Kanabisi sjellë fitime të paligjshme për një pjesë të madhe të shoqërisë në Shqipëri, duke filluar nga fshatarët që kultivojnë bimën e deri tek grupet e krimit të organizuar që e transportojnë atë jashtë kufijve dhe e shesin në vendet e Bashkimit Evropian (BE).
Në kulmin e kultivimit, periudhën 2016–2017, llogaritet se kanabisi solli 2.2 miliardë euro.
Kështu thuhet në raportin e Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar me titull: “Prurjet Financiare të Paligjshme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut”, i botuar në gusht të vitit 2020. Aty potencohet fakti se kanabisi i kultivuar në Shqipëri trafikohet përtej kufirit në Kosovë për përdorim të brendshëm dhe për transportim në vendet e Bashkimit Evropian. Krahas kësaj, e njëjta bimë, kalon në Maqedoninë e Veriut, prej nga kryesisht më pas orientohet drejt tregjeve turke, bullgare dhe rumune.
Ekspertë të sigurisë në Shqipëri kanë deklaruar për “Front Online” se trafiku i narkotikëve në Shqipëri ka pasur një hov në dekadën e fundit. Kjo, sipas tyre, është theksuar edhe më tepër gjatë qeverisjes së kryeministrit aktual, Edi Rama. Grupet kriminale, siç thonë njohësit, janë bërë më të sofistikuara, madje edhe sesa vetë organet ligjzbatuese. Policia, Prokuroria dhe SHISH – Shërbimi Informativ Shqiptar janë një hap prapa tyre si në infrastrukturën logjistike ashtu edhe në burimet njerëzore.
“Aktualisht kemi një ish- ministër të Brendshëm nën akuzë për grup të strukturuar kriminal dhe një tjetër ish-ministër të Brendshëm, me vëllain e përfshirë në narkotrafik, që aktualisht po vuan dënimin në Itali. Në hierarkinë e qeverisë, ministri i Brendshëm është numri 2 për nga rëndësia”, thotë për “Front Online” Lavdrim Lita, gazetar nga Shqipëria.
Korridori 20 miliardësh Ballkanik i drogës
“Korridori Ballkanik” është një nga linjat e trafikimit të drogës më të përdoruara në botë, veçanërisht për heroinë, por edhe për kokainë dhe kanabis.
Diçka e tillë thuhet në raportin e lartpërmendur të Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar.
“Në vitin 2014, UNODC përllogariti se më shumë se 20 miliardë dollarë kalojnë nëpër këtë korridor çdo vit”, thuhet mes tjerash në raport.
Linja në fjalë lidh Afganistanin, prodhuesin më të madh të heroinës në botë, me tregjet e Rusisë dhe Evropës perëndimore. Ngjashëm Shqipërinë me Italinë në perëndim. Derisa është urë lidhëse gjithashtu drejt Austrisë, në veri.
Ndonëse qeveria shqiptare është munduar të zvogëlojë ndjeshëm kultivimin e kanabisit gjatë viteve të fundit, të ardhurat nga kjo bimë së bashku me heroinën dhe kokainën, vazhdojnë të jenë burim i rëndësishëm i prurjeve financiare të paligjshme.
Si në shkurt të 2018-s kur një ngarkesë me 613 kilogramë kokainë, në vlerë të 180 milionë eurove, u kap në portin e Durrësit. Nuk mbaron gjithçka këtu. Meqë gjatë po të njëjtit vit, sasia totale e konfiskimeve të kanabisit arriti në 20,365 tonë.
“Duke patur parasysh edhe vlerësimet e ekspertëve në Shqipëri, se vetëm 20 për qind e drogave që kalojnë nëpër vend kapen nga policia, shkalla e trafikimit të narkotikëve mund të jetë e konsiderueshme”.
Fitimet nga trafikimi i kokainës llogaritet se kalojnë shifrën e 20,000 € për kilogram, çka krijon mundësi të mëdha për investime dhe korrupsion.
Të ardhurat nga trafikimi i kokainës mendohet se financojnë dhe mbështesin aktivitete të tjera kriminale: tregtinë e paligjshme të armëve, rrjetet dhe objektet për pastrimin e parave, trafikimin e llojeve të tjera të drogës si dhe kalimin e paligjshëm të njerëzve.
“Fitimet e mëdha që vijnë nga trafikimi i drogës pastrohen me mënyra të ndryshme, si në vendet e Ballkanit perëndimor ashtu dhe më gjerë”, thuhet në raport.
Pazaret e narkotikëve/ Më shumë se tri grupe kriminale po ekzekutojnë njëri-tjetrin në Shqipëri dhe në botë
Në anën tjetër, Lavdrim Lita, gazetar – dikur edhe këshilltar i ish-Ministrit të të Brendshëm të Shqipërisë, Dritan Demiraj, deklaron se tregu i narkotikëve në Shqipëri ka pasur një hov cilësor në dekadën e fundit. Sipas tij ka dyshime se edhe vetë institucionet e sigurisë janë infiltruar në krim të organizuar.
Lavdrim Lita, gazetar nga Shqipëria
“Sipas një informacioni të SHISH për krerët e Shtetit, plotë 124 zyrtarë të Policisë së Shtetit ishin përfshirë në aktivitet të narkotrafikut gjatë viteve 2015-2017. Pra, kemi një infiltrim të institucioneve nga element të krimit të organizuar”, thotë Lita.
Lita ka shtuar se grupet kriminale shqiptare të strukturuara në Shqipëri janë të pakta, ndërsa pjesa më e madhe e tyre, siç thotë ai, veprojnë në disa shtete të Evropës si: Itali, Hollandë, Belgjikë, Angli dhe Spanjë.
“Janë këto grupe që shpesh i qërojnë hesapet në Shqipëri me njëri-tjetrin, kur ka prishje të pazareve të narkotrafikut. Aktualisht kemi më shumë sesa tre grupe që po ekzekutojnë njëri-tjetrin në Elbasan, Vlorë dhe Durrës. Këto grupe janë të përfshira në trafikun ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine në Evropë: Ekuador, Kolumbi dhe Bolivi”, shprehet Lita.
Grupet e fuqishme kriminale dhe lidhjet e tyre me politikanët e fuqishëm në Shqipëri
Sa i përket shifrës prej 2.2 miliardë euro si fitime vjetore nga kanabisi në Shqipëri, Lita thotë se ky ka qenë një vlerësim i OSBE për përdorimin e këtyre parave në fushata elektorale.
“Sipas gjykimit tim janë shifra edhe më të larta, duke ditur që 91 % e parave të fituara nga shitja e kokainës së ardhur qëndron në Evropë dhe vetëm 9% kthehet në Amerikën Latine mund të themi se këto para qarkullojnë sa në Evropë, po aq në Shqipëri”, shprehet ai.
Edhe Alban Dafa, ekspert i sigurisë në Shqipëri, është i mendimit se grupet kriminale në Shqipëri janë aq të forta sa janë për dy arsye. Së pari si rezultat i bashkëpunimit me segmente të korruptuara të Policisë së Shtetit apo të Qeverisë dhe së dyti përmes korruptimit të Prokurorisë dhe Gjyqësorit.
Dafës ka treguar për “Front Online” se ka pasur raste kur janë arrestuar eksponentë të njohur të krimit, por të cilët ose janë lënë të lirë ose u janë bërë akuza të dobëta. Përmend si argument rastin e fundit, atë për grupin e Bajrajve në Shkodër.
“Në raste të tjera është bashkëpunimi me qeverinë që i mbron, siç është rasti i grupit të Avdulajve, të cilët ndihmuan në skemën e manipulimit të votimeve (shantazh dhe blerje votash) në Durrës në 2017 apo Lulzim Berishës, i cili u lirua nga burgu pasi mori një garanci për punë nga Vangjush Dako, në atë kohë kryebashkiaku i Durrësit”, thekson Dafa për Front Online.
Lita: Grupet kriminale nga Shqipëria po ngjiten në superligën botërore të drogës
Gazetari Lavdrim Lita ka shpjeguar për “Front Online” edhe një tjetër skemë. Tregon se kanë pasur raste të trafikut të parave të pista nga Belgjika në Shqipëri. E gjitha kjo bëhet përmes makinave që sillen kinse për t’u shitur, mirëpo që në fakt, siç thotë ai, brenda tyre bëhen paketime të miliona eurove. Paratë e tubuara në këtë formë, Lita pohon se investohen në sektorin e ndërtimit që përbën 10 % e ekonomisë së Shqipërisë.
“Ndërsa në Tiranë ka mbi 6 mijë apartamente të pashitura, volume i lejeve të dhëna nga Bashkia Tiranë vitet e fundit kapin shifrën e 1 milion metra katrorë, pra, një shifër përtej kërkesës dhe ofertës. Thjesht skema e përdoruar nga Mafia në Itali dhe Spanjë, investime në beton dhe prona të patundshme”, shprehet ai.
Megjithatë grupet shqiptare nuk janë në nivele të larta në hierarkinë e trafikut ndërkombëtar. Lita shpreh kështu kur krahason këto grupe me organizatat e fuqishme të tjera: Ndrangheta italiane, Bratva ruse apo Triadat kineze. Këto të fundit kontrollojnë portet e Evropës dhe kontinetit aziatik.
”Megjithatë sapo janë ngjitur në superligë dhe po formojnë kartelet e para. Pra, grupe kolektive siç ishte rasti i kartelit shqiptar me seli në Dubai”, pohon Lita.
Droga po rrënon imazhin e shqiptarëve në botë
Dështimet e njëpasnjëshme të shtetit shqiptar në luftën kundër tregtisë ilegale të drogës s`kanë kaluar pa pasoja.
Në sytë e komunitetit ndërkombëtar, mu për këtë arsye, liderët shqiptarë nuk shihen si partnerë të besueshëm.
Imazhi i Shqipërisë dhe shqiptarëve në botë është duke u rrënuar. Shqiptarët po ballafaqohen me një trajtim jo të dinjitetshëm në aeroporte të ndryshme ndërkombëtare, duke u nënshtruar kontrollave më të rrepta sesa shtetasit e tjerë. Dhe jo vetëm. Oficerët doganorë i detyrojnë ata të bëjnë kalime dytësore.
Fajin për këtë gazetari Lita ia lë autoriteteve të drejtësisë, të cilat qëlimshëm, sipas tij, nuk po e luftojnë krimin e organizuar.
“Imazhi i Italisë nuk është prishur nga Mafiet italiane në territor, sepse kanë prokurorë antimafia të dedikuar, të guximshëm që jetojnë nën eskortë prej 25 vitesh, siç është për shembull, Nicola Grattieri. Në Shqipëri nuk ka prokurorë kaq të guximshëm, sepse karriera e tyre qysh në fillim fillon me ca ndere e ca favore në hyrjen e shkollës së Magjistraturës, ngritja në karrierë e më pas”, thotë Lita.
Sioqoftë ky nuk i fut të gjithë në një “thesë”. Beson se në Shqipëri ka edhe prokurorë të talentuar e seriozë, por që të cilët, janë të lënë në harresë.
“Imazhi i Shqipërisë do të jetë më i mirë kur të kemi një ndarje të krimit nga politika, përmes një vetingu të politikës dhe dënime ekzemplare të korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shprehet ai.
E eksperti i sigurisë në Shqipëri, Alban Dafa, mendon se problemi i krimit të organizuar nuk është një çështje imazhi.
“Ai është simptomë e gjendjes së përkeqësuar të arsimit, ekonomisë së dobët të vendit dhe mungesës së institucioneve të qëndrueshme. Këta faktorë e bëjnë më të lehtë zhvillimin e krimit të organizuar në përgjithësi dhe trafikimin e drogës në veçanti”, thekson ai.
Si kusht për luftimin e krimit të organizuar, ky, e sheh bërjen e një reforme të gjerë në shumë sfera.
“Duke marrë parasysh kompleksitetin e problemit, edhe nëse në Shqipëri do të zgjidhej një qeveri me integritet dhe aftësi për të vepruar, lufta kundër krimit te organizuar duhet të përfshinte një reformë të thellë të Policisë së Shtetit për ta depolitizuar dhe profesionalizuar; do të duhej një reformë e sistemit arsimor për ta bërë atë të efektshëm; dhe do të duheshin reforma të mirëmenduara për nxitjen e tregut vendas. Sigurisht që duke qenë se qeveritë shqiptare kanë pasur problem integriteti dhe aftësie qeverisëse, nisma të tilla bëhen edhe më të vështira”, theksoi ai.
Dafa gjen edhe fajtorë të tjerë.
“Përtej përgjegjësive të qeverive shqiptare, mendoj se vlen të përmendet edhe dështimi i vazhdueshëm i një sërë projekteve bashkëpunimi ose financime nga partnerët e huaj. P.sh. përsa i përket reformës në Policine e Shtetit dhe luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, ka dy misione të rëndësishme: PAMECA (per reformen e policise) dhe bashkëpunimi me Guardia di Finanza (per kanabisin)”, pohon ai.
“Këto misione, në tërësine e tyre, kanë dështuar pavarësisht arritjeve të tyre në disa çështje teknike, si p.sh. ndihmën teknike te PAMECA për ligjin për Policinë e Shtetit dhe trajnime të ndryshme për profesionalizimin e saj, apo gjurmimi i parcelave të kanabisit dhe operacionet e tjera të perbashkëta në bashkëpunim me Guardia di Finanza”, vazhdon ai me përgjigjen.
Dafa: Është rritur prezenca e grupeve shqiptare të narkotikëve në Amerikën Latine
Eksperti i sigurisë në Shqipëri, Alban Dafa, pranon se viteve të fundit është rritur prezenca e grupeve shqiptare që merren me narkotikë në Amerikën Latine.
Alban Dafa, ekspert i sigurisë në Shqipëri
“Për sa i përket prezencës së grupeve shqiptare në Amerikën Latine, duhet patur parasysh se në 10-13 vitet e fundit ka pasur një zgjerim të tregut të kokainës, si prodhim ashtu edhe konsum. Kjo i ka dhënë grupeve shqiptare mundësinë për t’u futur në këtë treg, në fillim si të derguar prej grupeve të tjera (kryesisht italiane) dhe me kalimin e kohës kanë vendosur bashkëpunime të pavaruara me prodhuesit ose ndërmjetesit e furnizimit në Amerikën Latine”, thotë ai.
Përndryshe, Qendra Evropiane për Monitorimin e Drogave dhe Varësinë nga Droga ka raportuar se grupet shqiptare të krimit të organizuar janë gjithnjë e më të pranishëm në tregjet evropiane të drogës. Ato, sipas këtij insitutcioni, janë ngjitur më lart në hierarkinë e trafikimit të kokainës – prej ushtarëve të thjeshtë dhe shpërndarësve të nivelit të ulët në organizatorë të ngarkesave me drogë.
Kështu kanë arritur të sigurojnë fitime më të mëdha, pa i ndarë me të tjerët.
/Front Online/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.