Sot do të mblidhet Këshilli për parandalimin e dhunës dhe dukurive tjera negative në sport.
Kështu ka bërë të ditur zëvendësministrja nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, përmes një postimi në “Facebook”.
Kjo mbledhje vije pas përleshjes që ndodhi sonte mes tifozëve në finalen e Superkupës së Kosovës në basketboll.
Kjo ndeshje u zhvillua sonte në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, teksa u fitua nga kryeqytetasit me rezultatin 73:54.
Kjo ndeshje u përshkrua me tensione në tribuna, ku të pranishëm ishin “Plisat” dhe “Torcidat”.
Një përplasje e madhe mes tyre ndodhi pasi përfundoi pjesa e parë, me ç’rast u nevojit edhe ndërhyrja e policisë.
Zyrtarët e ndeshjes pastaj vendosën për zbrazje të palestrës dhe pjesa e dytë e ndeshjes u zhvillua pa praninë e tyre.
Postimi i plotë nga Osmani:
“Përleshjet, rrahjet dhe vandalizmi nuk kanë vend në sport.
Humbja në sport është një gjë, ndërsa turpi është një gjë tjetër. Sjelljet e tifozëve që pamë sonte dhe në disa ndeshje të basketbollit vendor janë të turpshme.
Përderisa shohim policë të lënduar në veri të Kosovës, shohim edhe policë të lënduar gjatë detyrës së tyre për të ofruar siguri në një ndeshje të basketbollit.
Palestrat sportive janë shndërruar në fushëbeteja të tifozëve, prezenca e të cilëve nuk po mundëson zhvillimin e lojës, ndërsa qytetarët e tjerë pjesëmarrës po i ekspozon ndaj rrezikut të dhunës dhe agresionit para, gjatë dhe pas ndeshjeve.
Nuk duhet të lejojmë që tifozëria lokale për ekipet e zemrës të shndërrohet në huliganizëm. Nuk është huliganizmi ajo që përfaqëson dhe reprezenton punën e komunitetit sportiv dhe krenarinë që sporti i sjell çdo qytetari.
Përkundër të gjithë angazhimit të FBK dhe Policisë së Kosovës për zhvillimin e ndeshjes në ambient të sigurt asgjë nuk ishte e mjaftueshme për të ndalur sjelljet e dhunshme të tifozëve.
Nesër në orën 10:00 mblidhet Këshilli për parandalimin e dhunës dhe dukurive tjera negative në sport për raportim mbi mbarëvajtjen e lojës para, gjatë dhe pas ndeshjes.
Kërkoj nga të gjitha palët të ndërmarrin të gjitha masat për identifikimin dhe denimin e atyre që ushtruan dhunë dhe që shkaktuan dëme në Palestrën e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, ndërsa të lënduarve u uroj shërim të shpejtë”.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.