Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Sharr ka shprehur mbështetjen për banorët e fshatit Rrenc të Dragashit, të cilët po kundërshtojnë ndërtimin e një deponie të mbeturinave në afërsi të vendbanimit të tyre.
Përmes një reagimi publik, LVV në Sharr tha se pas reagimeve të banorëve, peticionit të nënshkruar dhe takimit me përfaqësuesit e Kryesisë së fshatit, shqetësimet e ngritura janë të bazuara dhe kërkojnë trajtim serioz nga institucionet komunale.
“Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Sharr shpreh mbështetjen e plotë për banorët e fshatit Rrenc dhe kërkesat e tyre legjitime lidhur me kundërshtimin e ndërtimit të një deponie të mbeturinave në afërsi të vendbanimit”, thuhet në reagim.
Sipas kësaj dege, asnjë projekt që ndikon drejtpërdrejt në jetën, shëndetin dhe mjedisin e qytetarëve nuk duhet të procedohet pa konsultim të mirëfilltë me komunitetin.
“Asnjë projekt që prek drejtpërdrejt jetën, shëndetin, mjedisin dhe të ardhmen e një komuniteti nuk duhet të procedohet pa konsultim të mirëfilltë me qytetarët. Respektimi i zërit të banorëve nuk është çështje vullneti politik, por detyrim institucional dhe parim themelor i qeverisjes demokratike”, thuhet më tej.
LVV në Sharr i ka bërë thirrje kryetarit të Komunës dhe ekzekutivit lokal që të vazhdojnë dialogun me banorët, të shmangin polemikat në rrjetet sociale dhe të trajtojnë shqetësimet e qytetarëve me përgjegjësi.
Po ashtu, kjo degë ka kërkuar rishqyrtimin e mjeteve të planifikuara për projektin, duke theksuar se bëhet fjalë për fonde nga Granti i Performancës, të cilat, sipas saj, mund të ridestinohen për projekte të tjera në interes të qytetarëve.
Gjithashtu, është kërkuar edhe rishikimi i lokacionit të planifikuar për ndërtimin e deponisë, duke marrë parasysh kërkesat e banorëve dhe faktin se vendi i propozuar ndodhet rreth 300 metra larg zonës së banuar.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra në Sharr do të jetë përkrah çdo kërkese të drejtë qytetare që synon mbrojtjen e shëndetit publik, mjedisit dhe interesit të përgjithshëm. Qeverisja e mirë ndërtohet mbi dialogun, transparencën dhe respektin për qytetarin. Angazhimi ynë politik do të jetë gjithmonë në shërbim të qytetarëve”, përfundon reagimi.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

