Komuna e Dragashit kundërshton pretendimet e opozitës rreth ngrohjes së shkollave

Opoja.net Opoja.net Opoja

Zyrtarët komunalë të Dragashit kanë kundërshtuar pretendimet e degës së PDK-së lidhur me funksionimin e ngrohjes në shkolla si dhe për furnizimin e tyre me lëndë djegëse.

Zyra për Informim e Komunës së Dragashit ka konsideruar se akuzat dhe kritikat për mosekzistim të ngrohjes në shkolla dhe për problemet me furnizim me lëndë djegëse nëpër shkolla janë të pabazuara dhe tendencioze, raporton Telegrafi.

Dega e PDK-së në Dragash ditë më parë përmes një reagimi publik ka shprehur qëndrimin se nxënësit dhe mësimdhënësit përballen me vështirësi serioze, pasi “shkollat ende nuk janë furnizuar me lëndë djegëse”.

“Ky mosfurnizim i lë klasat të ftohta dhe të pamundura për një proces të shëndetshëm mësimor”, thuhej në reagimin e degës së PDK-së, ku nga lidershipi i komunës kërkohej përqendrimi te nevojat thelbësore, si ngrohja në shkolla.

“Situata e krijuar ngre pyetje mbi mënyrën se si janë menaxhuar përgatitjet dimërore dhe mbi përgjegjësinë për të siguruar kushte të përshtatshme në shkolla. Nevoja për veprim është urgjente, pasi garantimi i ngrohtësisë në klasat e shkollave është esencial për shëndetin e fëmijëve, veçanërisht gjatë dimrit të ashpër të Dragashit”, thuhej në reagim.

Zyra për Informim e Komunës së Dragashit në sqarimin lidhur me funksionimin e ngrohjes nëpër shkolla dhe furnizimin e tyre me lëndë djegëse ka bërë të ditur se me kërkesë të kryetarit të Komunës, Bexhet Xheladini, të mërkurën dhe të enjten, nënkryetari i Komunës, Resul Fetahu dhe drejtori i DKA-së, Zeni Krasniqi kanë vizituar të gjitha shkollat amë dhe paralelet e ndara në Opojë, për të parë gjendjen aktuale lidhur me aktivizimin e ngrohjes dhe furnizimin e tyre me lëndë djegëse, raporton Telegrafi.

Gjatë kësaj vizite, ata janë takuar me drejtorët e shkollave, arsimtarë dhe nxënës, kanë vizituar klasat, depot e druve si dhe kaldajat.

“Pas kësaj vizite është konstatuar se në të gjitha shkollat ngrohja është aktivizuar, të gjitha ambientet e shkollave janë të ngrohta dhe në të gjitha shkollat mësimi zhvillohet normalisht. Është konstatuar se në të gjitha shkollat ka sasi të konsiderueshme të lëndëve djegëse dhe Komuna e Dragashit është duke ndërmarrë hapa konkretë, në mënyrë që asnjë shkollë të mos mbetet pa ngrohje”, thuhet në sqarim.

Aty është theksuar se përjashtim bën vetëm ShFMU “Fetah Sylejmani”, në të cilën kaldaja ka pësuar avari dhe “si pasojë e rrjedhjes së ujit sistemi i ngrohjes ka qenë jashtë funksionit deri në orët e vona të mbrëmjes”.

“Pas riparimit të defektit, sistemi i ngrohjes është aktivizuar dhe tash është duke funksionuar normalisht. Paralelisht kësaj, Zyra e Prokurimit ka shpallë tenderin për blerjen e kaldajës së re me dru dhe pelet. Edhe në këtë shkollë mësimi është duke u zhvilluar normalisht, por ngrohja në këtë shkollë është bërë me metoda alternative”, thuhet në sqarimin e Zyrës për Informim, raporton Telegrafi.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-