Kryeministri Kurti: Serbia nuk mund ta pengojë asnjëherë integrimin e Kosovës në BE

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kosova

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëm deklaroi se Kosova do të bëhet anëtare kuptimplote në Bashkimin Evropian, ndërsa Serbia nuk do të mund ta pengojë asnjëherë këtë. Kështu ka thënë kryeministri Kurti përmes një shkrimi Facebook.

“Javën që shkoi, dorëzova kërkesën zyrtare të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ndërsa sot, ambasadorët e shteteve anëtare në COREPER II miratuan tekstin konsensual për vendimin e Këshillit të BE-së për liberalizim të vizave për Kosovën. Procesi që filloi me dorëzimin e aplikimit zyrtar më 15 dhjetor në Pragë, në kuadër të Presidencës Çeke, do të vazhdojë me punën tonë dhe bashkëpunimin me partnerët e miqtë tanë”, ka deklaruar Kurti.

Një falënderim i veçantë, sipas kryeministrit kosovar, shkon për të gjithë zyrtarët shtetërorë që ndihmuan në përgatitjen e këtij procesi dhe për zbatimin e reformave paraprake mbi të cilat, siç thotë Kurti, e dëshmuam progresin politik, ekonomik e juridik të Kosovës.

“I falënderoj të gjithë ata zyrtarë ndërkombëtarë që reaguan në mbështetje të aplikimit tonë dhe që po vazhdojnë të na mbështesin në këtë rrugëtim”, deklaroi Kurti.

Presidenti dhe Qeveria e Serbisë, sipas tij, mbeten të vetmuar në kundërshtimin e aplikimit zyrtar të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE.

“Duke i dërguar letra shteteve anëtare të BE-së, që t’i nxisin për të kundërshtuar aplikimin tonë për anëtarësim në BE, Vuçiqi po e shkel hapur dhe egërsisht marrëveshjen e tij të dashur të vitit 2013 (Marrëveshja Thaçi-Daçiq, 19 prill 2013), e cila në pikën 14 parashihte heqjen dorë nga kundërshtimi dhe pengimi i anëtarësimit të Kosovës në BE. Për mua e vetmja pikë me vlerë në atë marrëveshje është pika 14, sepse vetëm ajo siguron të ardhme demokratike, liberale e paqedashëse për të dyja shtetet në BE. Pikërisht për shkak të përmbajtjes së tillë, Serbia po e shkel kaq hapur një obligim të tillë”, ka shkruar Kurti.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-