Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Paris ka zhvilluar një takim me kryetarin e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zeljko Komshiq dhe anëtarin e Presidencës, Denis Beçiroviq, raporton Gazeta Sinjali.
Temë e takimit mes tyre ishte rëndësia e zbatimit të plotë të marrëveshjeve që janë arritur në kuadër të Procesit të Berlinit, teksa kanë shqyrtuar mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Në një postim në platformën X [ish-Twitter], Kurti e ka quajtur takimin produktiv.
“Falënderoj kryetarit të Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Zheljko Komshiq, dhe anëtarin e Presidencës, Denis Beçiroviq, për një takim produktiv”, shkroi ai.
Ndryshe, me ftesë të presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili ka bërë hapjen e Forumit, të enjten në mbrëmje, kryeministri Kurti ka qenë pjesë e darkës me krerët e shteteve dhe qeverive pjesëmarrëse në këtë Forum.
“Të shtunën, më 11 nëntor, duke filluar nga ora 10:00, në kuadër të ditës së dytë të Forumit të Paqes, Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në panelin e diskutimit me temën ‘Krijimi i paqes dhe ndërtimi i një bote më të sigurt’, ndërkohë që gjatë qëndrimit atje do të zhvillojë disa takime”, thuhet në njoftim.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.