Në kohën kur pushteti serb përmes mekanizmave ekzekutiv (policisë dhe ushtrisë serbe) e shpërnguli me dhunë popullatën shqiptare nga trojet e veta, duke u futur tmerrin jo vetëm fëmijëve, e grave, por edhe të rriturve dhe pleqve, duke u zbarazur kështu tërë Opoja, të gjitha fshatrat dhe të gjitha shtëpitë.
Opoja mbeti e shkretë, duke mbetur vetëm bagëtia (lopët, kuajt, viqat, delet, qentë etj). Por mbetën edhe DERRAT e ardhur dhe derrat autokton. Derrat e ardhur ishin policët dhe ushtarët serb, kurse derrat vendës ishin policët goran dhe të mobilizuarit goran. Megjithatë kishte edhe individ që nuk e lëshuan Opojën, nuk e lëshuan fshatin, nuk e lëshuan, shtëpinë, pra nuk e lëshuan Kosovën. E këta ishin shumica absolute pleq, të cilët në këtë moshë të shtyrë nuk u beri zemra e as këmbet që të shpërnguleshin. E dinin se ndoshta edhe do të vriteshin, por megjithatë e pranuan vdekjen përpara shpërnguljes. Mund ta marrim me mend se si u ka kaluar dita në atë periudhë. Po kush ishin, sa ishin dhe nga ishin ata që nuk u shpërngulen? Përse vendosen që të mos shpërngulen? Do të shohim më poshtë.
Nga Bresana kanë ndenjur Ramadan Emini me tërë familjen, Fehim Miftari 64 vjeçar, Hylmi dhe Feride Ahmeti të cilët u gjetën të vdekur, dhe Bajram Sahiti.
Nga Bellobradi kanë ndenjur Maliq Baxhaku 75 vjeçar dhe Sefidin Qafleshi 69 vjeçar.
Nga Brruti Raif Aliu 1935, me djemtë Fadilin dhe Izetin (Izeti më vonë iu bashkohet njësitit të UÇK-së të udhëhequr nga Zafir Berisha).
Nga Blaçi Nasuf Ramadani 70 vjeçar, Hajredin Nuridini 80 vjeçar, Naim Dauti 40 vjeçar.
Nga Kuki, Adem Fetahu 77 Vjeçar, Shemsidin Salihu 80 vjeçar, Faik Rakipi 75 vjeçar, Saime Avdyli, Shaban Sinani 1951, me 11 antarë të familjes (nënën e vet 82 vjeçare, shoqen dhe gruan e vëllaut i cili i kishte vdekur pak kohë më parë në rrethana enigmatike në Beograd, pesë fëmijë të vetë dhe dy të vëllaut), dhe dy gra plaka (gruaja e Bati Rasimit dhe gruaja e Nuri Rasimit. Këto kishin ndenjur për shkak të Nuriut i cili ishte në dializë, dhe pasi nuk kishin mundësi me shkue në dializë atëherë kishin ndenjur për ta ruajtur atë deri në vdekje dhe për ta varrosur. Pastaj ishte edhe një grua e palëvizshme, gruaja e Miftar Abazit. Gjithashtu disa ditë në Kuk qëndruan edhe: vëllezrit Safet Ajdini (1941) dhe Ajdin Ajdini (1944), si dhe Elmaz Nafezi (75 vjeçar) së bashku me djalin e tij Xhemilin, i moshës 40 vjeçare. Këta pas disa ditësh shkuan këmbë për Dragash dhe qëndruan atje deri në kthimin e popullatës, respektivisht deri në largimin e forcave serbe nga Kosova.
Nga Kuklibegu, Xhavit Ajeti me gruan e tij 78 vjeçar, pas vdekjes së gruas, vritet edhe vet nga serbët. Hasim Rexhepi 72 vjeçar, Seran Maliqi (ishte i plagosur në spital të Prizrenit), Haqif Mexhiti dhe Mazllomsha Mexhiti 70 vjeçarë, Shaip Halimi 93 vjeçar (tani i vdekur).
Nga Zgatari Nisret Misini 53 vjeçar me gruan.
Nga Rrenci Hatim Gërdellaj dhe Shukrije Gërdellaj nga 70 vjeçarë, Safet Skeraj 45 vjeçar, Vehbi Kajbe 31 vjeçar dhe Blerim Loshaj 22 vjeçar.
Nga Pllava, Hylmi dhe Xhyzide Piraj, 71 vjeçarë, Avdurrahim Cenaj.
Nga Breznja, Sallah Fetah Gashi (tashmë ka vdekur), Salajdin F. Gashi 1954, me të shoqen 1960, Bekim S. Gashi 1973, dhe djali i dytë 1976.
Nga Buçja është Halim Berisha, Misin Berisha, nusja e lajes Qerim, Zyber Berisha me Resmijen (bashkeshorten) kanë qëndruar edhe një kohë pasi është leshuar fshati, Ruzhdi Berisha (tashmë dëshmor) Gani Krasniqi i cili i vetëm gjatë gjithë kohës ka qëndruar në fshat me delet e tij dhe nuk e ka lëshuar fshatin fare.
Në bisedën që e bëmë me disa nga ata që nuk i lëshuan trojet, u përgjigjen si më poshtë.
Në pytjen si vendoset të mos shpërnguleni nga fshati, përgjigjet janë, të njëjta, vendosa të vdes në shtëpi, nuk ma merrte mendja se do t‘i largonin kaq gjatë popullin, pastaj se nuk kishin me çka të udhëtonin e kështu me radhë.
Në pyetjen e dytë, se a keni menduar se mund t‘u vrasin, përgjigja pothuaj se është identike, e kemi pritur se do të na vrasin deri të shpresa se do të shpëtojmë.
Në pyetjen se çka keni parë gjatë asaj kohe kur ne nuk kemi qenë në Opojë, përgjigja është se kanë parë policë serbë e goranë, ushtarë, deri që nuk kanë parë asgjë, sepse nuk kanë guxuar të dalin.
Në pyetjen se a ju kanë kërcnuar e maltertuar, përgjegjja është poashtu identike, se u janë kërcnuar që të gjithëve, kurse shumicën edhe i kanë maltertuar edhe fizikisht, kjo nënkuptohet kur dihet se disa edhe u vranë…
Në pyetjen se si e keni ndier veten kur populli nuk ka qenë në shtëpi, përgjigja gjithashtu është identike. Shumë keq, sa që nuk mund të merret me mend të jetosh në një vend ku s‘ka njerëz. Të hante fshati…
Në pyetjen se a keni shpresuar se do të kthehet popullata, shumica përgjigjen se kanë mbajtur YMYT të madh, por edhe kanë dyshuar se të gjallë as vetë më nuk do të kenë mundësi që shkojnë e të bashkohen me familjet e tyre, as që do të mund t‘i prisnin për së gjalli.
Në pyetjen se çfarë keni bërë gjatë asaj kohe dhe si e kalonit ditën,
në të shumtën e rasteve përgjigja ishte, se ditët i ngjanin shumë njëra tjetrës dhe si pasojë monotonia ishte e madhe që na e shtonte merzinë pa hesap.
Në pyetjen se a e njihni ndonjë polic serb apo ushtarë që kanë ardhur të ju vizitojnë, përgjegja ishte negative, përpos në rastet kur e përmendin policët goran Xhevat Ramadanin, Alimanin, Xhylbeharin etj.
Ndërkaq në pyetjen se a jeni penduar që nuk jeni shpërngulur me popullatën, apo mendoni se keni bërë trimëri, përgjigja është plotësisht e sinqertë, se nuk mendojmë se kemi bërë trimëri, disa thonë se nuk e kemi ditur se vërtet kaq gjatë do të ishte kështu, e disa thonë se janë penduar por atëherë u bë tepër vonë.
Ja p.sh. disa nga deklarimet e një pjese të atyre që nuk u shpërngulen:
Sefidin Qafleshi: shtëpinë ma kanë bastisur në fillim dhe më kanë thënë që të mos dal përjashta nga shtëpia, duke mu kërcënuar…nuk kam besuar se do të kthehet populli sërish, por një ditë kur një ushtar më pa duke qajtur më tha se ne shpejt do të shkojmë nga këtu, e do të vijnë shqiptarët…përjashta nuk kam dalur sepse ushtria kanë qenë në shtëpi të tas Isë“.
Maliq Baxhaku: Brenda një jave kam shkuar tri herë në Prizren rrugë e pa rrugë, pa i ra në sy forcave serbe. Njëherë dola me autobus në Dragash, pastaj nga Dragashi kam shkuar në Radeshë, atje më ndihmoi hoxha i Radeshës për të dalë nga fshati dhe shkova në Opojë, por jo në Bellobrad sepse nga larg shiheshin forcat serbe në Mejdan. Një natë fshehtas e kam kaluar në Buzes, pastaj më 5 maj jam nisur në këmbë ka Gjermani për në Prizren. Në rrugën Lybeçevë-Prizren të vendi i quajtur „Levun“ më arrestoi ushtria serbe dhe mi morrën 1100 DM dhe orën, aty me rrahën pa masë dhe më quan në Prizren. Atje më burgosen në një shtëpi në Bazhdarhane duke më rrahur pandërpre, duke më pyetur për UÇK-në, pastaj pavetëdije më kanë quar në spital…kur filluan plaçkitjet dhe kur u vendos ushtria në Bellobrad u bë rrezik me ndejtë në shtëpi.
Raif Aliu: „për të mos na diktuar dhe për mos ju ra në dorë u strehuam në një vend të sigurt në pyll, natën me djalin tim Fadilin i kullotnim delet kurse ditën pushonim, ku gjatë pushimit njëri vëzhgonte. Deri më 8 prill për çdo orë patrollonte policia. Kurse që nga 9 prilli filluan plaçkitjet. Plaçkat i bartnin me vetura e traktorë. Paramilitarët për dy ditë e për dy netë i kanë thyer të gjitha shtëpitë me rend. Vetëm në Bresanë kishte rrymë rregullisht.
Salajdin Gashi: nuk shkuam për Shqipëri sepse nuk patëm vend me çka të shkojmë, pastaj më 4 prill shkova në Dragash te miqtë e mi, te Adem Iljazi. Kam shpresuar se brenda javës populli do të kthehej. Babain tim Sallahun, që mbeti në Brezne ma vranë paramilitarët e Arkanit si dhe magjupët. Kam pa paramilitarë të Arkanit dhe magjupë. Shumë keq e kam ndier veten kur vetëm e kam varrosur babain tim me duart e mia në oborrin e shtëpisë më 20 prill 1999.
Gani Krasniqi: nuk jam frikësuar sepse në Dubravë ku ishin policët e Serbisë kanë folur mirë për mua, e sidomos milici nga Kuki Gjylbehari i njohur në Opojë si “Gjura”. Magjupët e Rumanisë bartnin mall me najllona, kurse goranët bartnin plaçka me traktora nga fshati Buçe. Më dhimbseshin shumë qingjat kur vinin e m‘i merrnin magjupët e i thernin pastaj. Oficerët ma kufizuan terrenin e kullojtjes. Mbi Buçe kanë qenë të vendosura topat kundërajror të cilët i aktivizonin kundër ajroplanëve të NATO-s. Mallin më të madh nga fshati Buçe e bartin rapçjanët me traktora të vjedhur nga shqiptarët. I kam njohur rapçjanët se disa vjet rresht i kam ruajtur delet atje. Sidomos ata të Rapçës së Poshtme dhe më kujtohen mirë djemtë e Ramadan Hysenit të Rapçës së Poshtme. Shpesh më vizitonin ushtarët goranë, më ngucnin me fjalë, po unë i duroja. Një ditë kur ishin një grup ushtarësh rreth meje erdhi aeroplani i NATO-s e gjuajti. Të gjithë u shpërndanë si zogjë në përrua rreth shtëpisë sime. Prej milicve i kam njohur Xhevatin, Gjurën, Rrystemin dhe milicët tjerë të Dubravës.
Hatim Gërdellaj: kur pashë se po djegin shtëpi, plema, garazha, besova se do të na vrasin edhe neve. U fshehem në një prrua plot dy javë por na gjetën. Bukë na gatuante plaka ime njëherë në dhjetë ditë. Shkoja natën në shtëpinë time pa u hetuar prej ushtrisë serbe. Po ishte vështirë edhe prej qenve të fshatit se alarmonin duke lehur. Policët kishin dyshuar në praninë tonë. Ata e kishin pasë një lajm se në Rrenc janë 37 të rinj. Ky lajm siç u binda më vonë ju kishte shkuar në vesh nga Taipi i Bellobradit. Kështu ata edhe na zun gjatë kohës së drekës derisa po merrnim abdes me plakën. Kur më morrën në pyetje ishin dy oficer paramilitarë të vjetër. Më pyetën për Hasimin e Bellobradit, i cili një ditë kishte ardhur në Rrenc me një oficer serb që ta këshillojnë ushtrinë serbe mos t’ja prekin shtëpinë e Haxhisë së Sedës, pasi për djalin e tij e kishte të martuar vajzën e vet. Pra as kerrat mos t’ia ngucin. Një ushtarë serb që ishte i zënë rob në luftën e Kroacisë shpesh na malltertonte. Na urdhëronte të mos flemë, të rrimë zgjuar në grazhd të love, kur na quan në Pllavë. Na tregonte hangjarin dhe na thoshte se Blerimin sonte do ta therim për darkë. Edhe në Rrenc, dy ushtarë magjupë na u kërcnuan, njëri me shufër hekuri e tjetri me thikë dhe na kërkuan para. Ia dhamë 200 marka sa i patëm.
Më 5 prill 1999, disa goranë i morrën lopët, dhitë e dhentë e Rrencit dhe i quan në drejtim të Prizrenit. Gjithsejt ishin 20 milicë goranë. I njoha në të folme.
Më 6 prill 1999 NATO i bombardoi te shkolla e Zymit ushtarët serb.
Serbët me 2 prill me minahedhës e kanë gjuajtur minaren e Rrencit në ora 9.oo.
Në ora 2.oo të natës më 5 prill NATO e bombardoi Dragashin.
Më 6 prill ora 11.oo u dogj shtëpia e Xhafer Bojaxhiut.
Më 11 prill në ora 13.oo u dogjën shtëpitë e tjera në Pllavë, si dhe në Rrenc filluan djegien së dyti herë të shtëpisë së Shefkisë, Agimit, plemën e Lezës, shpinë e Hakisë dhe Hevzisë.
Shukrie Gërdellaj: dy javë nuk shtimë kurgjo në gojë se ishte vështirë për të gatuar. Mandej rrallë shkoja fshehtas në shtëpi e gatuaja shpet e shpet dhe menjëherë ikja te prroi ku rrishim. Një kulaq e hanim pesë vetë për 24 orë. Kur na zunë nuk e ditëm se ku po na qojnë. Kur e pamë vetin në Pllavë, na vendosën në shtëpi të njëfar Dini, në hymje të fshatit. Një ushtarë rrinte me automat ngat nesh dhe herë e nxirrke plumbin nga pushka e herë e shtinte prap në pushkë. Na shtinë në kuor të love me fjet në grazhd. Mua vzhdimisht më rrike parasysh hija e vajzës teme Makfires e cila kur u nda prej meje me lot ne sy më tha: nonë ma bon hallall. Une nuk e dita se ajo po ma kërkonte hallallin sepse kishte vendosur të hynte në UÇK. Shyqyr që nuk e kam ditë, se do të merzitesha edhe ma shumë. Jo se s’kisha qef me shkue vajza jeme në UÇK, po, nonë bre bijë. Masi u kthye populli u morzita shumë kur mora vesh që djali i kunatës Abdurrahmani ishte vra në luftë.
Adem Fetahu: duke rritur në shtëpi, na gjet ushtria, na muor në pyetje. Dikura erdhi edhe Luli i Nazyfit, ai u interesua për Nurinë e Rasimit, por ishte shumë vonë, se mo veç sa s’kishte vdek. Kur vdiç nuk na lanë me e varros në varreza, por e varrosëm në oborr të shtëpisë së vet. Ushtarët ishin vendos në shkollë të Kukit dhe porditë shkojshin në bjeshkë. Një ditë erdhen e na morrën me na que në Bresanë, prej atyhit na quan në Vërmicë. Kur shkuam në kufi, na kthyen prap, u detyruam në këmbë të kthehemi prej Vërmicës të gjithë sa ishim 11 vetë për Kuk. Kemi hek shum to hec asfaltit derisa mrrimë me zor deri te shpija…
Faik Rakipi: masi ndejta, kur u mshilsha në shpi veç pritsha se kur po vin me na pre. Një ditë to e qit plehin më zun ushtarët. Më morrën dhe erdhën me kontrollue në shpi. Aty e gjetën një syret të UÇK-së, që djali jem e kish pas varë në mur. E morrën ma dhanë ftyrës dhe e kallën. Më morrën edhe në pyetje. Prej milicve kanë ardhë gorontë dhe Gjylbehari.
Shaban Sinani: Kam ndejt se nonon e kam të palevizshme. S’pata gji me bo, me e lonë qysh me e lonë, nuk ma muor mendja dhe ndejta. Mas ni kohe erdhen dhe më bastisen. Nuk kam dalë korkund. Kam dalë veç kur janë kthye refugjatët. I kam njoft veç milicët Xhevatin, Enverin e Gjylbeharin.
Kjo është vetëm një pjesë e përjetimeve të tyre, ku minuti ishte ditë, dita ishte vit, kurse muaji sa një shekull.
Autor:
B. Halimi
I. Lecaj
I. Skenderi
M. Lecaj
(Opoja.net)
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.