Ku është akti/dokumenti origjinal i pavarësisë së Shqipërisë?!

Merlinda Guraj Merlinda Guraj Opinione Opoja

Shkruan: Azdren Shala

Është histori më vete akti/dokumenti i shpalljes së Pavarësie së Shqipërisë. Dokumenti origjinal me 37 nënshkrime të delegatëve që u deklaruan për pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria e Osmane, është marrë në ruajtje në vitin e parë të qeverisë së Ismail Qemalit, dhe pas largimit të tij nga Shqipëria më 22 janar 1914, aktin e pavarësisë e ka marrë më vete njëri nga nënshkruesit e pavarësisë, Lef Nosi.

Lef Nosi njihej si një studiues dhe koleksionist, dhe pas largimit të tij nga qeveria e Ismail Qemalit, ai kthehet në Elbasan pas gjithë asaj tollovie të madhe që shkaktoi kryengritja e Haxhi Qamilit, natyrisht në ato kohë pa kohë, ai e mori më vete edhe dokumentin e pavarësisë.

Pas kësaj ngjarje, hera e parë që Lef Nosi e ka shfaqur dokumentin origjinal, dhe në të njëjtën kohë hera e fundit që është parë ai dokument, është viti 1937, në festimin e 25 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Lef Nosi e dërgoi dokumentin nga Elbasani në Tiranë, në ekspozitën që ishte përgatitur për shënimin e ceremonisë së pavarësisë, por bashkë më këtë, ai edhe e shumëfishoi edhe e botoi për herë të parë këtë dokument, duke e shpëtuar kështu momentin më të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë, meqë dihet se origjinali pas kësaj date nuk është parë asnjëherë.

Ndryshimet politike ndërkombëtare që pasuan, ku Lufta e Dyte Botërore e përfshiu edhe Shqipërinë, Lef Nosi u gjend në situata të tjera ku raportet e tij me pushtuesit gjermanë, e vunë atë në qendër të akuzave për tradhti në fund të luftës. Në këto rrethana ai u arrestua nga ana partizanëve në prill të vitit 1945, si regjent i pushtimit gjerman. Pas arrestimit, Lef Nosit nuk i’u gjend asgjë në shtëpi, por në bankën e shtetit, ai i kishte deponuar dy kaseta sigurie, ku shënimet e asaj kohe thonë se në njërën kishte koleksionin e tij të pullave dhe në tjetrën thuhet se kishte dokumente me vlerë historike, me shumë mundësi edhe dokumenti origjinal i pavarësisë.

Ku shkuan këto dy kaseta pas kësaj kohe? – Ka supozime të shumta, por një nga variantet e mundshme është që këto kaseta të kenë përfunduar në Beograd përgjatë viteve 1945-1947, kohë e miqësisë kjo mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë.

Deri më sot, nuk di të ketë ndonjë sipërmarrje serioze nga ana e shtetit shqiptar për kërkimin e atij dokumenti.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-