Kosova, deponi bërlloku

Opoja.net Opoja.net Lajme Opoja

Është java e parë e gushtit përvëlues dhe Lumturija e Enveri nuk e ndalin punën as në pikun e ditës, në mësymjen për ta ngritur një kasolle me gjësende që i kanë gjetur në bërllok. Material pune kanë vetëm trarë, dërrasa e teneqe të moçme.

“Shtëpia” e re që po merr formë ngjason me një kolibe të braktisur. Ndërkaq, duket si deponi mbeturinash grumbulli i materialit që akoma nuk e kanë futur në punë.

Kasollen po e ngrenë në truallin dyarësh që daja i Enverit ua ka blerë, e që ka rastisur të jetë ngjitur me një deponi ilegale bërlloku, në periferi të Fushë-Kosovës.

“Edhe pardje e edhe dje kam hequr bërllok, por kot”, ankohet Lumturija për mbeturinat që ia vërshojnë edhe truallin e ri të saj. “Në mbrëmje po e mbushin prapë”.

Jeta e këtij qifti që i përket komunitetit egjiptian, por edhe e katër fëmijëve që i kanë, mbahet me atë çfarë gjejnë në koshat e mbeturinave. Strehën janë duke e bërë nga dërrasa, teneqe e madje edhe dritare që i kanë gjuajtur të tjerët. E, bukën e gojës e sigurojnë nga paratë që marrin për mbeturinat e riciklueshme që i mbledhin.

Enveri tregon se dhjetëra kilometra rrugë bën secilën ditë, duke i rënë kontejner më kontejner, për të mbledhur sasi kënaçesh, e për t’i shitur në mbrëmje për një shumë prej diku 5 eurosh.

Punë të njëjtë me të bëjnë shumë romë, egjiptianë e ashkalinjë. Duke qenë këto komunitetet më të lëna pas dore në Kosovë, pjesëtarët e tyre e kanë të vështirë të gjejnë punë. Prandaj, ata përbëjnë armatën kryesore që merret me “riciklimin”.

Kësisoj, nga menaxhimi joadekuat që komunat e Qeveria e demonstrojnë në raport me mbeturinat “përfitojnë” kryesisht familje të varfra.

Fushë Kosova, duke qenë fare në periferi të kryeqytetit, në vitet e fundit është mbipopulluar dhe është kthyer në kantier ndërtimesh të larta. Duke mos pasur deponi të caktuar për materialet ndërtimore që nuk hyjnë në punë, ato hidhen ilegalisht.

Në Fushë-Kosovë sivjet janë identifikuar 56 deponi ilegale, ndryshe nga dy vjet më parë kur ishin vetëm 10 sosh.

Autoritetet komunale përmendin shumë faktorë, si pasojë e të cilëve është krijuar i gjithë ky bërllok. Por, e drejtojnë gishtin edhe kah qytetarët që u përkasin komuniteteve të margjinalizuara, kur arsyetojnë numrin e madh të deponive të jashtëligjshme që shihen gjithandej.

“Ky numër i rritjes së deponive ka të bëjë me … prezencën e madhe të komuniteteve RAE (rom, ashkali, egjiptian v.j.) – disa prej tyre merren me riciklimin e mbeturinave dhe mbetjet e tyre i hedhin duke krijuar deponi”, thuhet në një përgjigje që autoritetet komunale ia kanë dhënë gazetës me e-mail. “Komuna e Fushë-Kosovës ka shpallur tender të hapur për të eliminuar këto deponi. Javën e kaluar janë larguar dy sosh – në Bardh të Madh dhe në rrugën ‘Meshari’ në lagjen e komuniteteve RAE. Tani kanë mbetur edhe 54. Deponitë ilegale eliminohen në vazhdimësi, por për fat të keq ato po na rikrijohen”.

Është krijuar menjëherë deponia në rrugën “Meshari”, për të cilën autoritetet kanë thënë se e kanë larguar. Ajo ndodhet afër urës, në rrugën nga Fushë-Kosova për në fshatin Kuzmin, e pranë së cilës e kanë ngritur kasollen Lumturija dhe Enveri. Plehra dhe mbetje të materialit ndërtimor janë shpërndarë anash rrugës, por edhe përgjatë lumit që kalon andej.

2.529 deponitë ilegale

Më keq se kjo komunë është vetëm Peja, qyteti që shtrihet poshtë Alpeve Shqiptare.

Grumbuj mbeturinash të materialit ndërtimor shihen në të dyja anët e një rruge të fshatit Bellopojë, e cila të çon tek një bazë e paqeruajtësve ndërkombëtarë. Sapo kalohet baza, ndodhet një deponi e madhe. Aty erërat kundërmuese të mbeturinave e mbysin freskinë e bjeshkëve të larta sipër fshatit.

E amnistuar nga bërlloku nuk është as Gryka e Rugovës. Atraksioni turistik prej më kryesorëve që vizitohet ndodhet në perëndim të Pejës dhe përbëhet nga male të larta e kanione, të ngritura në të dyja anët e Lumbardhit. Plehra që lënë vizitorët shihen gjithandej dhe jo pak sosh lundrojnë në lumë.

Komuna e Pejës është kampion në Kosovë për nga numri i madh i grumbujve të bërllokut të lënë kundërligjshëm. Në një evidentim që është bërë marsin e sivjetmë, janë identifikuar 239 deponi ilegale, nga vetëm 19 sa ishin në 2017-n.

Autoritetet komunale kanë pranuar se këto shifra qëndrojnë.

Xhevahire Kelmendi është drejtoreshë e Shërbimeve Publike në këtë komunë. Ajo thotë se disa nga deponitë janë larguar, por nuk ka saktësuar numrin.

“Deri më tani Komuna e Pejës në bashkëpunim me ndërmarrjen për menaxhimin e mbeturinave ka bërë largimin e disa deponive ilegale të vogla dhe të mesme, dhe në vazhdimësi, nga KRM ‘Ambienti’ do të bëhet largimi i tyre”, thotë Kelmendi. “Edhe në të ardhmen do të bëhet largimi i deponive të evidentuara, dhe eventualisht të krijuara ndërkohë dhe, po ashtu, nga ana e Inspektoratit Komunal do të merren masa për parandalimin e përsëritjes së tyre apo krijimit të deponive të reja”.

Situatë më e mirë sesa në këto komuna të banuara kryesisht me shqiptarë nuk është as në ato të dominuara nga serbët.

Brezovica është qendra më e frekuentuar turistike gjatë dimrit. Ajo ndodhet në territorin e Komunës së Shtërpcës dhe ka një qendër skijimi prej rreth 2,500 hektarësh. Përgjatë sezonit, shkëlqimi i borës shpesh mbytet nga bërlloku që gjuhet kudo.

Në Zveçan, një nga katër komunat e veriut të dominuar po nga serbët, në të dyja anët e rrugës kryesore që të shpie për në Mitrovicë, ndodhen deponi ilegale. Dominojnë grumbuj mbetjesh inerte, por edhe mbeturinash organike. Ndërsa, në së paku dy lokacione edhe grumbuj gomash të vjetra, që automjeteve u janë hequr. Në këtë komunë që në territor është fare e vogël, janë identifikuar 47 deponi ilegale, 14 më shumë sesa numri i të tillëve që ishte dy vjet më parë.

Në gjithë territorin e vendit numër alarmant deponish janë identifikuar këtë vit nga organizata joqeveritare Center for Education and Development of Environment (CEDE). Hulumtimi krahasues i mbështetur nga Deutsche Gesellschaft fur Internationale Zusammenarbeit (GIZ) dhe i realizuar në bashkëpunim me autoritetet komunale ka gjetur se në Kosovë gati është dyfishuar numri i deponimeve, krahasuar me dy vjet më parë.

Raporti me gjetjet nuk është publikuar, por gazeta ka siguruar një kopje. Bazuar në të, janë evidentuar gjithsej 2,529 deponi ilegale, ndërsa në 2017-n ishin 1,643 sosh.

Arben Nika është drejtor ekzekutiv i CEDE-së. Ai i ka konfirmuar shifrat dhe beson se burim kryesor i këtyre deponive janë kryesisht ekonomitë familjare dhe bizneset, të cilat nuk janë të përfshira në sistemin e grumbullimit të mbeturinave. Sipas tij, mospërfshirja e tyre në sistem, ose është për shkak se refuzojnë të hyjnë në shërbim e kështu t’i ikin pagesës, ose operatorët ekonomikë nuk kanë kapacitete të mjaftueshme operative për të ofruar shërbimin e grumbullimit të mbeturinave në gjithë territorin e komunës përkatëse.

Ai ka përmendur edhe mungesën e vetëdijesimit të qytetarëve për ta ruajtur mjedisin, por edhe arsye të tjera që mund ta kenë dyfishuar numrin e deponive.

“Për dy vite më radhë ka vazhduar trendi i rritjes në sektorin e ndërtimit dhe biznesit, ndërsa vetëm 21 komuna kanë caktuar lokacionin për grumbullimin e mbeturinave inerte, prej të cilave 3 deri në 5 janë funksionale. Disa komuna për dy vjet me radhë nuk kanë bërë ndonjë zgjerim të shërbimit për grumbullim të mbeturinave, përderisa gjenerimi i tyre në vazhdimësi vjen duke u rritur dhe për këtë arsye rritet edhe numri i deponive”, thotë Nika. “Në vitin 2019 identifikimi i deponive ilegale në të gjitha komunat e Kosovës është bërë vetëm nga organizata jonë, CEDE, e mbështetur nga GIZ-i, kurse në vitin 2017 identifikimi është bërë për 19 komuna nga AMMK-ja dhe 15 komuna nga CEAE-ja. Sivjet edhe zyrtarët komunalë kanë qenë më të gatshëm për të paraqitur gjendjen sa më reale lidhur me gjendjen ekzistuese në terren”.

Bazuar në hulumtim, më të shumta janë deponitë e mëdha. Janë 1005 të kësaj kategorie. Të mesme janë 806, kurse të vogla 718.

Të dhënat janë sistemuar për secilën komunë veç e veç, ndërsa përmbledhëse janë dhënë edhe për regjionet. Kësisoj, në regjionin e Prishtinës janë regjistruar 659 deponi, në atë të Mitrovicës 407, në të Pejës 344, në të Prizrenit 404, në të Ferizajt 262, në të Gjilanit 302, kurse në regjionin e Gjakovës 151.

Në Ministrinë e Mjedisit e kanë pranuar këtë realitet. Por, për të kanë fajësuar autoritetet lokale.

“Dyfishimi i numrit të deponive ilegale të mbeturinave ka ardhur si pasojë e moszbatimit të dispozitave të Ligjit për mbeturina, përkatësisht nenit 15 dhe 34 nga niveli lokal apo komunat dhe mbikëqyrja, kontrolli dhe ndëshkimet e pakta nga inspektoratet komunale”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë. “Problemet në menaxhimin e mbeturinave janë kryesisht në nivelin lokal”.

Nga 38 komunat, vetëm në 8 sosh është ulur numri i deponive të egra. Performancën më të mirë e ka treguar Komuna e Prizrenit, e cila ka reduktuar në 38 numrin e deponive, nga 98 sa ishin në 2017-n. Reduktim kanë bërë edhe Prishtina, Ferizaj, Suhareka, Rahoveci, Zubin-Potoku, Vitia dhe Juniku.

Dyfishim bërlloku

Vendet e zhvilluara politikat i kanë koncentruar në reduktimin e mbeturinave në burim. Por, në Kosovë është duke ndodhur trend tjetër.

Që nga 2007-a anketa e mbeturinave komunale është duke u realizuar nga Agjencia e Statistikave (ASK). Ajo përmban të dhëna statistikore për gjenerimin e mbeturinave komunale dhe përpunimin e tyre. Bazuar në raportet periodike të agjencisë, brenda një dekade gati është dyfishuar sasia e mbeturinave që gjenerohen. Ishte 157 kilogramë për kokë banori në 2007-n, ndërsa pas një dekade ka dalë të jetë 228 kilogramë.

Kur vitin e shkuar Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit (AMMK) ka përllogaritur sasinë totale të mbeturinave, ajo ka thënë se “nuk ka të dhëna të besueshme dhe të verifikuara”. Megjithëkëtë, është bazuar vetëm në gjenerimin mesatar për banor. Nga kjo e ka nxjerrë të dhënën se sasia totale e mbeturinave të gjeneruara del afërsisht 580 mijë tonë në vit.

Krahas kësaj, është evidentuar shkallë e ulët e mbulimit me shërbim të mbledhjes së mbeturinave. Mbështetur në raportin e fundit të AMMK-së, ky nivel është nën 60 për qind. Dokumenti thekson se shërbim të rregullt ka kryesisht në zonat urbane, që kanë mbulueshmëri në shkallë 75 për qind, ndërsa në zonat rurale u ofrohen shërbime vetëm 41 për qind të popullsisë.

Kësisoj, meqë mbledhja, transportimi dhe asgjësimi i mbeturinave nuk ofrohet për të gjithë, pjesë e madhe e tyre hidhen jashtëligjshëm ose digjen.

Për këtë situatë e ka ngritur alarmin edhe Komisioni Evropian, në raportin për Kosovën që e ka publikuar në 2019-n.

“Sistemi i menaxhimit të mbeturinave të ngurta në Kosovë vazhdon të mbetet i paqëndrueshëm”, konstatohet në raport. “Shumica e mbeturinave përfundojnë në deponi të ligjshme dhe të paligjshme”.

Në mungesë të këtij menaxhimi shpeshherë në Kosovë janë ndërmarrë fushata për ta pastruar mjedisin dhe për t’i hequr deponitë ilegale. Më masivja është ajo “Ta ëastrojmë Kosovën”, e organizuar nga “Let’s Do It Kosova” përgjatë tremujorit të fundit të vitit të shkuar. Fushata qe mbështetur financiarisht me gati një milion euro nga Zyra e Kryeministrit.

Luan Hasanaj është drejtor ekzekutiv i organizatës. Ai thotë se gjatë fushatës janë larguar 952 deponi ilegale të mbeturinave dhe se kishin mbetur vetëm rreth 600 sosh. E ka deklaruar këtë, ani se hulumtimi i CEDE-së i realizuar tre muaj pas përmbylljes së kësaj fushate ka identifikuar plot 2,529 deponi ilegale.

Pas analizimit të pasqyrave financiare që Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) ia ka bërë Zyrës së Kryeministrit (ZKM), janë hedhur dyshime se buxheti i dedikuar për këtë fushatë nuk është shfrytëzuar konform ligjit.

“Për qëllime të këtij projekti, deri në fund të vitit 2018 janë kryer gjithsej pagesa në vlerë prej 806,838 eurosh. Lidhur me këto pagesa nuk ekzistojnë dëshmi të përshtatshme dhe të mjaftueshme nëse ato janë shpenzuar në pajtim me procedurat dhe kërkesat ligjore”, thuhet në raportin e Auditorit. “ZKM-ja nuk ka raporte financiare dhe narrative të dorëzuara nga ana e përfituesit për arsyetimin dhe përshkrimin e saktë të artikujve të faturuar dhe aktiviteteve të kryera në kuadër të këtij projekti”.

Hasanaj thotë se Auditori nuk kishte kërkuar ndonjë informatë a dëshmi nga organizata. Ai thekson se të gjitha raportet i janë përcjellë financuesit.

“Auditori e ka rekomanduar Zyrën e Kryeministrit, e cila, sipas tij, nuk i ka përfillur disa procedura. E kemi deklaruar edhe më herët, ne i posedojmë të gjitha dëshmitë për shpenzimet e projektit dhe të gjitha janë dorëzuar tek Zyra e Kryeministrit”, thotë ai. “Faturat, kontratat me operatorë, dëshmitë bankare të pagesave, si dhe raporti i detajuar narrativ dhe financiar janë dorëzuar tek Zyra e Kryeministrit”.

Mbushja e deponive legale

Kosova nuk ka problem vetëm me deponitë ilegale. Në gjendje hiç të mirë ndodhen deponitë legale, bashkë me stacionet e transferit. Ato janë ndërtuar në kohën e administrimit ndërkombëtar të Kosovës dhe pjesa më e madhe e tyre menaxhohen nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), aksionare e së cilës është Qeveria.

Disa nga to janë duke e arritur fundin e jetëgjatësisë.

Në pjesën më të madhe të territorit të Kosovës mbeturinat mblidhen nga shtatë kompani rajonale. Disa komuna shërbehen nëpërmjet partneritetit publiko-privat, ndërsa tri sosh të vogla, e që dominohen kryesisht nga serbët, nga stafi komunal.

Ligji për mbeturinat deponitë i klasifikon në: deponi të mbeturinave të rrezikshme; deponi të mbeturinave të parrezikshme; dhe deponi të mbeturinave inerte. Institucionet nuk kanë dhënë informacione për deponitë e mbeturinave të rrezikshme, ndërkaq mungojnë ato të mbeturinave inerte që i plotësojnë standardet.

Në të parrezikshmet hyjnë deponitë sanitare, të cilat janë ndërtuar duke u bazuar në kritere mirë të përcaktuara, dhe deponitë josanitare, që janë krijuar nga komunat ose operatorët e mbeturinave, por që janë vetëm lokacione të përzgjedhura dhe nuk plotësojnë ndonjë kriter.

Deponia më e madhe është ajo për regjionin e Prishtinës dhe ndodhet në Mirash, fshat fare afër Obiliqit e Fushë Kosovës. Ajo është e shtrirë në 40 hektarë, brenda kompleksit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Për të mbërritur në deponi duhet të kalohen dy ndalesa sigurimi – një i KEK-ut dhe ai i deponisë. Ndonëse mundësojnë qasjen në këtë pjesë, nuk jepet autorizimi për të xhiruar apo fotografuar.

Avuj që emetohen janë lehtë të vërejtur, ndërkaq era e fortë kundërmuese ta ndal frymën shumë kohë pa mbërritur te deponia. Mjetet transportuese vetëm peshohen, dhe nuk verifikohet lloji i mbeturinave që zbrazin. Aty mund të shihen mbeturina të llojeve të ndryshme, përfshirë ato mjekësore, mbetje shtazësh e mbeturina inerte. Një masë e madhe ujërash të zeza që kullohen aty kanë marrë formën e një liqeni.

Deponia është fare afër përfundimit të jetëgjatësisë. Ka filluar të operojë në 2006-n dhe ishte planifikuar të ishte jetëgjatë 15 vjet. Kësisoj, bazuar në këtë planifikim, do të duhej të mbyllej vitin e ardhshëm.

AMMK-ja ka vlerësuar se kjo deponi ka shumë probleme të natyrës operacionale dhe mjedisore.

“Problemi më serioz është vërshimi i deponisë me një përzierje të kullimit, ujit të shiut dhe ujërave nëntokësore”, thuhet në një vlerësim të AMMK-së. “Sistemi i riqarkullimit të kullimit dhe sistemi i drenazhit sipërfaqësor nuk funksionon”.

Në Kompaninë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë, e cila menaxhon edhe me atë në Mirash, nuk kanë pranuar të flasin për gjendjen e kësaj deponie dhe as të tjerave. Por, as gjendja e të tjerave nuk dallon shumë.

Deponia për regjionin e Mitrovicës është e vendosur në Gërmovë. Ajo ka madhësi prej 7 hektarësh dhe kapacitet prej 2 milionë metrash kub. Bërlloku i deponuar aty nuk ngjishet, ndërsa në të mungon trajtimi i kullimit të ujërave dhe nuk ka menaxhim të gazit.

Bërlloku që mblidhet në rajonin e Pejës derdhet në Sferkë. Bazuar në studimin e fizibilitetit bërë deponisë së vendosur aty, tashmë ka arritur fundin e kapacitetit pranues. Aty deponohen mbeturina të përziera dhe nuk dihet as lloji dhe as sasia e kimikateve që derdhen. Krahas kësaj, kullimi dhe ujërat e kontaminuar të shiut rrjedhin në mënyrë të pakontrolluar nga zona e deponisë, nga drenazhet dhe daljet, duke i ndotur kështu ujërat sipërfaqësore.

Deponia për rajonin e Prizrenit është e vendosur në Landovicë, kurse ajo për rajonin e Gjilanit në Veleknicë. Për të dyja, përfundimi i jetëgjatësisë është planifikuar për vitin e ardhshëm. Në asnjërën nuk funksionon sistemi i pompimit të ujit, e për pasojë përzihet uji sipërfaqësor me atë që rrjedh nga deponitë. Situatë thuajse të ngjashme kanë edhe deponitë në Podujevë e Dragash.

Janë edhe katër deponi të klasifikuara si josanitare. Një në Tuqep të Istogut e tri të tjerat në veriun e banuar me serbë: në Lluçkarekë të Zubin-Potokut, në Leposaviqi dhe në Pirit të Zveçanit. Në to komunat i deponojnë mbeturinat pa përfillur ndonjë standard.

Në fakt, menaxhimi i mbeturinave në komunat në veri është organizuar përmes ndërmarrjeve komunale publike, të cilat janë themeluar para vitit 1999 dhe subjektiviteti juridik i tyre është mbajtur brenda sistemit juridik të Serbisë. Situata ishte përkeqësuar dukshëm në vitin 2012, pas mbylljes së deponisë në Ballaban.

Komuna e Zubin-Potokut dhe Mitrovicës së Veriut i hedhin mbeturinat e tyre në një deponi në Lluçkarekë, Leposaviqi e përdor një deponi në afërsi të kampit të KFOR-it, ndërsa Zveçani i hedh pranë deponisë së mbeturinave minerare me emrin “Pirit”, një lokacion midis Zveçanit dhe fshatit Zhitkoc.

Bashkimi Evropian i ka ndarë 5.4 milionë euro për ndërtimin e deponisë së re rajonale “Stena e Savës” brenda territorit të Komunës së Zveçanit. Kontrata për shfrytëzimin e deponisë rajonale është nënshkruar nga të katër komunat e veriut të Kosovës, megjithëse Zubin-Potoku nuk do t’i deponojë aty mbeturinat për shkak të shpenzimeve të mëdha të transportit.

Deponia rajonale do të funksionojë nën kornizat e legjislacionit të Kosovës, dhe pas dy vitesh të para të menaxhimit nga një ekip i përzgjedhur nga Komisioni Evropian, menaxhimi do t’i kalojë Komunës së Zveçanit.

Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial (InTER), me bazë në Mitrovicën Veriore e sheh si problem funksionimin e ndërmarrjeve komunale publike në veri, e në veçanti statusin e tyre pas ndërtimit të deponisë rajonale.

“Sistemi i Kosovës nuk i njeh ndërmarrjet komunale publike të regjistruara në sistemin e Republikës së Serbisë, prandaj duhet të vendoset se si do të funksionojnë këto ndërmarrje të cilat aktualisht janë aktorët kryesorë të fushës së menaxhimit të mbeturinave në veri të Kosovës”, thuhet në një raport të këtij instituti. “Nga kjo rrjedh pyetja kyç se si do të harmonizohen këto dy sisteme”.

Rreziku i mbeturinave

Nëpër deponi hidhet gjithçka, meqë në Kosovë nuk ka infrastrukturë në nivel vendi për ndarjen apo trajtimin e mbeturinave. Për pasojë mungon një sistem i rregullt i klasifikimit.

Mbështetur në një raportim të fundit të komunave, në të cilin gazeta ka pasur qasje, vetëm në shkallën 6 për qind bëhet ndarja e mbeturinave në burim. Por, pjesë e madhe e kësaj ndarjeje sërish ribashkohet, meqë nuk ka sistem të rregullt të bartjes së mbeturinave sipas klasifikimit.

Në këtë situatë nuk ka një industri funksionale riciklimi. Ndarja e mbeturinave kryesisht bëhet nga sektori joformal. Edhe pse përmes këtij aktiviteti një kategori qytetarësh sigurojnë jetesën e tyre, sikur është rasti me çiftin egjiptian, Lumturijen dhe Enverin, në disa raporte theksohet se kjo paraqet rreziqe të mëdha shëndetësore për komunitetin dhe fëmijët në veçanti.

Mbeturinat që ndahen në këtë formë përpunohen dhe kryesisht eksportohen. Bazuar në të dhënat që Agjencia e Statistikave i ka prezantuar në 2016-n në një raport, 60,998 tonë mbeturina janë përpunuar nga bizneset private, ndërsa 10,871 tonë janë eksportuar për industrinë e riciklimit në vendet e tjera. Materiali më i riciklueshëm ka qenë metali me 67 për qind, pastaj plastika e letra.

Në vitin pasues sasia e mbeturinave të deponuara ka qenë 428,043 tonë, ndërsa e atyre të ricikluara 1,242 tonë. Mbështetur në anketën e mbeturinave të trajtuara, 590 tonë mbeturina spitalore janë sterilizuar, janë ricikluar 11 tonë mbeturina të letrës e kartonit si dhe 1,100 tonë mbetje të drurit, është deponuar një ton mbeturinë bimore, kurse janë ricikluar 131 tonë mbeturina të djegies.

Përderisa institucionet japin informacione rreth mbeturinave të parrezikshme, për ato të rrezikshme mungojnë të dhënat.

Ligji për mbeturina përmban si shtojcë një listë që tregon se cilat janë karakteristikat që i bëjnë mbeturinat të kualifikohen si të rrezikshme. Janë 15 sosh. Lista nis me substancat eksplozive e oksiduese, vazhdon me toksike e kancerogjene, e në mesin e tyre përshkruhen edhe veti substancash që, nëse thithen, gëlltiten apo nëse depërtojnë në lëkur, mund të shkaktojnë defekte gjenetike të trashëgueshme apo ngrenë mundësinë e tyre.

Shembull i dëmeve të tilla është vdekja e një fëmije të komunitetit rom në 2004-n, pasi ishte ekzaminuar me helmim nga plumbi. Prindërit e tij ishin në mesin e diku 700 romëve që ishin dërguar në vitin 1999 në kampet për vendosjen e personave të zhvendosur brenda vendit. Administrata e Kombeve të Bashkuara i kishte ngritur kampet në Zhikoc, Cesminluke dhe Kablare, lokalitete në afërsi të digave ku janë hedhur ndër vite mbetjet pas përpunimit të xehes në “Trepçë” dhe zona ishte e kontaminuar me plumb që në vitet shtatëdhjetë. Pas alarmit, tek qindra banues të kampeve ishin gjetur sasi të larta plumbi në gjak.

Sipas një studimi të bërë nga Agjencia e Statistikave në vitin 2010, sasia e mbeturinave industriale ishte 580,154 tonë dhe 36,241 tonë prej tyre ishin mbeturina të rrezikshme.

Mbështetur në ligj, në bashkëpunim me komunat përkatëse, Ministria e Mjedisit administron me mbeturinat e rrezikshme. Ligji kërkon që ato duhet të “ruhen në magazina të veçanta”.

Por, për to nuk kanë folur në Ministri.

“Ne si Departament për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ujërave nuk kemi informacione apo të dhëna”, thuhet në një përgjigje të shkruar të ministrisë, kur janë pyetur për vendndodhjen e këtyre deponive.

Sasi të mëdha të kimikateve dhe mbeturinave industriale dhe minerare me përmbajtje të lartë të metaleve të rënda janë trashëguar nga industria kosovare e paraluftës e kohës socialiste dhe kurrë nuk janë trajtuar.

Një raport i AMMK-së thekson se, për shkak të teknologjive të vjetra të përpunimit, të cilat nuk kanë arritur ta mundësojnë përdorimin e mjaftueshëm të lëndëve të para, ka sasi të konsiderueshme të mbetjeve minerare në deponi dhe afër tyre, të cilat janë duke shkaktuar rreziqe të mëdha për mjedisin.

“Deponitë industriale, për aktivitete të ndryshme minerare, metalurgjike dhe kimike, paraqesin sfida të mëdha”, thuhet në raportin që e vë theksin tek mbeturinat e “Trepçës”, KEK-ut e Ferronikelit. “Deponitë e tjera të egra, kimikatet e mbetura nga fabrikat në të kaluarën, janë ripaketuar dhe ruhen përkohësisht në pika të caktuara në Kosovë, të cilat paraqesin rrezik të përhershëm për mjedisin”.

Që nga viti 2015, BE-ja ia ka vënë Kosovës në dispozicion 12 milionë euro, për ngritjen e një deponie për mbeturina të rrezikshme. Mjetet i ka humbur në qershor, shkaku se nuk e ka ofruar lokacionin ku duhej të vendosej ajo.

Qeveria e kishte caktuar Harilaqin, fshat në Komunën e Fushë-Kosovës. Por banorët e zonës dhe autoritetet komunale kishin kundërshtuar realizimin e projektit.

“Është vendim unanim i Kuvendit Komunal nga muaji tetor 2018 që të mos ndërtohet deponia e mbetjeve të rrezikshme. Nuk kemi qenë kundër projektit të BE-së, por kundër lokacionit, sepse vetëm 500 metra janë larg shtëpitë e banimit, është zonë ku një pjesë e fshatrave përreth i kanë burimet e ujit …”, thonë në Komunën e Fushë-Kosovës. “Nuk jemi pyetur si komunë dhe as nuk jemi konsultuar nga institucionet e Kosovës dhe as nga iniciatorët e këtij projekti”.

Në Ministrinë e Mjedisit nuk kanë treguar se cila do të jetë zgjidhja që duhet bërë për deponinë për mbeturinat e rrezikshme, pas tërheqjes së BE-së nga mbështetja financiare e projektit. Në këtë institucion vetëm kanë thënë se janë “në hulumtim të lokacionit për depo apo magazina për mbeturina të rrezikshme”.

Zgjidhja te “karremi” e “shkopi”

Ka dy strategji nëpërmjet të cilave synohet të pastrohet Kosova nga bërlloku: njëra me “karrem” e tjetra me “shkop”.

“Karremi” vlen për komunat. Efektet e strategjisë i tregon rasti i Fushë-Kosovës.

Kjo komunë kishte një motiv në 2017-n, kur e kishte reduktuar në vetëm 10 numrin e deponive ilegale që ndodheshin në gjithë territorin. Heqja e tyre ishte kusht për ta fituar një grant ndërkombëtar.

Autoritetet komunale nuk e fshehin këtë fakt.

“Në dy vjetët e fundit Komuna e Fushë-Kosovës së bashku me 17 komuna të tjera ka hyrë në ‘garë për mjedis të pastër’ që e ka organizuar dhe financuar GIZ-i dhe MAPL-ja (Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal v.j.). Kriteret kanë qenë këto: Mbulueshmëria e territorit me shërbim; Përqindja e arkëtimit; dhe Eliminimi i deponive ilegale”, thuhet në një përgjigje të komunës. “Për ta fituar garën, Komuna e Fushë-Kosovës ka larguar deponitë ilegale në gjithë territorin dhe për këtë arsye numri i deponive kishte rënë në 10”.

Në Ministrinë e Mjedisit janë të vetëdijshëm se nëse kushtëzohen me mbështetje shtesë buxhetore komunat lehtë i heqin deponitë.

“Për të zbutur sadopak këtë problem, Ministria në bashkëpunim me GIZ-in është duke zhvilluar projektin lidhur me grantin për performancën – Mjedisi i pastër”, thuhet në një përgjigje të këtij institucioni.

Shumë nga grantet për mjedis kushtëzohen me heqjen e të tilla deponive.

E në anën tjetër, komunat kanë paralajmëruar se do ta përdorin “shkopin” ndaj qytetarëve, me qëllimin për ta reduktuar bërllokun në hapësira jashtë kontejnerëve. Ato i shohin gjobat si një solucion që mund të funksionojë.

Në Pejë, komunën kampion për nga numri i deponive ilegale, kanë treguar se kanë rritur numrin e inspektorëve mjedisorë.

Drejtoresha Xhevahire Kelmendi ka konsideruar se një nga faktorët që ka prodhuar numrin e madh të deponive të egra ka qenë mungesa e numrit të inspektorëve, dhe po ashtu moszbatimi i Udhëzimit administrativ për gjoba mandatore nga ana e Policisë së Kosovës, e të cilët kanë të njëjtat detyrime dhe përgjegjësi për zbatimin e këtij udhëzimi administrativ, sikurse edhe Komuna.

“Në raste të ndryshme inspektorët e ambientit ballafaqohen edhe me kërcënime nga ana e ndotësve të ndryshëm. Përkrahja e policisë aktualisht mendojmë se është jetike për parandalimin e kësaj dukurie”, thotë Kelmendi. “Me qëllim të parandalimit të deponive ilegale, Komuna e Pejës ka bërë shtimin e numrit të inspektorëve të ambientit, nga 2 inspektorë, aktualisht në 5 inspektorë. Inspektorët e mjedisit nga janari i këtij viti dhe deri tash kanë shqiptuar rreth 120 gjoba”.

Në vitin e shkuar ministri i Mjedisit, Fatmir Matoshi, ka firmosur një Udhëzim administrativ, që për qëllim ka parandalimin e hedhjes së mbeturinave jashtë vendeve të caktuara. Dokumenti parasheh gjoba nga 20 euro për hedhjen e cigares a çamçakëz në rrugë a sipërfaqe publike, deri në 100 euro për hedhurina në ujë apo mbetje gomash, djegie vajrash e të tjera.

Në Komunën e Fushë Kosovës e kanë pranuar se ende nuk kanë filluar me zbatimin e Udhëzimit administrativ. Për pasojë nuk është dhënë ndonjë gjobë.

“Në të ardhmen do ta funksionalizojmë Inspektoratin mjedisor dhe aplikimin e gjobave mandatore sipas Udhëzimit administrativ”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Arben Nika, që udhëheq organizatën e cila ka evidentuar deponitë ilegale të shpërndara në nivel vendi, ka folur për veprimet më kryesore që institucionet qendrore e lokale duhet ndërmarrë, në funksion të përmirësimit të situatës. Në krye të tyre e ka vënë nevojën që komunat të përmbushin kërkesat ligjore për menaxhim të mbeturinave. Sipas tij, kjo përfshin hartimin e Planit komunal për menaxhimin e mbeturinave, Rregulloren komunale e edhe krijimin e njësisë apo rekrutimin e nëpunësit për menaxhimin e mbeturinave, si dhe përcaktimin e inspektorëve mjedisorë.

“Duhet të ofrohet shërbimi për grumbullim të mbeturinave për të gjithë gjeneruesit e mbeturinave. Krahas kësaj, konform ligjit, Inspektorati komunal dhe Policia duhet të jenë me efikas për ruajtjen e mjedisit. Komunat duhet të caktojnë dhe t’i funksionalizojnë lokacionet për deponim të mbeturinave nga ndërtim-demolimi (mbetje inerte)”, ka numëruar Nika disa nga masat që kërkohen. “Institucionet qendrore duhet të kenë kontroll më efikas ndaj komunave, KMDK-së dhe kompanive regjionale për menaxhim të mbeturinave”.

Derisa institucionet t’i jetësojnë këto veprime, familja e Lumturijes dhe Enverit do të jetë e dënuar të jetojë në fqinjësi me një nga deponitë më të mëdha në Fushë-Kosovë, mbeturinat e së cilës shpeshherë shpërndahen edhe në oborrin ku e kanë ngritur kasollen me dërrasa e teneqe të gjetura po në bërllok. Kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Tjetra është se nga ky mosveprim institucional që ofron mundësi për më shumë deponi ilegale, ata mund të vazhdojnë të mbledhin mbeturina që riciklohen, e nga shitja e të cilave të sigurojnë të ardhura minimale për jetesë.

(Projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, i menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe i zbatuar nga BIRN-i dhe AGK-ja)

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-