Kryeministri Kurti: Kush udhëheq me pavarësinë e gjyqësorit?

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kosova

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar Gjykatën Themelore në Prishtinë për “kuptimin e urgjencës” me të cilat i trajton lëndët.

Në një shkrim në Facebook, ai ka bërë një listë të disa vendimeve të kësaj gjykate, duke kritikuar Themeloren për heshtje ndaj kërkesës së asamblistëve të VV-së për rastin ndaj Ndërmarrjes Publike për pronën publike. Për dallim nga ky rast, ai ka marrë shembuj të “punës së shpejtë” të Gjykatës, rastin e PDK-së kundër tarifave të rrymës dhe kërkesëpadinë e ish-drejtorit të Fondit për Sigurime Shëndetësore.

“Kuptimi i urgjencës, sipas Gjykatës Themelore të Prishtinës. Një muaj heshtje ndaj kërkesës së asambleistëve për masë të sigurisë, për mbrojtje të 17 mijë m2 pronë publike në Prishtinë. Masa e sigurisë, natyra e së cilës kërkon reagim të menjëhershëm të gjyqësorit, mbetet e pa adresuar për 30 ditë me radhë. Në vendosje e sipër, në bazë të ankesës së Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me tarifat e energjisë elektrike, Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi për 3 ditë. Pra, 30 ditë deri tani, për shqyrtim të kërkesës për mbrojtje të pronës publike. E 3 ditë për një çështje të afektuar nga kriza globale e energjisë elektrike. Ndërsa kërkesëpadinë e ish drejtorit të Fondit për Sigurime Shëndetësore, Gjykata e trajton pas 48 orësh”, ka shkruar Kurti.

Në fund ai ka pasur tri pyetje për sistemin e punës në këtë gjykatë.

“Kush vendosë për shpejtësinë e reagimit të gjyqtarëve? Si ndahen lëndët dhe pse nuk përdoret sistemi elektronik i menaxhimit të lëndëve? Kush udhëheqë me pavarësinë e gjyqësorit?” ka shkruar ai.

Kryeministri Kurti në disa raste ka kritikuar sistemin gjyqësor në vend. Nga gjyqësori është kritikuar për ndërhyrje në drejtësi.

Së fundmi, Kurti ka kritikuar sistemin prokurorial dhe gjyqësor për rastin e 11-vjeçares, që dyshohet se është dhunuar në disa raste.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-