Kujtimi i shpeshtë i vdekjes …

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Kujtimi i shpeshtë i vdekjes është
një nga medikmentet për sëmundjen e imanit tonë dhe dobësisë së tij. Pejgamberi
(savs), ka thënë: “Shpesh kujtoni atë që i ndërpret të gjitha kënaqësitë,
dmth vdekjen!”
(Tirmidhi)

Ndër të tjera, neve më së shumti
vdekjen na e kujtojnë varrezat, të cilat është sunet që t’i vizitojmë, madje edhe
atëherë kur nuk e varrosim dikënd. Pejgamberi (savs) ka thënë: “Unë ju pata
ndaluar t’i vizitoni varrezat, por tani e tutje vizitoni ato, sepse ua zbusin
zemrën, ua lotojnë syrin, ua kujtojnë ahiretin…!”
(Hakimi)

Muslimani i vërtetë përfiton dhe e
kujton vdekjen edhe kur t’i shikojë varret e pabesimtarëve jo-muslimanë, e lëre
më varret e muslimanëve. Transmetohet se Pejgamberi (savs) e vizitoi varrin e
nënës së tij dhe me atë rast qau, ku bashkë me të qajtën edhe njerëzit përreth
tij, të cilëve ju tha: “Unë kërkova leje nga Zoti im që të kërkoj falje për
të (nënën time), dhe Ai nuk më lejoi, pastaj kërkova që të më lejojë ta vizitoj
varrin e saj, dhe më lejoi; vizitoni varrezat, sepse ato me të vërtetë jua
kujtojnë vdekjen!”
(Muslimi)

Vizita e varrezave është një nga
mënyrat më të efektshme për ta zbutur zemrën dhe për ta  përkujtuar ahiretin, dhe, përveç të gjallit që
ka dobi nga vizita, në atë moment, edhe të vdekurit që janë në varre do të
përfitojnë nga vizita jonë, nëse bëjmë lutje tek Allahu për ta. Këtu bëjnë
pjesë edhe këto fjalë të Pejgamberit (savs), i cili ka thënë: ‘Es-selamu’ alejkum
o banorë të varreve, besimtarë dhe muslimanë; Allahu i mëshiroftë ata që kanë
ardhë të parët dhe ata që do të vijnë më vonë. Edhe ne do t’ju bashkohemi së
shpejti!’
(Muslim)

Muslimani duhet t’i respektojë adabet
dhe bontonin e përcaktuar edhe kur shkon t’i vizitojë varrezat. Para së
gjithash, në pyetje është nijeti i sinqertë, dmth. që njeriu me këtë veprim të dëshirojë
vetëm kënaqësinë e Allahut, që me këtë vizitë të dëshirojë t’i përmirësojë dobësitë
e zemrës së tij, të mendojë për jetën e atyre që në atë moment gjenden të shtrirë
nën tokën të cilën po e shkel, si dhe të sjell ndër mend se ata të vdekur i
kanë lënë shtëpitë, familjet dhe miqtë e tyre.

Vizitori i varrezave duhet të
mendojë për të afërmit dhe të dashurit e tij, të cilët janë larguar nga kjo
botë, atëherë kur janë furnizuar më shumë për të jetuar në të. Atëherë kur
njeriu ka bërë më shumë para, familje dhe pasuri, përvojë me vite dhe njohuri,
atëherë të gjitha shpresat i kanë ra në ujë – as paratë, as pasuria, as familja,
dhe as miqtë nuk kanë mundur ta shpëtojnë nga balta dhe pluhuri i zakonshëm! Njeriut
toka ia mbush gojën, krimbat ia copëtojnë trupin. Gratë mbesin të veja, fëmijët
mbesin jetimë, nga vdekja nuk ka asnjë mbrojtje.

Kujtimi i vdekjes, e detyron njeriun
që sa më shumë ta kalojë shëndetin dhe rininë e tij në hajrate dhe vepra të
mira, dhe sa më shumë që të jetë e mundur, të distancohet nga gjithçka që e
largon nga Allahu, nga çdo lojë dhe argëtim i panevojshëm, sepse të gjithë
duhet të udhëtojmë në atë rrugë. Prandaj, secili prej nesh, le të kontrollojë se
a i kemi të gatshme vizat dhe pasaportat, se a kemi para dhe furnizime të
mjaftueshme për udhëtim, se a është rruga e sigurt, sepse ndoshta ndonjë hajdut
rrugor mund të na grabit!

Le të mendojmë për të vdekurit tanë,
të cilëve u janë ndarë gjymtyrët nga trupat e tyre… sepse edhe ne një ditë do
të jemi si ata …

Kush e kujton vdekjen rregullisht,
do të nderohet me tri gjëra: (1) me tevbe dhe pendim të shpejtë, (2) me
përulësi të zemrës, dhe (3) me përkushtim në ibadetin e Allahut. Ata që e harrojnë
vdekjen do të ndëshkohen me tri gjëra: (1) do ta shtyjnë tevben dhe pendimin, (2)
nuk do të jenë të kënaqur, dhe (3) do të jenë përtacë ndaj ibadetit dhe robërimit
për Allahun e Plotfuqishëm.

Ajo që gjithashtu ndikon dukshëm në
besimin dhe fenë e njeriut, është edhe shikimi i njeriut në momentin kur ai
vdes, derisa e jep shpirtin e tij, derisa njeriu është në vuajtjet e vdekjes
dhe në agoninë e vdekjes. Kjo gjendje e zmbraps njeriun nga shkuarja pas
epsheve dhe pasioneve, nga harami dhe mëkati; kjo gjendje nuk lejon njeriun as të
flejë, as të hajë, as të qëndrojë i qetë; kjo gjendje e detyron çdo njeri
normal që të bëjë vepra të mira dhe hajrate, dhe të angazhohet për çështjet e ibadetit
dhe fesë!

Hasan Basriu (r.h.) kishte shkuar
për vizitë tek një i sëmurë, të cilin e gjeti në agoninë dhe vuajtjet e vdekjes.
Ai i kujtoi dhe mendoi për mundimet që po i ndodhnin, dhe u kthye në familjen e
tij i zverdhur  dhe krejtësisht ndryshe
nga që kishte shkuar nga shtëpia e tij. I thanë: A dëshiron të hash diçka, Allahu
të mëshiroftë?
Hasani thotë: Oj familja ime, hani dhe pini ju, pasha Allahun,
unë pash diçka për të cilën prej tani po filloj të përgatitem!

Ne do ta kujtojmë vdekjen në mënyrën
e duhur, edhe atëherë kur e falim xhenazën, edhe kur të vdekurin e bartim në
krahë deri te varri, edhe kur hedhim dhé mbi të – të gjitha këto na e kujtojnë
jetën e përtejme dhe vdekjen e pashmangshme. Pejgamberi (savs) ka thënë: ‘Vizitoni
të sëmurët dhe përcillni xhenazet deri te varri – kjo j’ua kujton ahiretin.’
(Ahmed)

Përveç gjithë kësaj, në përcjelljen
e xhenazes ka shpërblim të madh, të cilin e përmend Pejgamberi (savs), me këto
fjalë: “Kush e përcjell një xhenaze (duke besuar dhe shpresuar në shpërblim)
nga shtëpia e saj derisa t’i falet namazi, do të ketë shpërblim të një kirati. Kurse,
nëse e përcjell xhenazen deri te varri, do të ketë shpërblim prej dy kirateve! I
thanë: ‘O i Dërguari i Allahut, çka janë ata dy kirate? Pejgamberi (savs) tha:

‘Shpërblim në madhësi të malit.”
(Muttefekun alejhi)

Gjeneratat e para të muslimanëve
dikur ua kujtonin vdekjen njerëzve të cilët i shihnin duke bërë mëkate.
Tregohet se një herë një burrë bëri thashetheme për një tjetër, në prani të një
muslimani, meqë rast ky reagon: “O vëlla i dashur, kujtoje momentin kur do
të vendosin pambuk në gojë, në hundë dhe në sy, dmth, në momentin kur do ta
lajnë xhenazen dhe të përgatisin për në varr!”

Ebu Hurejre (r.a.), kur e shihte
ndonjë xhenaze duke e bartur në krahë, thoshte: ‘Shko te Zoti yt, se edhe
ne së shpejti do të vijmë pas teje!”

Mekhul el-Dimeshki (r.h.), kur e
shihte xhenazen thoshte ai pa varrosjen, ai do të thoshte: ‘Shkoni, edhe
ne do të vijmë pas jush. Mësim i thjeshtë dhe i shkurtër, por pakujdesia shumë
e madhe! I pari shkon, kurse i mbrami nuk merr mësim!’

El-E’ameshi (r.h.), thoshte: ‘Kemi
marrë pjesë në varrime, ku nuk dihej kujt t’i shprehim ngushëllime, sepse të
gjithë të pranishmit qanin.’

Thabiti (r.h.) ka thënë: ‘Ne
kemi marrë pjesë në varrime, ku nuk kishte asnjë njeri që nuk ishte mbuluar me
diçka, dhe qante – sepse ata e kujtonin xhenazen e vet, andaj ata nuk qanin për
të vdekurin prezent, por për veten e tyre!’

Me të vërtetë është e habitshme (me
njeriun) – krijesën, caku i së cilës është vdekja, shtrati i së cilës është varri,
shoqërues të tij janë krimbat, vizitorë i ka Munkerin dhe Nekirin, shtëpi e ka
varrin, vendbanim brendësinë e tokës, ditë të takimit e ka Ditën e Gjykimit, dhe
vendqëndrim të fundit e ka xhenetin ose xhehenemin… si nuk mendon aspak për
këtë, dhe as nuk përgatitet për të gjitha këto!

Prandaj, le t’i mbajmë në mend të
gjitha këto që u përmenden më lartë, le të marrim mësim ashtu siç kanë marrë
ata para nesh, le të qajmë, sepse para nesh kemi momente të vështira, dhe le ta
lusim Allahun e Madhëruar për mëshirë!

Vëllezër të nderuar, le të mendojmë
mirë për vetveten, le ta dimë se do të vjen edhe momenti i vdekjes sonë, kur
nuk do të mund të marrim frymë, prandaj le të bëjmë istigfar, dhe le të kërkojmë
falje për veten tonë në mëngjes dhe në mbrëmje.

Allahu është Ai që mëshiron dhe udhëzon
në rrugë të drejtë!

 //Autor: Sead
ef. Jasavić, Përshtati: Miftar Ajdini

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-