Opoja.net

Kryetari i Dragashit, Shaban Shabani: Sfidë e madhe jona, trajtimi i ujërave të zeza

Dragashi si një qytezë e vogël, rreth 114 kilometra larg kryeqytetit, Prishtinës e 37 kilometra larg Prizrenit, ka probleme pak më tepër se komunat tjera, kjo për shkak të karakteristikave që ka kjo komunë.

Papunësia, trajtimi i ujërave të zeza, mungesa e ujit të pijes në disa fshatra, por edhe gjendja në infrastrukturën rrugore e shkollore, janë ndër problemet kyçe.

5446
SONDAZH / Zgjedhjet Lokale
Kandidati juaj i preferuar për kryetar të Dragashit?

Njeriu që udhëheq me këtë komunë, Shaban Shabani, në një intervistë për Gazeta Lajm (www.gazetalajm.com) pohon se përkundër gjitha vështirësive do të angazhohet maksimalisht që deri në fund të mandatit t’i realizon premtimet e dhëna gjatë fushatës që t’iu sigurojë një mirëqenia sa më të mirëve banorëve.

Ai tregon se cilat janë projektet madhore që synon t’i përfundojë deri në fund të mandatit, sa po gjen përkrahje nga qeveria “Haradinaj”, si dhe pse duhet vizituar nga turistët Dragashi.

 

Gazeta Lajm: Gjatë fushatës zgjedhore (garës së balotazhit) keni thënë se PDK ka një ofertë serioze për qytetarë e Dragashit. Pasi qytetarët ju besuan votën, sa keni arritur deri tani të realizoni premtimet e bëra?

Shaban Shabani: Platforma e PDK-së për më shumë se një dekadë ka marrë mbështetjen e qytetarëve të Komunës së Dragashit. Kjo dëshmon se Partia Demokratike gjatë udhëheqjes me pushtetin lokal ka arritur t’i përmbush premtimet e saja karshi qytetarëve. Edhe në zgjedhjet e fundit lokale ofruam një ofertë e cila u mbështet dhe natyrisht ne po bëjmë përpjekje të madhe të arsyetojmë këtë besim. Normalisht se gjatë punës tonë do të kemi lëshime gjë që është e natyrshme, po megjithatë ne po angazhohemi maksimalisht në realizimin e synimeve tona për qeverisje të mirë.

Për sa i përket realizimit të premtimeve ne veç se kemi filluar dhe shpresojmë se deri në fund të mandatit t’i realizojmë ato dhe në këtë mënyrë të tregojmë seriozitetin tonë në raport me premtimet e dhëna.

Gazeta Lajm: Cilat janë tre problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohet komuna juaj?

Shaban Shabani: Zhvillimi ekonomik, papunësia, mungesa e pronës komunale.

Problemi kryesor që ne ballafaqohemi gjithmonë është papunësia. Natyrisht se ky problem është evident në gjithë Kosovën, mirëpo tek ne është edhe me i theksuar për shkak të karakteristikave që ka Komuna jonë. Problem në vete paraqesin edhe mbeturinat dhe trajtimi i ujërave të zeza.

Gazeta Lajm: Po deri më tani ç’projekte të rëndësishme keni realizuar? Pra si është gjendja në infrastrukturën rrugore, arsim, shëndetësi, kulturë, gjendja në trajtimin e ujërave të zeza?

Shaban Shabani: Infrastruktura rrugore është në gjendje pak a shumë të mirë. Jemi duke vazhduar në përmirësimin e saj, po normalisht mbetet për tu bërë edhe me shumë.

Edhe në fushën e arsimit pothuajse brenda 2 viteve do të arrijmë të përmbyllim ndërtimin e objekteve shkollore. Jemi në proces të punimeve në dy shkolla. Vetëm një objekt shkollor në fshatin Buqe e kemi në gjendje jo të mirë, po edhe aty jemi duke bërë përpjekje për sigurimin e një lokacioni për ndërtimin e objektit të ri.

Edhe në fushën e shëndetësisë kemi investime të vazhdueshme në renovimin e objekteve shëndetësore dhe pasurimin e tyre me pajisje mjekësore.  Trajtimi i ujërave të zeza mbetet një prej problemeve kryesore për komunën tonë dhe në këtë drejtim me ju thënë të drejtën nuk e kemi një gjendje të mirë. Aktualisht kemi vetëm një impiant që përfshinë tre fshatra. Pothuajse të gjitha ujërat e zeza derdhen në lumenj e përrocka dhe natyrisht kjo për ne është e papranueshme. Ne po bëjmë përpjekje të hartojmë një projekt për trajtimin e ujërave të zeza e pastaj të kërkojmë mbështetje nga niveli qendror dhe donator të jashtëm ngase investimet në trajtimin e tyre kanë një kosto jashtëzakonisht të madhe e që komuna jonë nuk ka kurrfarë mundësie ta përballojë.

Gazeta Lajm: Dihet se komuna e Dragashit ka kapacitete për zhvillim të bujqësisë, veçanti në fushën e blegtorisë. Si është gjendja e fermerëve, sa keni arritur t’i jepni përkrahje atyre?

Shaban Shabani: Komuna me Plan Zhvillimor Komunal prioritet të parë e ka blegtorinë për shkak të hapësirës së madhe të kullotave. Fermerët tanë përballen me vështirësi të shumta. Normalisht kullotat paraqesin një përparësi, po kur kemi parasysh se dimrat në komunën tonë janë më të gjatë dhe duke pasur parasysh faktin se kemi një reliev të thyer shpesh fermerët hasin në vështirësi që normalisht u rrisin edhe koston e shpenzimeve. Ne po përpiqemi që përmes disa aktiviteteve me bashkëfinancim me organizatat si UNDP – ADA Austriake, HELVETAS, TIKA të mbështesim fermerët në rritjen e krerëve të lopëve dhe deleve. Drejtoria e Bujqësisë përmes zyrës për këshillim mbështet fermerët në plotësim të dokumentacionit për subvencione, organizon trajnime e seminare me mbështetje të donatorëve. Krahas kësaj jemi duke punuar në hapjen e rrugëve malore për qasje me të lehtë të fermerëve në tokat e tyre.

Gazea Lajm: Cilat janë projektet më madhore që synoni t’i realizoni deri në fund të mandatit?

Shaban Shabani: Në mbështetje të nivelit qendror synojmë të realizojmë zgjerimin e rrugës Zhur – Dragash – Brod – Zaplluxhe që është një kërkesë e kahmotshme e qytetarëve tanë.

Furnizimi me ujë i 15 fshatrave bashkë me qytezën duke përfshirë edhe fabrikën e ujit. Shpresoj se do të realizohet ngase komuna ka nisur këtë projekt nga viti 2016 dhe cilësohet si projekt kapital me rëndësi të madhe për qytetarët tanë.

Projekt madhor mbetet lidhja e komunës tonë me infrastrukturë rrugore me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Kjo do të mundësonte qarkullimin më të madh të njerëzve nga të dy anët e kufirit dhe do ta bënte komunën tonë një komunë të hapur.

Gazeta Lajm: Si është gjendja ekonomike e banorëve të Dragashit? Sa po e gjejnë vetën veçanërisht rinia atje, apo si në shumë komuna po synojnë ikjen nga vendi?

Shaban Shabani: Gjendja ekonomike e banorëve tanë vlerësohet të jetë mesatare. Me ju thënë të drejtën rinia jonë përballet me vështirësi të shumta. Mungesa e vendeve të punës po ndikon drejtpërdrejt në kërkimin e alternativave të tjera. Edhe përkundër se bizneset tona po hapin vende të reja prapëseprapë numri i të pa punëve është shume i lartë. Me pamundësi për tu përfshirë të gjithë, ata po synojnë komunat si Prizreni e Prishtina duke mos përjashtuar edhe synimin për të dal jashtë shtetit.

Gazeta Lajm: Duke qenë se vini nga PDK-ja, parti që është në pushtetin qendror, jeni të kënaqur me përkrahjen apo ju ka lënë paksa anash qeveria “Haradinaj”?

Shaban Shabani: Deri me tani jemi të kënaqur me mbështetjen e qeverisë qendrore, por gjithsesi si komunë e largët nga qendra kemi nevojë të mbështetemi edhe më tepër sidomos me programe që ndikojnë drejtpërdrejtë në krijimin e vendeve të reja të punës.

Gazeta Lajm: Për fund, pse turistët duhet ta vizitojnë Dragashin? Cilët janë vendet që ata do duhej t’i vizitonin?

Shaban Shabani: Turistët kanë shumë arsye pse duhet ta vizitojnë komunën tonë. Bukuritë natyrore, trashëgimia kulturore, traditat, kuzhina e pasur tradicionale, flora e fauna e pasur e mbi të gjitha mikpritja e bëjnë Dragashin vend ku turistët do të jenë të impresionuar gjatë gjithë kohës.

Vendet e preferuara për vizitorë janë: Qendrat turistike si ajo e Brodit, Zaplluxhës, Restelicës dhe Liqeni i Breznes. Objektet e trashëgimisë kulturore, xhamitë, namazxhahu, mullinjtë, valanica. Kultura, folklori, doket, zakonet, sportet tradicionale si gara e pehlivaneve e vrapimi i kuajve. Parku nacional i pasur me florë dhe faunë të pasur. Shtigjet për ecje (mbi 16 km). Restorantet me ushqime tradicionale. Shtëpitë malore nëpër fshatra.

Intervistoi: Hamëz Bytyqi

Ushtria e Kosovës furnizon me maska mbrojtëse shkollat në komunën e Dragashit

Opoja.net

Shi dhe vranësira, ndryshon moti në dy ditët e ardhshme

Opoja.net

Vetëvendosje në Dragash merr mbështetje nga Ministra e Deputetë të Kosovës për zgjedhjet lokale!

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net
Fokusi
Shiko
Zgjedhjet
Kontribo
Raporto