoja.net

Thellohet bashkëpunimi i shkollës “Fetah Sylejmani” të Dragashit dhe “Qazim Shehu” nga Shtiqëni i Kukësit

Opoja.net

Sot është mbajtur pjesa e dytë e afatit të dytë të Testit të Maturës në komunën e Dragashit

Kushtrim Guraj

Ramush Haradinaj vizitoi kompaninë “Meka” në Plavë

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net