Mr. Nusret Abdibegović
Myfti i qytetit të Banjallukës/ BiH
Kurbani është një lloj ibadeti i cili nënkupton
sakrificën e një lloji të caktuar të kafshëve, bagëtive ose gjedheve, në kohën
e caktuar, me qëllim për t’iu afruar All-llahut xh.sh.
Ky lloj ibadeti është vaxhib, kurse është i ngritur
në bazë të urdhrit të Kur’anit dhe të hadithit të të Dërguarit të Allahut,
s.a.v.s.
Allahu i Lartësuar thotë: “Ne, vërtet, të dhamë
ty shumë të mira. Andaj ti falu dhe pre kurban për hir të Zotit tënd! E s’ka
dyshim se urrejtësi yt është farësosur.” (El-Kevther, 1-3.)
“Tek All-llahu nuk arrin as mishi e as gjaku i
tyre, por te Ai arrin bindja juaj. Ai ashtu ua nënshtroi ato juve që ta
madhëroni All-llahun për udhëzimet që ua bëri. Bamirësve merru myzhde.” (El-Haxh, 37.)
“Thuaj: “Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja
ime janë thjesht për All-llahun, Zotin e botëve.” (El-En’am, 162.)
Ebu Rafi, r.a., transmeton se kur i Dërguari i
Allahut s.a.v.s. blinte kurban, kërkonte që ta zgjidhte më të mirin, e kur
mbaronte hytben në ditën e Bajramit, zgjidhte njërin prej dy kurbaneve të blerë
dhe e therte vetë duke thënë: “Zoti im, ky është për ummetin tim, për çdo
njërin që dëshmon se vetëm Ti je Një dhe që dëshmon për mua se e kam kumtuar
Shpalljen”, pastaj merrte të dytin dhe thoshte: “Ky është nga Muhammedi dhe nga
familja e Muhammedit.”
Kur e pyetën të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. se
çfarë paraqesin këto kurbane, ai është përgjigjur: “Sunnetin e babait tuaj,
Ibrahimit, a.s.” Përsëri e pyetën: “E ç’dobi kemi ne prej tyre? Ai u tha: “Për
çdo qime të kurbanit ju shkruhet nga një vepër e mirë.” E pyetën: “E çka nëse
është lesh?” “Edhe për çdo qime leshi ju shkruhet nga një vepër e mirë”, u
përgjigj i Dërguari, s.a.v.s.”
”Kush posedon pasuri dhe nuk ka therur kurban, mos
t’i afrohet vendit tonë ku falim namazin e Bajramit”.
“Askush le të mos ther kurbanin, gjersa nuk e fal
namazin e bajramit.”
(Buhari, Muslimi)
Urtësia e caktimit të dispozitës së kurbanit
Me këtë lloj ibadet arrihet:
a) zbatimi i urdhrit të Zotit, respektivisht
ndjekja e praktikës së Muhammedit a.s.
b) ripërtëritja e praktikës së Ibrahimit a.s. dhe
përkujtimi i gatishmërisë së tij për ta sakrifikuar atë që më së shumti e
donte, djalin Ismailin, si dhe gatishmërinë e Ismailit a.s. për të sakrifikuar
jetën
c) plotësimi i nevojave sociale të të varfërve në
bashkësinë islame, shqetësimi ndaj tyre që ditën e bajramit ta kalojnë në
lumturi dhe kënaqësi të plotë, si dhe lidhja dhe forcimi i raporteve ndërmjet
qarqeve familjare dhe miqësore
d) falënderimi ndaj All-llahut xh.sh. për
furnizimin dhe dhuntitë me të cilat na ka shpërblyer.
Llojet e kurbanit
Ekzistojnë më shumë lloje të kurbanit, dhe atë:
1) kurban i rregullt i cili theret për çdo vit, për
këtë lloj të kurbanit bisedohet në këtë tekst.
2) kurbani premtues, i cili theret pasi që të
plotësohet premtimi i dhënë, si për shembull: “Do të ther kurban nëse më
realizohet projekti.”; pasi që të jetë realizuar projekti, është obligative që
të plotësohet premtimi dhe të theret kurban. Ky lloj kurbani duhet patjetër të
shpërndahet në tërësi.
3) kurbani sipas testamentit, çka do të thotë se
nëse njëri apo të dy prindërit ua lënë si amanet fëmijëve të tyre ose përmendet
në testamentin e vakifit që për to, pas vdekjes së tyre, të theret kurban. Ky
lloj kurbani, gjithashtu, shpërndahet në tërësi.
4) kurbani i cili theret në pajtim me rregullat e
nijetit të haxhit temettu’, kiran (hedjun).
Kush obligohet që të ther kurban
Zekati dhe kurbani janë dy obligime fetare të cilat
muslimanët jo vetëm që pak i njohin, por edhe shumë pak i praktikojnë. Sipas
dispozitave islame, çdo musliman dhe muslimane të cilët posedojnë sasi të
caktuar të pasurisë (nisab) në ditën e Bajramit janë të obliguar që njëherë në
vit të therin kurban.
Çfarë mund të theret si kurban
Kurbani mund të jetë gjedhë (ka, dem (mëzat) ose
lopë) dhe bagëti e imët (dash, dele, dhi ose cjap). Për gjedhen është kusht që
t’i ketë mbushur dy vjet. Në këtë lloj të kurbanit mund që të marrin pjesë nga
shtatë persona me kusht që të gjithë ta kenë bërë nijetin për kurban, gjersa
bagëtitë e imta nuk mund të jenë më pak se një vit, përpos nëse nga dukja,
sipas madhësisë dhe peshës (kilogramit), i përgjigjet asaj që i ka mbushur një
vit. Për çdo rast, gjatë blerjes dhe zgjedhjes duhet të kihet para sysh që
kurbani të mos ketë mangësi dhe të meta të caktuara fizike.
Për kurban nuk mund të theren kafshë të mëdha dhe
të vogla të cilat janë të prekura nga këto të meta fizike:
– nëse është e verbër në të dy ose në njërin sy;
– nëse është e çalë dhe e dobët sa që të mos ketë
mundësi të arrij deri te vendi i therjes;
– nëse veshin ose bishtin e ka gjysmë të prerë,
mirëpo nëse është lindur kështu, atëherë mundet;
– nëse e ka bririn të thyer saqë i është lënduar
edhe nervi cerebral;
– nëse është e sëmurë sa që s’ka shpresa se mund të
mbijetoj;
– nëse nuk i ka dhëmbët, ose i ka të thyer, dhe
nëse sisat i ka të prera, saqë s’mund ta ushqejë të voglin e vet.
El-Ber ibn Ajib, r.a., transmeton se i Dërguari i
Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Katër kafshë nuk vlejnë për kurban: e verbëta,
me verbëri të qartë, e sëmura me sëmundje të qartë, e çala, e cila ka çalim të
qartë dhe e dobëta (e holla), e cila nuk ka mundësi të qëndroj në këmbë”.
Aliu, r.a., transmeton se i Dërguari i Allahut
s.a.v.s. e ka ndaluar që kurbani të jetë me vesh të dëmtuar, brirë të thyer më
shumë se një të katërtën apo t’i mungojë pjesa më e madhe e veshit dhe bririt.
Nëse pas blerjes vërehet njëra nga të metat e lartpërmendura
atëherë besimtari është i obliguar që ta ndërrojë kurbanin, mirëpo nëse nuk
është në gjendje, për shkak të varfërisë, edhe kurbani i tillë është pranuar.
Koha e therjes së kurbanit
Koha e therjes së kurbanit fillon pasi që të falet
namazi i bajramit dhe zgjat deri sa të perëndojë dielli i ditës së tretë të
Bajramit.
Muhammedi, a.s., thotë: “Kush ther kurban para
namazit të bajramit, atëherë ai është vetëm mish i cili i shpërndahet familjes
së tij.” (Buhariu)
Xhundub ibn Sufjani ka thënë: “Njëherë pata
falur namazin e bajramit pas të Dërguarit të Allahut dhe kur e mbaroi namazin,
pa disa kurbane të therura, dhe tha: “Kush ka ther kurban para namazit, le ta
ther kurbanin tjetër tash, ndërsa kush nuk ka ther deri më tani, le ta ther
tani në emër të All-llahut.” (Buhariu)
Mënyra e therjes së kurbanit
Më herët thamë se kurbani është një lloj ibadeti,
andaj edhe është detyrim që ai i cili ther kurban atë ta bëj personalisht,
sikur që i bënë të gjitha ibadetet e tjera. Kjo është praktika e të Dërguarit
të All-llahut s.a.v.s. dhe ai personalisht e ka ther kurbanin për vete,
familjen dhe për të gjithë ummetin.
Xhabiri, r.a., transmeton: “Kur Muhammedi, a.s., e
falte namazin e bajramit, e lexonte hytben, dhe pastaj urdhëronte që t’i sillen
kurbanet e tij, të cilat i therte duke u shprehur: “Në emrin e Allahut,
Allahu është më i madhi! Ky kurban është për mua dhe për atë nga ummeti im, i
cili nuk ka pasur mundësi të ther kurban.”
Aishja r.a., tregon se si Muhammedi e therte
kurbanin: “Muhammedi, a.s., urdhëroi që t’i sillet kurbani në vendin në të
cilin do ta ther. Kur iu soll një dash brinak, me bark dhe këmbë të zeza, sy të
zinj, kërkoi që t’i sillej një thikë e mprehtë mirë. Më pastaj e shtriu dashin
dhe e shprehi këtë: “Në emër të Allahut, Zot im, prano këtë ibadet prej
Muhammedit, familjes së tij dhe nga të gjithë ithtarët e mi.”
Është e preferuar që Kurbanit, gjatë therjes, t’i
lidhen këmbët, të shtrihet në anën e majtë dhe të kthehet nga Kiblja, thika të
mprihet mirë dhe të veprohet me kujdes të madh. I Dërguari i Allahut s.a.v.s.
ka thënë: “All-llahu xh.sh. ka urdhëruar që të sillemi me bamirësi ndaj
çdokujt dhe secilës gjë, nëse diçkaje i merret jeta, bëni atë me mënyrën më të
kujdesshme, nëse therni kurban, thereni atë me kujdes. Mprihni mirë thikat e
juaja, lehtësone kurbanin dhe mos e mundoni.” (Muslmi)
Më se mirë është që njeriu me dorën vet ta bëj
therjen, ndërsa nëse nuk ka mundësi apo frikësohet, atëherë kjo do t’i besohet
personit përkatës dhe të devotshëm. Gjithqysh se është më mirë të prezantojë
gjatë kryerjes së aktit. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i ka thënë Fatimës,
r.a.: “Shko dhe prezanto kur të theret kurbani yt, sepse me çdo pik të
gjakut të tij do të të falen gjynahet që i ke bërë!”
Gjatë therjes së kurbanit duhet të kihet kujdes që
me thikën e mprehët t’i priten të dy enët kryesore të gjakut, gabzherri dhe
laringu. Ebu Davudi transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. para se ta ther
kurbanin i ka falur dy reqatë namaz nafile.
Shpërndarja e mishit të kurbanit
Në këtë lloj të ibadetit vihet në shprehje edhe
momenti social, e që me të synohet që t’ju ndihmohet atyre që janët të varfër
dhe të ngushtuar në ditët e gëzimit dhe argëtimit.
Allahu i Lartësuar thotë: “(Vijnë) Për të qenë
të pranishëm në dobitë e tyre dhe që ta përmendin All-llahun në ato ditë të
caktuara (në shenjë falënderimi) dhe për që i ka furnizuar me kafshë. Hani pra
prej tyre (kurbanave) dhe ushqeni të ngushtuarin e të varfërin.”
(El-Haxhxh, 28.)
Kurse i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., thotë: “Hani
nga kurbani, mbani diçka për vete dhe shpërndani sadaka”. (Muslimi)
Në ajetin dhe hadithin e sipërcituar tregohet sasia
e caktuar e cila ndalet për vete dhe familjen, sikur edhe sasia e cila
shpërndahet. Mishi i këtij lloji të kurbanit ndahet në tre pjesë: një e treta i
ndahet familjes, pjesa e dytë e së tretës iu ndahet miqve dhe tjetra
nevojtarëve dhe të ngushtuarve.
Ibn Abbasi, r.a., transmeton se i Dërguari a.s. ka
thënë: “Me një të tretën njeriu le ta ushqej familjen e tij, me pjesën e dytë
të së tretës le t’i ushqej fqinjët dhe pjesën e tretë le t’ua shpërndajë
nevojtarëve.”(Buhari, Muslimi)
Lejohet që të shpërndahet i gjithë kurbani, madje
në raste të nevojës së madhe mund që të mbahet i tëri, mirëpo nuk lejohet që të
shitet diçka prej tij. *
(Shtojcë)[1]
Ç’duhet bërë me lëkurën e kurbanit
Duhet ditur se nuk lejohet asgjë të shitet nga
kurbani, madje as qimet dhe as lëkura e tij. Lëkura mundet të mbahet për vete
me kusht që vlera e saj në të holla t’u jepet të varfërve. Lëkura e kurbanit
mund t’u jepet edhe institucioneve dhe shoqatave humanitare, qëllimi i të
cilave është ndihmesa e të varfërve, në rast se ka shoqata dhe institucione të
tilla në atë vend. Lëkura e mbajtur për vete duhet të mbahet e pastër dhe të
përdoret për falje.[2]
Tekbiri Teshrik
Nga namazi i sabahut, ditën e Arafatit, gjegjësisht
një ditë para bajramit e deri në namazin e ikindisë të ditës së katërt të
bajramit, për haxhinjtë dhe për ata që nuk kanë shkuar në haxh, për secilin
mashkull e femër, qoftë falja me xhemat apo vetëm, me dhënien e selamit në
namazet farze, është vaxhib të lexohet një herë tekbiri teshrik.
Tekbiri teshrik nuk lexohet në namazin e xhenazes
dhe nëse kemi dalur nga xhamia dhe kemi folur. Nëse imami e harron tekbirin,
xhemati nuk e braktis. Meshkujt mund ta këndojnë me zë të lartë, kurse gratë e
këndojnë ngadalë.
Tekbiri teshrik bëhet në këtë mënyrë:
“ALL-LLAHU EKBER, ALL-LLAHU EKBER. LA ILAHE
IL-LALL-LLAHU VALL-LLAHU EKBER. ALL-LLAHU EKBER VE LIL-LAHILHAMD”.[3]
Përktheu nga boshnjakishtja:
Mehas Alija
____________________
Referencat:
* Burmi: http://www.dzemat-oberhausen.de/pages …
an-nusret-abdibegovic.php
[1] Shtojca nuk është pjesë integrale e këtij
përkthimi nga gjuha boshnjake, porse është shtuar nga përkthyesi i gjuhës
shqipe.
[2] Vehbia Hoxhiq, Themelet e fesë, – domethënia
dhe qëllimi i përcaktimeve.” (Versioni elektronik:
http://www.alb-net.com/pipermail/alb- … 2000-February/000023.html
[3] Hakikat kitabevi, versioni elektronik në gjuhën
shqipe:
http://www.hakikatkitabevi.com/albani …
tm#NAMAZET%20E%20BAJRAMIT
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.