Ngritja e vazhdueshme e çmimeve ka ngritur shqetësime nëpër shumë vende të botës, e sidomos nëpër vendet që janë jo fort të sigurta ekonomikisht, si rasti i Kosovës.
Vetëm nga shkurti i këtij viti kur nisi lufta në Ukrainë, qytetarët kosovarë kanë mundur të vërejnë se si vaji ushqimor është shtrenjtuar disa herë, shkruan Klan Kosova.
Nëse bëjmë një krahasim se sa ishte çmimi i një litri vaj në shtator të vitit 2021, me atë sa kushton tani, i bie që brenda një viti një shishë vaj është shtrenjtuar për gati një euro.
Në shtator të vitit 2021, një litër vaj kushtonte 1 euro e 54 centë, ndërsa tani kushton 2.52 centë.
Agjencia e Statistikave të Kosovës së fundmi e ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” për muajin shtator 2022, ku mund të vërehet se norma vjetore e inflacionit e matur në muajin shtator të vitit të kaluar, me muajin shtator 2021, ishte 12.7 për qind.
Përveç vajit që është esencial për ushqim, në prag të dimrit kur temperaturat kanë filluar të bien, edhe lëndët e ngurta djegëse për ngrohje, si druri dhe peleti, kanë pësuar një ngritje të lartë të çmimit.
Sipas ASK-së, nëse e krahasojmë se sa ishte çmimi i një metri kub dru në shtator të vitit 2021, me atë se sa kushton tani, i bie që brenda një viti metri i drunjve është shtrenjtuar për 22 euro.
Në shtator të vitit 2021, një metër kub dru kushtonte 40 euro e 38 centë, ndërsa tani kushton 62.35 centë.
Lëndët djegëse për ngrohje dhe vajrat ushqimore janë dy ndër më të prekurat nga inflacioni sepse ngritje të çmimit kanë pësuar edhe buka, djathi, qumështi, vezët, sheqeri e shumë artikuj tjerë ushqimorë.
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 12,7 për qind në muajin shtator 2022 krahasuar me muajin shtator 2021. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (60,2 për qind), vajrat dhe yndyrat ushqimore (49.7 për qind), buka dhe drithërat (33,5 për qind), qumështi, djathi dhe vezët (25,8% për qind), , karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (24,7 për qind), gazi (23,9 për qind), mishi (22,3 për qind), sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (21,1% për qind), kafja, çaji dhe kakao (17,9 për qind), prodhime të ndryshme ushqimore salca, erëza kripë, ushqim për fëmijë etj”.
“(16,7 për qind), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (16,2 për qind), shërbimet për transport (15,7 për qind), shërbimet hoteliere (14,2 për qind), mirëmbajtja dhe rregullimi i vendbanimit (13,3 për qind), veglat dhe pajisjet për shtëpi dhe kopsht (10,9 për qind), kujdesi personal (8,3 për qind), gjërat dhe pajisjet tjera rekreative, kopshtet dhe manaret (7,3 për qind), mobile dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje (6,7 për qind), pjesë këmbimi dhe pajisje shtesë për pajisjet e transportit personal (6,4 për qind), uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet (6,2 për qind), pajisje shtëpiake (5,9 për qind), blerja e automjeteve (5,5 për qind), duhani (5,4 për qind), pijet alkoolike (5,2 për qind), produktet farmaceutike (4,9% për qind), qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës (4,4 për qind), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 13,0 për qind në IHÇK”.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.