Shkruan: Ismet Lecaj
Thoshin pleqtë përpara se ekziston një shpellë që shtrihet gati skaj e m’skaj Opojës. Ajo fillon, sipas tyre, nga Pikëllima lart, bie për anë të Breznes duke vazhduar në drejtim të fshatrave: Bellobrad, Brrut, Zgatar, Blaç, Zaplluxhe, dhe përfundon te Kodra e Rrasës. Kjo sipas tyre gjendet poshtë kësaj sipërfaqeje nja 80 metra me gjerësi deri në 50 metra. Me një fjalë është hapësirë e madhe. Madje vazhdimisht banorët e fshatit Brezne, kur ruanin natën në arat e tyre që thitë mos t’ua dëmtojnë të lashtat, dëgjonin ushtimë të madhe nëntokësore nga ana e majtë e liqenit të Breznes. Kjo u vërtetua edhe kohëve të fundit, tani pas lufte, kur një person që ruante natën te liqeni ca baraka turistike të shndërruara në kafene, pohonte se zhurmë e madhe nëntokësore vjen nga ana e majtë e liqenit.
Në kohën e fëmijërisë sime thoshin se Moni i Rexhepit duke gërmuar në arën e vet, më së largu nja dyzet metra mbi Krua të Hoxhës, ka hasur në një ushtimë tmerruese nëntokësore. Kjo mund të jetë e vërtetë se kur ka të reshura të shumta atmosferike Kroi i Hoxhës, pikërisht nga ai drejtim derdh tepricën e ujit. S’është për të ardhur çudi se bazenet nëntokësore janë akumulues të ujit për t’u zbrazur gjatë stinëve tjera deri në minimum dhe pêr t’u mbushur përsëri nga të reshurat tjera atmosferike. Edhe inxhinierët nga Zagrebi, duke bërë shpuarjen e tokës së Breznes në çdo cep të saj, në vitet gjashtëdhjeta e më vonë edhe në ato shtatëdhjeta, për të matur fortësinë dhe llojin e dheut se u duhej për projektimin e një liqeni artificial, kanë theksuar se ka lumenj nëntokësorë në vendin e quajtur Parkaq dhe andej nga Sllubat, jo larg banimit të sotëm të Llopushnikut.
Marrë nga Revista SHARRI, Nr. 75-76 Maj-Qershor 2015
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.