Opoja.net

Mësimi online s’e ka arritur efektin e duhur, kompensimi i orëve i domosdoshëm

Mësimi online s’e ka arritur efektin e duhur, kompensimi i orëve i domosdoshëm

Pandemia ka bërë që të anashkalohet shumëçka në atë që përbën një mësimdhënie cilësore, duke filluar nga shkurtimi i orëve, pastaj ndërrimi në grupe, kalimi nga një skenar në skenarin tjetër, që sipas komunitetit shkollor kanë ndikuar drejtpërdrejt në cilësi të mësimdhënies dhe mësimnxënies, raporton Ekonomia Online.

Qeveria e Kosovës, për të parandaluar përhapjen e Coronavirusit, ka marrë vendim që gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor 2020/2021 të përfundojë më 18 dhjetor dhe gjysmëvjetori i dytë të nisë më 18 janar.

Sipas drejtorit të Institut “EdGuard”, Rinor Qehaja, institucionet e vendit nuk e kanë dëshmuar se shkollat janë burim i infeksionit.

Qehaja në një intervistë për Ekonomia Online thotë se ka pasur mungesë të komunikimit të hapur ndaj institucioneve relevante me komunitetin e shkollës për t’i informuar se në cilat të dhëna janë bazuar në marrjen e vendimeve. Pasi, sipas tij, ende është e paqartë nëse rritja e rasteve lidhet me rikthimin e nxënësve në shkolla.

“Ne në vazhdimësi kemi thirrur për një komunikim më të hapur të Institutit të Shëndetit Publik dhe Ministrisë së Shëndetësisë, në mënyrë që të komunikohet te qytetarët dhe te komuniteti i shkollës se ku qëndron baza e këtyre masave më strikte, qoftë me prezencë në klasë, por edhe ndërprerja e parakohshme e procesit mësimor. Pra, thelbi i një menaxhimi më të mirëfilltë të situatës pandemike, besoj se do të ishte një komunikim më i hapur i institucioneve relevante karshi komunitetit të shkollës, e kjo pastaj do të na jepte përgjigje se kush është në të vërtetë burimi i infeksionit në vend tonë”.

 

Rinor Qehaja, EdGuard

“Ne ende e kemi të paqartë nëse rritja e rasteve ka korrelacion me rikthimin në shkolla, ose me çfarëdo ambienti tjetër, qoftë me kafeteritë ose ambientet e mbyllura pa ajrosje… Neve na mungojnë këto statistika, dhe mungesa në statistika na bënë që të jemi shumë të painformuar karshi edhe reagimit për secilën nga këto skenare”, tha ai.

Sipas drejtoreshës së Shkollës së Mesme të Ulët “Faik Konica”, Jehona Oruqi, siguria brenda shkollave është në nivelin më të lartë sa i përket përhapjes së virusit.

 

Jehona Oruqi, ShMU “Faik Konica

“Brenda shkollës, masat janë goxha rigoroze dhe ashtu duhet të jenë. Siguria brenda shkollës është e nivelit të lartë, nxënësit janë të ndarë në grupe dhe protokolli zbatohet në tërësi. Andaj mendoj që shkolla nuk është vatër e shpërndarjes së virusit nëse vazhdojmë që të respektojmë protokollin çfarë deri më tani kemi bërë”, tha ajo.

Mësimi online – joefektiv

Ky vit shkollor vlerësohet si i humbur nga komuniteti i arsimit në Kosovë, pasi mësimi online nuk është treguar efektiv dhe nxënësit kanë ngecur në mësimnxënie.

Megjithatë, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, e konsideron gjysmëvjetorin e parë shkollor 2020/2021 si proces të mbarë mësimor.

“Pas pushimeve, mësimi do të vazhdojë sipas skenarëve të cilët janë paraparë. Presim që situata me Covid-19 të qetësohet… Kemi pasur një proces të mbarë mësimor; deri më tash ka pasur raste kur shkollat kanë kaluar prej një skenari në skenar tjetër. Nuk kanë qenë shumë shkolla”, u shpreh ministri për Ekonomia Online.

 

Ramë Likaj, MASh

“Ka edhe shkolla të cilat e kanë realizuar plotësisht procesin mësimor me kohëzgjatje të orëve qysh ka qenë i paraparë me kalendarin paraprak, 45 minuta. Procesi ka rrjedhur mirë, megjithëse kemi pasur raste të infeksioneve të nxënësve dhe mësuesve”.

Sipas Likajt, MASh ka pasur një bashkëpunim shumë të mirë me IKSHPK-në dhe Ministrinë e Shëndetësisë. “Janë kryer mbi 20 mijë testime në sistemin e arsimit parauniversitar”.

Ndërsa, sipas Qehajës mësimi online nuk ka treguar ndonjë efikasitet. Ai thotë po ashtu se kjo metodë është vështirë e realizueshme në Kosovë pasi kërkon shumë investime.

“Mësimi online ka dëshmuar që është vështirë i realizueshëm në vendin tonë. Kërkon shumë investime, kërkon shumë përkushtim institucional dhe mbi të gjitha dhe vetëdijesim të komunitetit të mësimdhënësve, nxënësve dhe prindërve, por edhe përgatitje profesionale e mësimdhënësve për realizim”.

“Pra, është goxha një hallkë e thellë e intervenimeve gjë që merr kohë e për të cilat rezultatet mund të shihen vetëm për një periudhë më afatgjate. Kurse në situatën që jemi dhe reagimi i shkurtër dhe i imponueshëm që na është paraqitur në menaxhim të pandemisë, mësimi online dhe ai nga distanca nuk kanë dëshmuar ndonjë efikasitet. Këtë e dëshmojnë shumë hulumtime të kryera me komunitetin e shkollës, ku mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit na rikonfirmojnë këtë. Mbi 90% e tyre më shumë preferojnë mësimin me prezencë fizike se çfarëdo formati tjetër jashtë bankave të shkollës”, u shpreh Qehaja.

Mësimdhënësja në Shkollën Model “Qamil Batalli”, Valdrina Nekoviqi, tha se mësimi online nuk e ka pasur efektin e duhur, pasi shpeshherë për nxënësit e saj ka qenë shpërqendruese kjo metodë e mbajtjes së mësimit.

“Qysh në fillim të marsit kur u mbyllën shkollat, institucionet arsimore i ndërmorën hapat ose mund të themi masat për të filluar mësimin online, gjë që ishte mjaft e rëndësishme për atë kohë pasi ishte gjendje e jashtëzakonshme. Kjo bëri që nxënësit sadopak të mos merren me Covidin ose pandeminë, por të merren, të jenë në kontakt me mësimdhënësit, dhe të angazhohen në mënyrë që të arrihen rezultatet të cilat janë të synuara”.

No description available.
Valdrina Nekoviqi, Shkolla Model

“Kështu që kjo, në një farë mënyre, ishte pozitive sa i përket mësimit online për të mos mbetur nxënësit mbrapa. Edhe pse unë isha pjesë e e-mësimit, personalisht mendoj se mësimi online nuk e kishte efektin e duhur nëse e krahasojmë me mësimin në klasa apo në shkolla, për arsye se angazhimi i nxënësit në klasë bën që mësimdhënësi ta përcjellë punën e tij në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ndërsa përmes platformave, çfarëdo qoftë ajo, nuk mund ta dimë sa e ka marrë informacionin nxënësi ose nuk mund të merret me aktivitete siç kërkon mësimdhënësi, ose siç ka nevojë t’i bëjë mësimdhënësi”, tha Nekoviqi.

“Ka nxënës të cilët angazhohen në mësim si në klasë, njëjtë edhe online ose në distancë, do më thënë mundet me arritë atë çka synohet prej mësimdhënësit. Por ka nxënës të cilët nuk mund ta përballojnë këtë… Është mungesa e përqendrimit, për shembull, online”.

Ajo thotë se ka pasur fëmijë që nuk kanë mundur të përqendrohen gjatë mpsimit online. “Fokusoheshin në gjëra të tjera, sepse ju vinte interesant pse mësuesen po e sheh përmes kamerave, s’i vinte interesant mësimi që po mbahej aty”.

Nekoviqi thekson se kjo ishte sfidë për mësimdhënësit, por edhe për prindërit, të cilët janë detyruar në një farë mënyre të bëhen edhe mësues të fëmijëve të tyre.

Nxënësit e Shkollës Model “Qamil Batalli”, sikurse dhe nxënësit e tjerë, kanë pasur shpeshherë probleme të kyçen online për shkak të problemeve teknike.

Drejtoresha e Shkollës së Mesme të Ulët “Faik Konica”, Jehona Oruqi, tha se mësimi është zhvilluar sipas dy skenarëve. Sipas saj, mësimi online është përcjellë me disa probleme teknike, por që në momentin që është evidentuar është rregulluar.

“Mësimi është realizuar sipas dy skenarëve: për ciklin e ulët është realizuar në skenarin A, ndërsa për ciklin e lartë në skenari B. Në skenarin B tek cikli i lartë nxënësit janë ndarë në dy grupe, në grupin A dhe grupin B; kjo nënkupton se 15 nxënës kanë qëndruar në klasë, ndërsa 15 të tjerë kanë përcjell mësimin në shtëpitë e tyre për mes e-Shkollorit, por edhe nganjëherë përmes klasave virtuale përmes Zoom-it. Nxënësit sipas grupeve edhe janë ndërruar”.

Drejtoresha tregon se në fillim të vitit shkollor, nxënësit ishin më entuziastë dhe e kanë përcjell mësimin në mënyrë të rregullt; ndërsa lë të kuptohet se muajt e fundit ky entuziazëm ka rënë paksa.

Pushimet verore 2021 mund të anulohen për të kompensuar orët e humbura mësimore?

Orët e humbura mësimore dhe ngecja në mësimnxënie, sipas komunitetit arsimor, duhet të kompensohen, fillimisht duke e bërë një vlerësim se në cilat lëndë kanë mbetur mbrapa nxënësit dhe pastaj të vazhdohet me orë plotësuese.

Ministri Likaj tha se kompensimi i orëve mësimore do të vazhdojë edhe gjatë periudhës së pushimit veror, dhe për këtë është angazhuar një grup punues për të ndërtuar kalendarin e ri.

“Grupi punues është thirrur për ta ndërtuar kalendarin e ri për t’i kompensuar ditët që kanë humbur nxënësit për këtë vit shkollor. Unë e kam marrë një vendim duke u bazuar në rekomandimet e IKShPK-së”, tha ai.

“Është grupi punues i cili vendos për kalendarin. Me siguri që në qoftë se situata qetësohet, atëherë edhe pushimet verore do të anulohen ose gjendet një formë tjetër për t’u kompensuar”, tha Likaj.

Kurse, Qehaja nga Institut “EdGuard”, thotë se është e nevojshme që secili nxënës të vlerësohet nga mësimdhënësit e tyre, në mënyrë që të marrin përkrahje shtesë në lëndët që kanë ngecur gjatë këtij viti.

“Besoj që Ministria do të reagojë me një plan-program me zëvendësim të po këtyre orëve. Për çka ne avokojmë është që secili nxënës individualisht të vlerësohet nga mësimdhënësit e tyre për një përkrahje shtesë. Pra, të kemi plane për nxënës në mënyrë që të sigurohemi që të gjithë janë në të njëjtin hap karshi arritjes së atyre rezultateve që na thërret kurrikula; të mos na ikë asnjë nxënës me ngecje në mësimnxënie gjatë kësaj faze dhe të kemi një përkushtim institucional për një barazi për të gjithë”, u shpreh ai.

Tutje, ai thotë se pandemia ka shpërqendruar nga cilësia e procesit të mësimdhënies dhe mësimnxënies.

“Historia e krijuar për pandeminë, na ka bërë që të anashkalohet shumëçka që e ndërton një mësimdhënie cilësore. Këtu veçanërisht vëmë në pah shkurtimin e orëve, pastaj ndërrimin në grupe, kalimin nga një skenar në skenarin tjetër të cilët kanë ndikuar drejtpërdrejt në cilësisë të mësimdhënies dhe mësimnxënies”, theksoi Qehaja.

Edhe mësimdhënësja Nekoviqi konsideron se mësimi online ka lënë mangësi tek nxënësit, prandaj duhet të vlerësohen se ku ka pasur ngecje në mënyrë që të mbahet mësimi plotësues në klasa, e jo në mënyrë virtuale.

“Online i kemi mbajtur vetëm lëndët kryesore dhe jo edhe lëndët e tjera të cilat janë të planifikuara për atë moshë ose me planprogram. Ndërsa prej shtatorit kemi filluar mësimin në shkolla, por orari ka qenë më i shkurtuar. Unë mendoj që rezultatet të cilat janë synuar gjatë asaj kohe nuk janë arritur dhe na duhet punë ose mësim plotësues për të mbajtur në shkollë; gjithsesi në shkollë, jo online”.

“Mësimi online ka lënë mangësi dhe fëmijët kanë mbetur mbrapa… Urojmë që të mos ketë më pandemi dhe t’i kthehemi jetës normale dhe t’i kompensojmë disi ato të cilat nxënësit s’i kanë arritur. Unë mendoj se duhet të mbahet mësim plotësues, të organizohet disi ndonjë mënyrë”, shprehet ajo.

Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit “Promovimi i Edukimit Medial dhe Forcimi i Gazetarisë së Pavarur në Ballkanin Perëndimor”, i cili realizohet me fonde të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar përmes British Embassy Pristina. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorëve/autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Albany Associates, Media Centar Sarajevo, apo KosovaLive.

Sot pritet të arrijnë në Kosovë 4 mijë e 680 vaksina Pfizer

Opoja.net

Mbi 100 mijë kosovarë punojnë pa kontrata, këto janë vendet e punës që “u shuan” në pandemi

Opoja.net

Gjendet kuleta me të holla në Prizren, kërkohet pronari i saj

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net